Kuvendi nis nesër sesionin e ri parlamentar, Reforma Territoriale përballja e parë

19 Janar 2014, 11:04Politika TEMA

Kuvendi i Shqipërisë do të nisë nesër punimet në seancën plenare të parë për sesionin e ri parlamentar. Pak ditë më parë Konferenca e Kryetarëve ka miratuar kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 20 janar-6 shkurt, ku përfshihet edhe ngritja e komisionit parlamentar bipartisan për Reformën Territoriale. Kjo pritet të jetë edhe cështja e parë e debatueshme mes mazhorancës qeverisëse, e cila ka paraqitur draftin e saj, dhe opozitës, e cila kërkoi kohë për tu njohur me propozimet e Partisë Socialiste. Por duket se konsensusi mes palëve është i largët, kjo edhe për faktin se mënyra sesi konceptohet Reforma Territoriale shihet në mënyra krejt të ndryshme. Demokratët e lidhin miratimin e një reforme të tillë me ndërhyrjet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor, pasi ndryshimet që pritet të ndodhin në organizimin e strukturave vendore, do të ndryshojnë edhe zonat elektorale. Por për mazhorancën cështja nuk është politike dhe nuk ka të bëjë me bastionet zgjedhore të njërës apo tjetrës forcë politike.   Reforma e propozuar nga Qeveria parashikon përgjysmin e komunave me rreth 50 %, ndërsa debatet kanë përfshirë grupet e interest dhe donatorët. Ndërkohë një tjetër cështje që është konsideruar si prioritare nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në këtë sesion është reforma në drejtësi, ndërsa deri në Qershor palët politike duhet të bashkëpunojnë mes tyre, për të dhënë edhe një sinjal ndaj Brukselit në lidhje me statusin e vendit kandidat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje