DOSSIER/ Dita e dytë e protestës, pedagogë e intelektualë shfaqen pranë studentëve

29 Dhjetor 2013, 18:59Politika TEMA

Nga Luljeta Progni*

 

Në datën nëntë dhjetor, rreth orës dhjetë të mëngjesit, sheshi i Qytetit Studenti ishte mbushur. Kjo kishte ndodhur gradualisht që në orët e para të mëngjesit. Të grumbulluar në shesh, i cili sot quhet sheshi “Demokracia”, studentët po organizoheshin për ta shpërngulur protestën drejt sheshit “Skënderbej”. Situata mbikëqyrej nga forca të shumta të policisë. Ashtu si një natë më parë, studentët u përballën sërish me dhunën e forcave të rendit. Detaje rreth këtyre ngjarjeve tregohen në intervistat e ish studentëve protagonistë të kësaj ngjarje, të cilat botohen të plota në pjesën e fundit të punimit.

Pak a shumë rrëfimet konvergojnë rreth të njëjtit version. Studentët e grevës së një nate me parë, iu bënë pritë studentëve që shihnin se po i drejtoheshin auditorëve, duke i kthyer ata. Informacioni mbi dhunën që kishin pësuar në protestën e mesnatës së shkuar, ishte një prej elementëve sqarues që kërkonin nga bashkëstudentët e tyre. Sipas dëshmive, shumica e studentëve ishin bashkuar në një mendje për të bojkotuar mësimin. Rreth mesditës së 9 dhjetorit, turma e madhe, tashmë me mijëra studentë, filloi të lëvizte nga Qyteti Studenti drejt Fakultetit të Filologjisë për të dalë në rrugën e Elbasanit deri te Liceu Artistik. Atje u përballën përsëri me forca të shumta speciale dhe në konfrontim me ta hodhën parulla të shumta kundër regjimit dhe thirrje për të shkuar drejt sheshit “Skënderbej”. Forcat e rendit ndërhynë brutalisht, duke e shpërndarë protestën.

Dëshmitë e secilit prej ish studentëve bashkohen në të njëjtat pika kulmore të ngjarjeve të datës tetë dhe nëntë dhjetor, duke përjashtuar ngatërresa të vogla. Ndërkohë, në këtë ditë të dytë të protestës u përfshinë edhe pedagogët e tyre, banorë të Tiranës dhe intelektualë. Deri atëherë ata kishin qenë indiferentë ndaj lëvizjes studentore. Megjithatë, numri i intelektualëve dhe pedagogëve që u shfaqën përkrah studentëve më nëntë dhjetor ishte shumë i vogël. Hezitimi i tyre vazhdoi deri të nesërmen më dhjetë dhjetor, ndërkohë që studentët kishin kërkuar mbështetje herë pas here.

Kërkesat e studentëve të formuluara në disa pika, drejtuar Ramiz Alisë, mbylleshin pikërisht me tekstin ku i kërkohej intelektualëve mbështetje. Para se të shkojmë tek publikimi i pikave, duhet të sqarohen disa detaje, takime dhe kontakte ndërmjet drejtuesve të lëvizjes dhe drejtuesve të shtetit, që u shfaqën në Qytetin Studenti atë ditë.

Akli Fundo flet për mosmarrëveshje mes grupit të drejtuesve të lëvizjes, përsa i përket momentit të hartimit të kërkesave. Fundo shprehet, se drejtuesi i lëvizjes, Azem Hajdari, ishte thirrur në një takim në ambientet e Qytetit Studenti mbrëmjen e 9 dhjetorit nga ministri i arsimit Skënder Gjinushi, i cili ishte bashkë me një prej intelektualëve që ishte shfaqur atë ditë pranë studentëve, Sali Berishën. Pas takimit, dëshmon Fundo, Hajdari u kthye tek pjesa tjetër e drejtuesve të protestës dhe deklaroi, se kishte marrë garancinë kërkesat do të plotësoheshin. Për këtë arsye, Hajdari hodhi idenë e kthimit në auditor të studentëve. Kjo solli reagime mes drejtuesve të protestës prej shkeljes së dy vendimeve dhe pas një debati, Hajdari u tërhoq.

“Azem Hajdari ka ardhur atë pasdite në atë mbledhje ku ishim ne, pas një takimi që kishte pasur me Skënder Gjinushin dhe Sali Berishën. Kur erdhi Azemi tek ne, pra te godina 15, na kërkoi që të vendosnim të shkonim në mësim. E kemi diskutuar në atë grup prej 50 vetash. Ka pasur një rezistencë të fortë ndaj Azemit, pra u kundërshtua. E kundërshtuam, sepse ai po shkelte dy vendimet tona më të rëndësishme, e para që nuk do të pranonim në asnjë rast të takoheshim me asnjë zyrtar tjetër përveç Ramiz Alisë dhe e dyta kërkesa për të shkuar në mësim, ndërkohë që ne e kishim vendosur, që nuk do të shkonim në mësim. Me sa kuptova ishte vetëm pasojë e ndikimit që kishte pasur nga ai takim. Azemi na tha, se kishte marrë informacion që pedagogët do të shkonin në mësim dhe se atje do të zgjidhej problemi ynë. Ne e kemi kundërshtuar këtë qëndrim të Azemit dhe ai është kthyer menjëherë tek qëndrimi ynë. Megjithatë, unë jam larguar nga ai grup organizator në shenjë proteste ndaj thyerjes së dy vendimeve, për të cilat ne ishim të prerë që nuk do t’i thyenim. Bashkë me dy shokët e mi Niko Kaçiroti, dhe Abdyl Demirazi, jemi larguar, duke dhënë dorëheqje nga ai komision. Pas largimit tonë, grupi organizator ka shkruar kërkesat, por në mëngjes Azemi ka kërkuar që kërkesat të miratoheshin edhe prej nesh, pra ne të treve që u larguam. Këtu kam parë aftësitë prej lideri të Azem Hajdarit, i cili kishte prirjen që të përfshinte dhe jo të përjashtonte. Kemi shkuar dhe i kemi lexuar kërkesat.”

(Fundo, Akli, intervistë për autoren, nëntor 2013)

 

Intelektualët, si hynë në “lojë”

Secili prej intelektualëve rrëfen rrugën e tij drejt Qytetit Studenti, aty ku kishte nisur për të mos u ndalur më protesta për rrëzimin e regjimit komunist. Mungesa e besimit rrëfehet si një detaj i gjithëpranishëm, që shoqëronte secilin prej tyre. Në ndonjë rast, ky mosbesim i detyron, siç shprehet ndonjë prej tyre, të qëndrojnë të tërhequr deri në datën dhjetë, kur protesta ishte masivizuar.

Dy ishin rrugët për t’u gjendur në atë shesh pranë studentëve: si të porositur nga udhëheqja për t’i ndalur veprimet e studentëve, ose si mbështetës të studentëve, pa marrë më herët porosinë e partisë. Asnjëra palë nuk mund të shmanget nga kontributi që pati në këtë moment, por është e rëndësishme të përshkruhet me detaje rruga e secilit, nëpërmjet dëshmive të tyre dhe dokumenteve të kohës.

Besnik Mustafaj rrëfen rrugën e tij dhe të bashkëudhëtarit Sali Berisha, në datën nëntë dhjetor drejt Qytetit Studenti, nga i pari kontakt me studentët, kur po dhunoheshin prej policisë, deri tek takimi me Azem Hajdarin në ambientet e Qytetit Studenti. Mustafaj rrëfen momentin e parë kur ishin informuar për protestën që kishte ndodhur një natë më parë dhe rrugën që e çoi atë dhe Sali Berishën drejt shtëpisë së Ramiz Alisë, si negociatorë të studentëve dhe jo anasjelltas. Sipas Mustafajt, një takim me Azem Hajdarin në një prej mencave të Qytetit Studenti, ishte momenti i parë i angazhimit të Sali Berishës në lëvizjen e studentëve të dhjetorit.

Sipas Mustafajt, Sali Berisha i ka kërkuar Hajdarit, që listës së kërkesave t’i shtohet domosdoshmërisht kërkesa për pluralizëm politik. Kjo bisedë konfidenaciale mes tyre, sipas Mustafajt, është bërë mesditën e nëntë dhjetorit. Nga detajet e këtij rrëfimi, duket se Sali Berisha mori kërkesat e studentëve për lirimin e shokëve të tyre të dhunuar dhe të arrestuar një natë më parë, për të negociuar me sistemin dhe mbërriti në shtëpinë e Ramiz Alisë, si pasojë e përpjekjeve të tij që të gjente një zgjidhje për kërkesat e studentëve, që lidheshin me dhunën ndaj tyre një natë më parë.

“Pas një bisede të parë me ata studentë, ku unë nuk fola dhe pasi morëm, pa e ditur ç’do të bënim me të, një listë me emra studentësh të arrestuar, të cilën na e dha një pasuniversitar, Zenel Hoxha, jemi drejtuar për te mensa e studentëve, ku na thanë se gjendej Azem Hajdari. Unë e njihja Azemin, edhe pse ai ishte pesë vjet më i ri se unë. Ishim të dy nga Bajram Curri. Kishim kaluar fëmijërinë bashkë. Saliu nuk e njihte dhe as nuk kishte dëgjuar kurë për të. I kam prezantuar unë atë ditë me njëri-tjetrin. Azemi u gëzua shumë kur na pa dhe na tërhoqi në bodrumin e mencës, ku do të mund të flisnim më qetë. Bashkë me Azemin ka qenë edhe Arben Broci dhe një tjetër, emri i të cilit nuk më kujtohet. Pas një fillim bisede të hallakatur, Azemi i ka nxjerrë jashtë dy shokët e vet për të qëndruar vetëm me ne. Megjithatë, mosbesimi midis Saliut dhe Azemit, si dy njerëz që nuk njiheshin, ka zgjatur edhe ca.

Azemi ka nxjerrë më në fund nga xhepi i brendshëm i xhupit prej lëkure të zezë, një fletë letre me kërkesat e studentëve. Ishin pak a shumë ato kërkesa, që i ishin paraqitur Adil Çarçanit me letër pak javë më parë, dhe ku, në mos gaboj, emri i Azem Hajdarit nuk kishte qenë ndër nënshkruesit. Në një farë çasti unë e kam ndërprerë Azemin, që po lexonte gjithë patos listën e kërkesave. I kam thënë, pak me të qeshur “Azem, ju nuk keni dalë të rriheni nga policia për t’i shtuar pak sheqer çajit, mor burrë!” Dëshiroja kështu ta thyeja atë cipë akulli të mosbesimit, që ende mbetej midis të dyve. Azemi më ka dhënë menjëherë të drejtë dhe e ka lënë Saliun të flasë. Saliu përmendi pluralizmin politik. Aty për aty Azemi u shtang, por e kapi shumë shpejt situatën. Ishte njeri me instikte politike dhe reflekse lideri të jashtëzakonshme. Do të thoja i pashembullt në historinë e Shqipërisë. Kemi renditur aty për aty disa pika, që do të përbënin bërthamën e kërkesave të mëvonshme politike të studentëve.

Me pak fjalë, ne i kemi kërkuar dikur leje Azemit të largoheshim. Saliu tha se do të shikonin çfarë mund të bënin për lirimin e studentëve të arrestuar dhe pyeti Azemin, siç m’u duk mua më shumë për të bërë adetin, nëse kishte informacione për të arrestuarit. Azemi u përgjigj se jo, informacione të sakta nuk kishte. Kur dolëm jashtë duhej të ishte ora rreth dy e pasdites. Rreth mensës ishte shtuar dukshëm numri i studentëve. Unë nuk e dija çfarë do të bënim, por e ndiqja Saliun, i cili më tha se vërtet duhej bërë diçka për lirimin e studentëve dhe më përmendi dy emra funksionarësh, njëri ishte Robert Kote, sekretar në Komitetin e Partisë së Tiranës dhe tjetri ishte një funksionar me një përgjegjësi të lartë në Ministrinë e Brendshme. Saliu i kishte pacientë, që do të thotë se i njihte mirë. Do të përpiqej të lidhej me ta. Por më parë do të lidhej me spitalin, për të mësuar nëse kishte atje studentë të plagosur, siç na kishin thënë. Telefoni më i afërt ishte pikërisht ne Komitetin e Partisë, në zyrën e Robert Kotes, në ndërtesën ku është sot selia e Partisë Socialiste.

Robert Kote na priti mirë dhe u tregua shumë mirëkuptues me përpjekjen tonë. As ai nuk dinte të kishte të arrestuar. Por edhe ai e kishte dëgjuar legjendën për arrestimet e shumta të studentëve kryer në mesnatën e mbrëmshme dhe mëngjesin e asaj dite. Rruga në këmbë nga Qyteti Studenti e deri në qendër, bisedat me Robert Koten dhe pastaj telefonatat e shumta të Saliut me spitalin dhe me të njohurin e tij në Ministrinë e Brendshme morën afro tri orë. Në këtë kohë ka ardhur Xhelil Gjoni, Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë për Tiranën. Ai kishte thirrur në një mbledhje urgjente drejtuesit e organizatave të masave, siç quheshin atëherë organizata e gruas, e rinisë, e bashkimeve profesionale, por edhe Skënder Gjinushi, që ishte ministër arsimi, rektorët e shkollave të larta e ndonjë tjetër, që nuk më kujtohet.

Robert Kote na ka shoqëruar në zyrën e Xhelil Gjonit, i cili ndërkaq po fliste në telefon me Ramiz Alinë. Me ta vënë në dijeni Xhelili për praninë tonë aty, Ramizi ka kërkuar të flasë me ne. Xhelili më ka zgjatur në fillim telefonin mua, por unë nuk e mora. Le të fliste Saliu, i cili, për hir të së vërtetës, u shpreh me një gjuhë mjaft të ashpër për dhunën e përdorur nga policia mbi studentët paradite, te Liceu Artistik. Me sa mbaj mend, Ramizi nuk e ka ndërprerë asnjëherë Saliun. Në fund na ka ftuar ta takonim në shtëpinë e tij dhe Saliu pranoi. Por unë nuk shkova. E shoqërova Saliun deri në hyrje të Bllokut, aty ku është sot Gjykata Kushtetuese dhe e kam pritur në errësirë kthimin e tij. Saliu ka shkuar vetëm te Ramiz Alia.

Ka qëndruar rreth gjysmë ore, ndoshta pak më shumë. Më tha se Ramizi i kishte premtuar lirimin e studentëve. Unë besova se misioni ynë mbaronte me aq. Më kishte mbaruar duhani dhe ishim pa drekë. Jo, tha Saliu me atë tonin e tij bubullues. Puna jonë tani fillon. U kthyem në Qytetin Studenti, pikërisht aty ku ishim ndarë me Azemin e ku kemi gjetur tashmë një turmë të madhe. Por ku ende nuk kishin mbërritur intelektualët e Tiranës. Të paktën unë vetë nuk kam parë asnjë fytyrë të njohur.”

(Mustafaj, Besnik, intervistë për autoren, nëntor 2013)

Lidhur me këtë moment ka dëshmi kontradiktore. Disa studentë aktivë atë ditë në protestë deklarojnë, se Berisha ka refuzuar të qëndrojë pranë tyre pas ftesës që i është bërë për mbështetje.

“Pasditen e nëntë dhjetorit, bashkë me shokët e mi, Ardian Petrollari e disa të tjerë, kemi takuar Sali Berishën tek sheshi para mensës 7.3. I kemi kërkuar të qëndrojë me ne dhe të na mbështesë. Ka refuzuar, madje na kërkoi të ktheheshim në mësim, pasi Ramiz Alia kishte premtuar se po i plotësonte kërkesat tona.”

(Sejamini, Neritan, intervistë për autoren, nëntor 2013) 

Akli Fundo, konfirmon gjithashtu këtë qëndrim.

“Rreth mesditës, diku midis godinës së arteve dhe asaj të shkencave të natyrës kemi takuar Sali Berishën dhe Besnik Mustafajn. Kemi bërë një bisedë me ta, ishim rreth 30 studentë. Dëgjuam Berishën dhe mbaj mënd se po dëgjonim një fjalor tjetër, i ndryshëm nga ai që kishim dëgjuar deri atëherë. Ai fliste me terma të tipit, transparencë, kulturë demokratike etj. Ishte hera e parë që dëgjonim artikulime të tilla nga ndonjë personalitet brenda vendit. Në atë bisedë unë i kam kërkuar Sali Berishës që të vihej në krye të lëvizjes studentore. Ishte nga të parët që takuam. Ne vendosëm të kërkonim ndihmën e intelektualëve nisur edhe nga ngjarja e 2 korrikut, ku ata që u larguan u konsideruan llumi i shoqërisë nga regjimi. Nga frika se mos ne do të na konsideronin kështu, na duhej që ne të drejtoheshim dhe të kishim mbështetjen e intelektualëve. Berisha ishte një intelektual i njohur në atë kohë. Por Berisha nuk pranoi. Ai na tha se: “Kam ardhur këtu si individ dhe nuk përfaqësoj kërrkënd përveç vetvetes”. Na bëri thirrje të shkonim në shkollë dhe protestën ta vazhdonim pasdite duke dëshmuar kulturë demokratike. Këtu jemi ndarë me ta dhe ne jemi kthyer në godinën e shkencave për organizimin e pasdites. Ndërsa Berisha është ngjitur sipër dhe me sa rezultoi më pas ai kishte kërkuar  dhe po takohej me Azem Hajdarin.

(Fundo, Akli, intervistë për autoren, nëntor 2013)

Ndërsa Azem Hajdari, në sheshin e Qytetit Studenti, po priste intelektualët e parë, disa studentë të tjerë ishin drejtuar për tek shtëpia e Pashkos, që të kërkonin mendim për vazhdimësinë e lëvizjeve të tyre. Njëri prej tyre, Neritan Sejamini, thotë se një grup studentësh, kryesisht të ekonomikut, të shkencave të natyrës, por edhe të tjera fakultete, kanë shkuar në shtëpinë e Gramoz Pashkos për t’u konsultuar me të. Ai kishte sugjeruar, që në kërkesa të renditej pluralizimi politik.

“Darkën e datës nëntë dhjetor, një grup studentësh kemi shkuar tek shtëpia e Gramoz Pashkos për t’u konsultuar me profesorin. Diku rreth orës 21:00 kemi mbërritur atje dhe jemi mirëpritur nga ai e bashkëshortja e tij, Mimoza Pashko. Kemi diskutuar kërkesat që ishin renditur deri në atë moment nga studentët, pra nga përfaqësia e studentëve që ishte vendosur tek godina 15. Pashko  na ka rekomanduar që të heqim disa kërkesa, të cilat kishin të bënin me kushtet në konvikte dhe të përqendroheshim tek kërkesat politike”.

(Sejamini, Neritan, intervistë për autoren, tetor 2013)

Pra, pluralizmi politik, pretendohet se po artikulohej në bërthama të ndryshme, ku protagonistët vazhdonin të ishin studentët. Sugjeruesit ishin Pashko e Berisha, duke iu referuar dëshmive të vetë protagonistëve në këto ngjarje.

Ndërkohë që po ndodhnin këto ngjarje, grupi i studentëve të zgjedhur për të drejtuar protestën kishte hartuar pikat e kërkesave që do t’i drejtoheshin Ramiz Alisë. Akli Fundo rrëfen rrugën nëpër të cilën kaluan ato pika për t’u bërë publike ditën e dhjetë dhjetorit. Ai thotë, se kërkesa për pluralizëm politik ishte qëllimi fillestar i protestës së studentëve dhe se nuk pritej si sugjerim nga intelektualët. Ai nuk e mohon ndikimin e tyre, kryesisht të Gramoz Pashkos, në kontaktet që kishte me përfaqësinë e studentëve protestues, nëpërmjet studentëve të tij. Sidoqoftë kërkesa për pluralizëm politik, sipas Fundos, është hartuar nga vetë studentët.

“Gjatë natës, pra midis nëntës dhe dhjetë dhjetorit, ishin renditur disa kërkesa të cilat ishin ekonomike. Ndërkohë gazeta “Zëri i Popullit” kishte publikuar një artikull ku theksonte se studentët janë ngritur në protestë për disa kërkesa ekonomike dhe një grup i vogël duan t’i manipulojnë për kërkesa politike. Pra kishte një tendencë nga regjimi për ta kthyer protestën tërësisht në ekonomike. Dukej qartë se Ramiz Alia donte ta kthente të gjithë këtë protestë në disa kërkesa ekonomike. Ne e diskutuam këtë problem dhe kemi vendosur që në kërkesa të dilnim qartë me kërkesën për pluralizëm politik. Është bërë një diskutim me Tefalin Malshytin në atë moment. Ai tha se shumica e studentëve të  ngritur në protestë deri në atë moment, ishin nga familje komunistësh dhe kjo mund të sillte një reagim jo shumë të mirë nga ana e tyre. Pra mund të mos binin dakord.  Në fillim vendosëm të rendisnim dy a tre kërkesa që lidheshin me marrëdhënien e studentëve protestues me regjimin, kërkesa për takim me Ramiz Alinë, ishte edhe një kërkesë tjetër për shkarkimin e atyre anëtarëve të byrosë që kishin dalë kundër nesh, dhe si pikë të katër ne kemi renditur qartë dhe prerë kërkesën për pluralizëm politik. Kur po shkruanim këtë pikë e kemi renditur fillimisht me këtë tekst: kërkojmë pluralizmin e mendimit që të institucionalizohet në shkallën e tij më të lartë. Për rrjedhojë të legalizohet Shoqata e Intelektualëve të rinj, e cila të marrë pjesë me listën e vet në zgjedhjet e radhës, për Kuvendin Popullor. Ne po diskutonim këtë pikë. Kishim frikë të themi të drejtën që të rendisnim hapur fare kërkesën për pluralizëm politik, edhe pse ai tekst ishte e njëjta gjë. Një kuzhinier erdhi u afrua dhe na tha, pse nuk e shkruani qartë pluralizëm politik sepse ju e keni thënë kështu. Dhe kjo fjalë u duk sikur na dha zemër dhe e shkruajtëm shkurt dhe prerë kërkojmë pluralizëm politik si shkalla më ë lartë e demokracisë dhe vazhdon njësoj pjesa tjetër e kërkesës katër.

(Fundo, Akli, intervistë për autoren, nëntor 2013)

*Marrë nga libri “Pardesytë e bardha”

3 komente në “DOSSIER/ Dita e dytë e protestës, pedagogë e intelektualë shfaqen pranë studentëve”

  1. Big Like says:

    1 BIG LIKE PER DOSIERIN:
    http://goo.gl/nxSmkv

  2. Tcunam i Shkodrës says:

    Libri duket interesant, por mjaftojne tani pardesyte e bardha të kuptohet “shkerdhato demokracia” e Ramizit dhe atyre qe terhiqnin fijet nga pas ato ditë zhvillimesh katovicare! Protagonisteve duhet tu vije turp tani edhe sikur të kenë qene idealistë, mjafton moskuptimi se sigurimi i shtetit, krahu i Jagove te Beogradit, po bente lojën e madhe…Tu vije njemijë here turp pasi nuk kanë kuptuar se “Doktori” ishte i derguar nga KQPPSH dhe e pranuan!…E pamundur qe “Doktori” i Lugut te Zi te mos kete thene se vij nga shoku Ramiz,dikujt dhe disave! Duhet kapercyer ky 25 vjecar tragjik, teper mashtrues dhe i kontrolluar po nga komunistet, por prej atyre me kellirave, me të poshterve dhe me pisave agjenturore! Gjithshka te mos shkeputej Kosova qe zjente si vullkan per Liri!…
    Ta hedhim ne wc te historise sone kete periudhe dhe keta protogoniste te qelbur qe derdellisin pervit “dhjetorin” e tyre dhjeraman! Tanime ka tjeter PROJEKT të vertet,por teresisht te lire dhe plotsisht perendimor! “Demokraci e drejtperdrejte!”
    Italia e ka implementuar nga Revolucioni francez i nderprere,dhe po e con SOVRANIN ne parlament dhe shpejt,si besohet,në qeverisje! Mbaroi lufta e klasave,nuk ka me te majte,te djathte,socialiste,demokrate,ballistë,zogiste,demokristiane, te gjithe sharlatanë!…Ka vetem qytetare qe duan Mirqenie,pune,dinjitet,barazi para ligjit! Ti shkaterrojme partite politike vanda korrupsioni me njesha gjer kriminale si Berisha!…Njesha jemi ne!…Ne duhet te propozojme e zgjedhim gjer presidentin!Klubet ne lagje dhe diskutimet ne internet,shtepia jone! Pa kuota,pa kryetare,sekretare,organizata,seksione,Levizja shqiptare 5 yjet,simoter e M5S italiane!…Ti vet je ai që duhet te jetë!Vepro,krijo,kundershto te keqen e vetes dhe te atij qe ke prane! Pardesybardhet shkaterruan Shqiperine,cuan vendin ne varferi e lufte civile,mijra shqiptare i lane pa vende pune! Ti percjellim me shqelma bytheve ne shtepi gjate vitit 2014 dhe te korruptuaret e inkriminuaret ne GIJOTINEN e ligjit! Asnje financim shteti bandave partiake qe vjedhin xhepat tane! Per turp miratuan me ligj financimet partiake kur Italia ne parlament,ne saje të M5S i hoqi! Perse ndryshe,duhet pyetur kryeministri i zgjedhur nga partia bande,Edi Rama;perse duhet pyetur kryetari i kuvendit i partise po bande partiake,Ilir Meta? Perse nuk folet e nuk denoncuat do pyetur i inkriminuari i pandeshkuar kryetar de fakto i PD,Berisha? Eshte koha per reflektim edhe keto dite fundviti ku shume familje nuk kane gjel deti mbi tryeze,nuk kane vend pune,nuk kane siguri se neser do punojne! Të gjithe duhet te urrejme pardesybardhet dhe ndjejme pergjegjesine e mashtrimit,shkaterrimit te madh epokal! Te gjithe duhet te therresim:”Kjo klase politike të largohet e shkoje ne shtepi! Ne Gijotinen e ligjit te korruptuaret! Ne mundemi! Duhet te lire te veshtrojme pertej se sotmes mizerabile! Oltre!Pertej!Oltre!Pertej!Ne jemi e ardhmja!…

  3. Alban Dardani says:

    — Ky liber, krahas shume botimeve me perpara apo me pas tij, mbas shume e shume vitesh do tu sherbeje historianeve , studjuseve etj.. si pika referuse per ate perudhe.

    — Nuk mar persiper te vleresoj vertetesin ose jo persa thuhet e shkruhet. Por, te pakten ne emrat e njerzve dhe te datave mendoj se duhet te jemi te sakte, aq me mire qe njerzit jane akoma gjalle, sado te stisura e te ritushuara te perdoren veprimet e qendrimet ne ate kohe, keshtu p.sh.: 1– Mendoj se emri POBERT KOTE mbase duhet te jete Rpbert Koli, une keshtu e mbaj mend. Ose e ka ndrushuar athere per ti ngjare Helmut Kolit ose ja kane ndryshuar tani per te humbur gjurmet se mund ti prishet ndonje pune aktualisht.

    — Ne interviste me EDI RAMEN ,autore librit e radhit artikullin e YLLI POPES mbas ngjarjeve te 2 korrikut(ambasadave). -Nuk eshte e sakte. Ai eshte botuar ne Z.P ne dt.28 dhe 29 prill 1990(dite e shtune dhe e djele). Ramiz ALIA filloi qe ato dite viziten (testin amortizues)NE JUG TE SHQIPERIS (Korce, Kolonje, Permet,GJIROKASTER …)
    Per mua ai shkrim ishte perla e perlave, ishte sinjali me i zeshem per FILLIMIN e “MESYMJES” drejt nje rruge pa kthim. A shkrim vinte pas ideve pe “mekanizmin ekonomik”. per aplikimin praktik te disa elementeve per “Ekonomin e Tregut” etj, pas disa ngjarjeve tubuse “ekstremiste” per kohen si ne Skoder, Kavaje(ndeshja me dinamon) etj.., pas disa Zera “bilbilash”qe vinin nga jasht, hapur apo te koduar ne emisionet e cdo mbrenjeje.- Mbas ketij shkrimi POPA nuk shkruajti me per disa muaj.Por dhe kur shkruajti jo me me ate force e nivel. Cka personalisht u binda se aty nuk ishin idet e TIJ por kryesisht te ALIS,FOTOS,ELEZIT…..ETJ,..
    — Pas atij shkrimi, pasuan disa shkrime ne “DRITA” , ku Kadare ne fund te Majit …shkruante “..cjane keto plehurina qe kundervihen……”
    — Ne Qershor, ku bllokimi ekonomik,paknaqsia,papunesia dhe shpresa per permiresim po shuheshin u nxiten, “testuan” futja e nje grupi te vogel ne ambasaden Turke,(jo pqa qellim, kryeministri CARCANI nje jave me vone vizitonte TURQIN).Ky grup ,pas nje “rezistence” te qeveris jo vetem u pais shpejt me pashaporta nderkombtare, por u akomodua (“izoluan”) per disa dite ne hotel ARBERIA ,nga dritaret na treganin pashaportat,
    –Jo me shume se 2 jave pas tyre erdhen ngjarjet e 2 KORRIKUT. Ngjarje qe vrane KACANIKUN, “KOSOVA REPUBLIK”. (Sperjashtohet mundesija per lojra te dyfishta agjenturore)
    — Nga fundi gushtit (apo shtator)RAM ALIA mbledh INTELEKTUALET (ishte testim,provokim,prezantim figurash,pergatitje opinioni apo perzgjedhje e shtabit per pluralizem politik e di AI dhe ATA (qe skane folur akoma)
    — Dihet me vone “shtimi i te drejtave te studimit” ne universitete,.. “ARRATISJA- KADARE”….,Data 8 Dhjetor(“8 Nentori”)i ndryshuar etj…

    — “Belul Gjeraqinqt” le ti bejne qejfin njeri tjetrit. Ne fund te fundit, memir e te shkruhet qofte dhe me pa saktesi se sa te heshtet.

    Alban Dardani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje