Një zjarr përfshiu mbrëmjen e djeshme mjedise të burgut të Rrogozhinës, ndërsa të paktën 17 të burgosur janë asfiksuar nga tymi. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Mësohet se fillimisht flakët kanë përfshirë dhomën ku të burgosurit zhvillojnë takimet me familjarët.
Marios Habili mësohet se është në gjendje më të rëndë dhe ndodhet në repartin e djegieve në Tiranë në QSUT, ndërsa një tjetër i dënuar sërish me dëmtime më të rënda krahasuar me 15 të burgosurit e tjerë që janë në gjendje të mirë shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën, ndodhet në spitalin e Durrësit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrfikëse nga Tirana dhe Kavaja, të cilat brenda një kohe të shkurtër kanë mundur të vënë në kontroll situatën, duke shmangur çdo tragjedi të mundshme.
Policia e Kavajës dhe FNSH-ja e Fierit kanë grupuar të burgosurit në një pavijon të vetëm, ku dhe po mbahen nën masa të rrepta sigurie.
Nga ana e policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Burime nga policia bëjnë me dije se nga hetimet kanë treguar se zjarri është i qëllimshëm dhe është vënë nda dy të paraburgosur. Dy zjarrvënësit janë identifikuar nga policia dhe janë Ledion Gjoka i akuzuar për vjedhje dhe Jurgen Muçelliu, i cili ndodhet nën masën arrest me burg për armëmbajtje pa leje.