Shqipëria me arna

29 Janar 2014, 11:40Ekonomia TEMA

RAPORTI I KLSH/ Një radiografi e ashpër e katrahurës financiare e ligjore në strukturën gjigande të pushtetit lokal në Shqipëri. Institucioni i kontrollit të shtetit i vendos notë jo-kaluese zyrtarëve vendorë. 464 masa administrative propozohen nga KLSH për 25 bashki në të gjithë vendin. Vetëm në Durrës paditen 12 punonjës për shpërdorim penal

Nga Lorenc Vangjeli

 

Ka nisur pothuaj 20 vjet më parë. Kronikat e kohës së nëntorit të vitit të largët 1994 tregojnë ish-presidentin Berisha në mitingjet për projektkushtetutën duke folur nga njëri skaj në tjetrin të vendit. Dhe në mbyllje të tyre, si në një skenar të porositur, përballë njerëzish që duartrokisnin me entuziazëm, por që do të ndëshkonin me votë ditë më pas, Berisha premtonte: ta gëzoni bashkinë e re!

Zakonisht bëhej fjalë për një qendër të vogël banimi, me disa qindra banorë, statusi i të cilës ndryshonte si me magji. Dy – tre fshatra bëheshin komunë dhe ca pak banorë më shumë, i jepnin komunës emrin tingëllues bashki. Në pamje të parë dukej se nuk ndryshonte asgjë, por ajo dardhë e pjekur e dikurshme kishte plot bishta prapa. Bashkia donte kryetar, kryetari staf punonjësish, fonde për shpenzime dhe natyrisht kompetenca edhe mbi territorin. Rezultati nisi të dukej pak nga pak. Individë anonimë provincash me një pushtet të papritur në duar, bënin si dinin. Dhe dinin pak dhe domethënë bënë shumë keq. Harta administrative e Shqipërisë u shndërrua si një kostum plot arna, ku secili që vinte e shkonte, shtonte një arnë të re. Të plotfuqishmit e feudeve të vogla dhe ineficente që u krijuan, diku lëshonin leje ndërtimi, diku tjetër silleshin me pronën shtetërore si me një dhuratë lotoje dhe për më shumë, të paktën dy herë në katër vjet, në zgjedhje të përgjithshme dhe ato lokale, bëheshin shumë të rëndësishëm për numrat e votimit, shpesh edhe duke ndikuar fort mbi to. Për të qëndruar vetëm tek lejet e ndërtimit, mjafton të shihen rrethinat e Tiranës apo komunat bregdetare, ku si rregull, të zgjedhurit lokalë kanë disa mandate rresht, për të parë një batërdi lufte urbane.

U krijua një situatë të cilën gjithkush e njihte, por pak kush e merrte iniciativën për të ndërhyrë. 20 vjet më pas, kryesisht paratë dhe përdorimi i tyre, e bënë situatën emergjente dhe nevojën për të ndërhyrë në të, urgjente. Censusi i fundit dëshmi se absurdi kishte shkuar në limit. Ekzistonin dhe komuna me deri 300 banorë, të cilët shfaqeshin aty vetëm ditën e votimit, kurse kryetari jetonte natyrisht në qytet. Çelësi për ndryshim- një këshillë si përherë edhe nga partnerët ndërkombëtarë – është ndarja e re administrative. Mënyra, ngritja e një komisioni bipartizan në Kuvend për studimin e situatës. Metodologjia, konsensus i plotë dhe dhënia e çdo garancie për opozitën se reforma do të jetë teknike, pavarësisht ngarkesës së jashtëzakonshme politike të saj.

 

Rinis sherri

Edhe njëherë si përherë. Kësaj here ishte radha e reformës administrative territoriale të vendit. Edhe pse të gjitha palët politike bien dakord për nevojën e një ndarjeje të re administrative të vendit, sërish çfarë i ndan ato në kuptimin e mosbesimit të thellë mes njëra-tjetrës, i vendos ato sërish në llogoret e luftës.

Lulzim Basha thotë se uron që dy partitë kryesore në pushtet: “… ta shikojnë reformën administrative dhe ndikimin që ajo ka si një mundësi të artë që të vendosin konsensusin. Reforma nuk është thjesht një vizatim në hartën e Shqipërisë, por ka impakt tek demokracia, e deri tek akti i fundit të jetë konsensuale. Një konsensus i gjerë politik mes maxhorancës dhe opozitës”.

Sipas kryetarit të opozitës: “Opozita ka vullnet për të marrë dhe plotësuar të gjitha detyrimet e saj në raport me reformat e vendit, me një dhe vetëm një parim, konsensus dhe rivendosje të konsensusit. Maxhoranca të japë konsensus dhe të sigurojë që këtë konsensus nuk do ta përdhosë”.

Mosbesimi i thellë që vjen nga opozita ka të bëjë kryesisht me rrjedhojën politike që do të ketë nesër një reformë e tillë, duke nisur që me rrudhjen e ushtrisë së panumërt të të zgjedhurve lokalë, që janë dhe detashmenti i parë dhe kryesor në betejën për zgjedhjet politike në vend.

Kryetari i Kuvendit ndan opinion krejt të kundërt. Duke nisur që me daljen e tij të parë publike në fillim të muajit, Meta nënvizoi reformën territoriale administrative si një nga dy reformat themelore me një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin duke kërkuar që ajo të realizohet në kushtet e gjithëpërfshirjes dhe konsensusit sa më të gjerë të mundshëm dhe me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj. Të mërkurën, mbas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve tha se: “Vendi, sot ka të njëjtën  ndarje administrative- territoriale, sikurse e ka pasur 20 vjet më parë, ndërkohë që lëvizjet demografike kanë qenë të jashtëzakonshme dhe kjo nuk reflektohet në strukturën administrative aktuale dhe kapacitetet që duhet të ketë pushteti vendor për t’i shërbyer qytetarëve. Është për të ardhur keq që edhe pas kaq ditësh nuk u arrit konsensusi jo për përmbajtjen e projektvendimit dhe as për mosdakordësinë për reformën administrative- territoriale, por për arsye dhe pretendime të tjera të karakterit politik nga ana e opozitës”.

Edhe Gramoz Ruçi, kryetar i grupit të PS ka të njëjtin opinion duke nënvizuar sidomos rëndësinë e konsensusit mes pozitës dhe opozitës: “Në nismën tonë parashikojmë tre elementë tepër të rëndësishëm: përbërje të barabartë; mbledhje të ndershme të komisionit me shumicë dhe me domosdoshmëri me praninë e opozitës dhe shumicë të cilësuar që do të thotë 50 plus 1, që do të thotë prani e opozitës dhe veto të saj nga dakordësia e dy bashkëkryetarëve. Kur janë këta elementë s’ka sesi të merret vendim, ndryshe vendimet quhen të paqena”.

 

Raporti i KLSH-së

Sepse është vonë. “Nuk ka më kohë për të humbur kohë”, thotë Meta. Ndër të tjera, një studim i gjerë i bërë nga KLSH, i tetorit të vitit të kaluar dhe janarit të këtij viti, dëshmon një sërë problematikash, kryesisht financiare dhe organizative që kanë të bëjnë me ndarjen aktuale administrative. Sipas tij, shumica e njësive të qeverisjes vendore nuk sigurojnë pothuaj asnjë të ardhur apo minimum të ardhurash nga veprimtaria e tyre. Dhe mbi të gjitha, ato nuk reflektojnë as numrin e popullsisë dhe as lëvizjet e saj emigratore e imigratore të evidentuara dhe në censusin e fundit.

Në raportin voluminoz të raportit të kontrollit të shtetit thuhet se copëzimi i ndarjes administrative territoriale ka sjellë dhe fragmentarizimin e buxhetit të shtetit, pronave, investimeve, burimeve financiare, burimeve njerëzore dhe natyrore, por dhe të shërbimeve publike.

Shumë nga njësitë vendore e kanë të pamundur të realizojnë qoftë dhe investime minimale në territorin e tyre për shkak të mungesës së fondeve dhe janë tërësisht të variuara nga fondet shtetërore. Në një pjesë të madhe të tyre, ato nuk sigurojnë asnjë të ardhur dhe veprimtaria e vetme financiare është pagesa e pagave të të zgjedhurve dhe stafit lokal.

Numri i popullsisë për njësi është një tjetër tregues që nuk është marrë parasysh. Rreth 30 për qind e bashkive, kanë më pak se 10 mijë banorë. Gati gjysma e komunave kanë një popullsi prej më pak se 5 mijë banorësh.

Praktikat evropiane parashohin dhe raportin e punonjësve për çdo një mijë banorë të njësisë vendore. Niveli maksimal i këtij raporti është deri në dy punonjës për një mijë banorë. Në tre qarqe, ky raport shkon përkatësisht, në Tiranë, dy, në Berat, 2.7 dhe në Kukës 5.5 punonjës për një mijë banorë.

Ky raport duhet të ndryshojë sepse shumica e njësive me rreth 5 mijë banorë e kanë të përkeqësuar këtë raport. Rezulton se duhet të shihet mundësia për kalimin minimal të 10 mijë banorëve për komuna dhe 15 mijë banorë për bashkitë.

I rëndësishëm është dhe raporti mes shpenzimeve administrative ndaj totalit të shpenzimeve. Ky raport llogaritet mes totalit të shumës aritmetike të fondit të pagave të administratës, sigurimeve shoqërore dhe shpenzimeve administrative ndaj totalit të shpenzimeve. Raporti maksimal nuk duhet të kalojë nivelin e 30 deri në 35 për qind. Mbi këtë nivel, ai raport bëhet inefektiv.

Çfarë do të ndodhë nesër me ketë reformë. Është e lehtë të vihet bast se kjo reformë do të bëhet kalë beteje për ndeshjet e ardhshme politike të stinës. Edhe pse të gjithë e pranojnë se praktika, një vulë, një kryetar dhe asnjë banor, është vetëm një trashëgimi e keqe që i bën dëm edhe vulës, edhe banorit. Fiton vetëm kryetari. Do të vazhdojë vendi të mbetet ende peng i tyre?

10 komente në “Shqipëria me arna”

  1. loni says:

    cfare i bere ketij vendi mor malok i turpshem,e shkaterrove komplet per interesin tend,po paske qene i betuari zogut mor klysh kurve qe e paske urryer kaq shume ate vend qe te dha krenarine dhe te beri doktor dhe te zgjodhi ne krye te shtetit,sa e paske urryer mor tradhetare,nuk kam me cfare te them per kete fare te keqe,mallkimi i shqiptareve te dale atje ku te dhemb me shume mor tradhetar malsie shkaterruesi me themel te shqiperise.mallkimi eshte pak per ty o sali berisha.

    1. genci says:

      e shkaterroi the? e ka lene ne nje gjendje deprimimi total! nuk e di si do ja dilet po shpresoj te ecet me keto hapa ndryshimi! duhet reforme ne drejtesi!

    2. Aba says:

      o Zyratret e Berishes e shkatrruat Shqiperine dhe tani doni llogari nga qeveria e re! Turp te keni! PO mesa duket ju se ditkeni c’qenka turpi!

  2. Lom Deliu says:

    Lenco ! a e di ti se “Bashki” eshte perkthimi I fjales “komunë” ? Njesojeni e doni shqip a taljonçe por vetem nje emertim.
    Jashte komunat (pra dhe “bashkite”) kane mbi 5000 banore, perjashto ato malore. dhe sidoqofte merret dhe mendimi I banoreve, sigurisht pasi ju thuhen perfitimet dhe kufijt e ndihmes nga shteti.

    Duhet njeherazi ndryshuar dhe ligji zgjedhjeve qe te shmangi pazaret me qarqe e tjera pralla jo demokratike si listat e mbyllura dhe te futet korrektimi kombetar.

    1. zxyv anticensurë says:

      arbëreshët e kalabrisë tek zyrat vëndore e shkruajnë si komunë dhe bashki!
      tek ata shqipja është IN,tek ne është OUT!
      tekne nuk ka më të mitur por vetëm minorenë e kështu me rradhë!!
      janë këta gazetarët e zgjuar që po na kërdhejnë gjuhën me rrënjë!!
      politikanët skan faj,75% debila pjesa tjetër antishqiptar!!

    2. Aba says:

      o Zyratret e Berishes e shkatrruat Shqiperine dhe tani doni llogari nga qeveria e re! Turp te keni! PO mesa duket ju se ditkeni c’qenka turpi!

  3. popull says:

    paska fol ky i kuqi i lyer me roze

  4. tabakjerja says:

    Nuk mund te jete thjesht nje dashakeqesi e nje njeriu te vetem, eshte zbatimi i nje programi strategjik shkaterrimtar per Shqiperine. Tashme e dime se Sali berisha eshte perzgjedhur prej kohesh dhe e ka pranuar misionin qe i eshte dhene per te shkaterruar cdo qelize te ketij vendi. E ka kry me sukses dhe do vazhdoje deri ne fund.
    DHE YJET RRINE E VESHTROJNE!

  5. Altin says:

    te http://www.shtetiweb.org e kane bere nje ndarje me duket

  6. Billy says:

    Kush i ka ndjekur zgjedhjet vendore dhe ka analizuar nivelin intelektual dhe arsimor te kryetareve te komunave, ka aritur ne perfundimin se qe te behesh kryetar komune duhet:
    1-Te jesh trim (rrugaç)
    2-Te jesh mafioz;
    3-Te kesh pare.
    Niveli i shumices se kryetareve te komunave te sotme eshte te vesh duart ne koke. Ata nuk njohin ligjet e shtetit dhe nuk arrijne ti kuptojne ato. Mjere ndonje punonjes qe perpiqet te zbatoje ligjin se cfare heq nga keta kryetare. Injorante , po injorante ama. Me tete klase, ose shkolle te mesme nate, sigurisht me dy universitete private, keta jane kthyer ne bejlere apo kapedane te zones ku jane zgjedhur.
    Duhet nje ndryshim rrenjesor edhe i kodit zgjedhor, per te penguar zgjedhjen e kryetareve te tille te tipit Xhelal Mziu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje