Financat, udhëzim për buxhetin: Jo ndryshime që sjellin efekte financiare shtesë

1 Shkurt 2014, 12:03Ekonomia TEMA
Financat, udhëzim për buxhetin: Jo ndryshime që sjellin efekte

Zbatimi i buxhetit të vitit 2014 nga institucionet publike do t’i nënshtrohet një disipline të rreptë.

Ministria e Financave, përmes një udhëzimi, detajon procedurat e zbatimit të buxhetit të këtij viti.

Kështu, institucionet publike nuk do të mund të bëjnë ndryshime në personel që mund të sjellin efekte financiare shtesë.

Po ashtu, në udhëzim përcaktohet se institucionet nuk do të realizojnë asnjë investim të ri, të papërcaktuar në buxhet, pa marrë më parë miratimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Nga ana tjetër, edhe Agjencia e Prokurimeve nuk do të realizojë asnjë prokurim për rastet kur urdhri i prokurimit është i pambuluar me fonde buxhetore.

Në këtë rast, udhëzimi përcakton se Agjencia e Prokurimeve nuk fillon procedurën zyrtare të prokurimit, pa pasur më parë një miratim të degës përkatëse të thesarit.

Ministria e Financave do të zhvillojë një sondazh çdo tre muaj te ministritë kryesore, nëse ka detyrime financiare të krijuara rishtas dhe të papaguara në kohë, për të përcaktuar pagesat e reja të kërkueshme që rrjedhin nga faturat ose pretendimet e marra pas datës 1 Janar 2014.

Lidhur me transfertën e pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore, ajo do të kryhet në 4 faza, ku çelet 35% në tremujorin e parë, 20% në tremujorin e dytë, 20% në tremujorin e tretë dhe 25% në tremujorin e katërt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje