Shkarkimi i kreut të ILDKP/ Debate në Kuvend. PD: Po shkelni Kushtetutën. Reagojnë Xhafaj dhe Meta (VIDEO)

20 Shkurt 2014, 12:08Politika TEMA

Kuvendi u përfshi nga debatet gjatë seancës plenare për shkak të përfshirjes në rendin e ditës të punimeve të kërkesës së Komisionit parlamentar të Ligjeve për shkarkimin e Zana Xhuka nga posti i Kryetares së ILDKP-së.

Opozita akuzoi Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta se ka shkelur Rregulloren e Kuvendit duke futur në rendin e ditës jashtë çdo procedure shkarkimin e Kryetarit të ILDKP-së.

Por, Kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj u shpreh se çështja nuk ka të bëjë me shkarkimin e Zana Xhukës, por me procedurën sesi u veprua nga Kuvendi për emërimin e saj në krye të ILDKP-së duke mos konsumuar plotësisht dekretin e Presidentit të Republikës.

“Kjo zonjë sfidoi Kuvendin, duke mos u paraqitur në asnjë nga seancat që i është kërkuar qoftë nga grupi i kontrollit ashtu edhe nga Komisioni i Ligjeve. Kjo zonjë nuk dha asnjë sqarim sepse nuk u paraqit megjithëse iu bënë mbi 3 ftesa. Atëherë unë po ju pyes me kë jeni Ju me këtë zonjën, me Kuvendin apo me autoritetin e deputetëve? Ne s’mund që për hir të lidhjeve që keni Ju me zonjën në fjalë, të heshtim. Koha juaj ka përfunduar”, iu drejtua Xhafa opozitës.

Opozita

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka ndërsa morri fjalën për procedurë theksoi se në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit,  por edhe me Kushtetutën është futur në rendin e ditë shkarkimi i Kryetares së ILDKP.

“Është një procedurë që ka nisur me shkelje ligjore dhe Kushtetuese nga Ju, si Kryetar i Kuvendit,  dhe Komisioni i Ligjeve, i cili është kthyer në komisionin e shkeljes së Kushtetutës. Por sot ju jeni përgjegjës për futjen në rendin e ditës e këtij akti, duke mos respektuar asnjë nga forumet drejtuese të Kuvendit.  Shqetësimin tonë ua kam shprehur me shpresën se juve ua kanë servirur, por sot e keni futur sërisht në rendin e ditës. Ju z. Kryetar nuk mblodhët Konferencën e Kryetarëve, e cila  përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim dhe në rast se kërkohet nga një kryetar Grupi, edhe kohën e debatit. Madje parashikohet që personi që do të shkarkohet t’i jepet mundësia të flasë edhe në seancë jo më shumë se 50 minuta. Kjo që po bëni ju nuk ka ndodhur as në gjyqet e Enver Hoxhës. Dhe ajo që është një skandal, që ne e mësojmë sot, përmes një letre pacavure, nuk kërkohet thjesht shkarkimi i Zana Xhukës, por kërkohet të bllokohet dekreti i parë i Presidentit”, theksoi Paloka

Ish-Kryeministri Sali Berisha e cilësoi si një ndër provokacionet më të ulëta futjen në rendin e ditës të një kërkese pa u konsultuar me Konferencën e Kryetarëve.

“Po e trajtoni Kuvendin sikur është pronë e Ilir Metës dhe Edi Ramës. Fusni jashtë cdo lloj rregulli një cështje mjaft të rëndësishme, sic është shkarkimi i kreut të ILDKP. Por pse kërkoni Ju shkarkimin e Kryetares së ILDKP-së? E kërkoni sepse zonja Xhuka i ka dërguar zonjës Basha dhe zotit Rama një letër-kërkesë që të paraqiten konform ligjeve të shtetit dhe të deklarojnë pasuritë. Letra që i ktheu kryekreu është një turp, një shantash dhe si një i sëmurë psikik sapo erdhi në pushtet iu vërsul me tërbim për ta asgjesuar nga detyra që mban. Ky nuk është më Parlament dhe ne na lind e drejta të ndërmarrim cdo veprim. Ky parlament po përdoret në mbrojtje të interesave të trafikantëve, pastrimit të parave të pista. Ilir Meta, ju drejtoni një parti që ka fjalën integrim brenda, por në të vërtetë Ju po faktoni se jeni partia e disintegrimit.  Po ju them këtu se po kakrifikoni statusin e vendit kandidat,  për  interesa të tjera. Në BE nuk ka asnjë qëndrim armiqësor ndaj nesh, por ajo që kërkohet janë standardet dhe më miq janë ato që kërkojnë standardet sesa ato që japin dëshmi të rreme. Standardet kufizojnë pushtetin e kryekreut, kryetarit të Parlamentit, por ju doni ti kini të gjitha në një dorë”, theksoi Berisha.

Reagimi i mazhorancës

Përballë akuzave të opozitës, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka pranuar se ka ndodhur një skandal në lidhje me cështjen në fjalë, por sipas tij fillesa e skandalit daton mbi një vit më parë kur Kuvendi nuk konsumoi dekretim e Presidentit të republikës.

“Presidenti i republikës i propozoi Kuvendit dy kandidatë për postin e Kryetarit të ILDKP-së, por ju në atë kohë votuat vetëm një emër, dhe unë pavarësisht se isha në koalicion me ju e kundërshtova dhe s’kam votuar. Ju votuat vetëm kandidaturën e Zana Xhukës, ndërkohë që kandidatin tjetër nuk e votuat”, iu drejtua Meta deputetëve të opozitës. Ndërkohë Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Gramoz Ruci në reagimin e tij kërkoi zbatimin e Rregullores së Kuvendit.

“Nëse do të kishim thjesht një shkarkim të kryetarit të ILDKP  jam dakort me ato që tha kreu i grupit parlamentar të PD-së. Por nëse i referohemi rendit të ditës, s’ka lidhje fare me atë cka thotë z.Paloka. Nëse i referohemi vendimit të Komisionit të Ligjeve, s’ka lidhje fare me nenin 115 të Rregullores së Kuvendit. Ajo që ka të bëjë në këtë rast është fakti se dekreti i Presidentit të Republikës nuk është konsumuar dhe në kohën që ju ishit në mazhorancë shkelët të drejtën e kandidatit”, theksoi Ruçi.

4 komente në “Shkarkimi i kreut të ILDKP/ Debate në Kuvend. PD: Po shkelni Kushtetutën. Reagojnë Xhafaj dhe Meta (VIDEO)”

  1. Albani says:

    Shkarkoni te gjithe ata qe ishin dje me saliun. jane te gjithe te zhytur ne hajduteri e marrezi

  2. Tigri 14 says:

    Kushtetuta shkilet po te lesh keta rob te paskurpullt ne pushtet.. Bravo qeveria

  3. ali1 says:

    Po ishte PD dhe Sala ne pushtet shkarkoheshin cdo minut me dhjetra e qindra punonjes te administrates
    pa as me te voglin argumentim dhe ligji ishte vetem Saliserb diktatori !
    PD ,sic po e shikojme ne parlament duhet te dalen jasht ligjit dhe te damkoset si banda hajdutesh dhe
    vrasesish !

  4. I Paanshem says:

    Ja lumsha qeverise dhe Edi Rames, qeroji qelbesirat nje sekonde e me pare.Banda e saliut duhet te zhduket. Fillimi i mbare gjysma e punes, vazhdoni se i erdhi radha klsh, hiqeni ate surrat te shemtuar leckaj qe po e shkaterron ate institucion. Po sillet ne menyre harbute me punonjesit, po puneson pa kritere te gjithe njerezit e saliut, te ben imamit, te kac islamit etj etj.Te njejtin kriter qe nuk e ploteson kjo zana xhuka ate qe nuk ka 10 vjet ne profesion si financiere po ate nuk e ploteson edhe ky leckaj. Me kembe te mbare o Zana xhuka, i terheqsh nga pas te gjithe keta njerez duke filluar nga leckaj qe eshte me i korruptuari e duke vazhduar me tej me te tjeret. Bravo e madhe qeverise se rilindjes, respekte

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje