Kuvendi ka shqyrtuar dhe miratuar gjatë seancës plenare edhe Aktin Normativ “Për disa ndryshime në ligjin nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar”. Akti normativ parashikon një shtesë fondesh prej 4.9 miliardë lekësh, nga të cilat Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i alokohet fondi prej 1.9 miliardë lekësh në programin buxhetor “Mbrojtja sociale” me qëllim kryerjen e pagesës së PAK- dhe ndihmës ekonomike për muajin dhjetor. Ndërsa Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës i shtohen 3 miliardë lekë në programin buxhetor “Transporti rrugor”. Deputeti Ervin Koçi tha se ndryshimet e buxhetit përmes aktit normativ erdhën si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit deri në fund të vitit 2013. Koci sqaroi se Akti Normativ bëri të mundur që shteti të ofronte shërbimet bazë.
Deputeti Anastas Angjeli tha se Akti Normativ plotëson të gjitha kushtet si në aspektin ligjor, ashtu edhe në aspektin e përgjegjshmërisë. Qeveria përmes nëj Akti Normativ kreu rishikimin e buxhetit të vitit 2013, duke ulur nivelin e të ardhurave të parashikuara për t’u mbledhur deri në fund të vitit 2013. Por, gjatë tremujorit të fundit, tatimet dhe doganat rriten performancën e tyre në mbledhjen e të ardhurave, duke bërë që qeveria ta rishikonte sërish buxhetin përmes një tjetër akti normativ.