Borxhi i qeverisë ndaj biznesit, rriti kreditë e këqia në banka. U degraduan investimet

22 Shkurt 2014, 19:31Politika TEMA

Një pjesë e rritjes së huave të këqija në sektorin bankar në disa prej viteve të fundit mund t’u atribuohet detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Kjo përcaktohet në strategjinë e qeverisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit. Por gjithashtu dokumenti konkludon se si rezultat i borxheve apo mospagesave nga Qeveria, investimet u degraduan. Në dokument theksohet se dhënia e shërbimeve publike në disa raste është ndalur plotësisht pasi furnitorët kanë ndërprerë zbatimin e ndërtimit në projektet e investimeve për shkak të mospagesave, duke rezultuar në degradimin e disa investimeve, veçanërisht në sektorin rrugor. Në rastet e vonesave të pagesave të asistencës sociale ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, të cilat vuajnë si pasojë e vonesave në pagesat e përfitimeve. “Zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie për eliminimin e pjesës së detyrimeve të prapambetura dhe ndërmarrja e masave për të parandaluar akumulimin e mëtejshëm në të ardhmen do të jetë një hap i rëndësishëm i përpjekjeve të qeverisë për të rikthyer ekonominë te një rritje e fuqishme në të mirë të të gjithë qytetarëve brenda një periudhe afatmesme dhe afatgjatë, si dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re partneriteti. Seksionet e mëposhtme të këtij dokumenti e shtjellojnë këtë strategji”, vlerësohet në dokumentin e qeverisë.

Llogaritja e borxheve

Në shtator 2013, Qeveria filloi vlerësimin e detyrimeve financiare të pashlyera me qëllim shlyerjen e tyre në një kohë sa më të shpejtë. Fillimisht në muajin tetor 2013 u kontraktua një shoqëri e pavarur për të ndërmarrë një proces kontrolli dhe për të nxjerrë gjendjen përfundimtare në lidhje me kontratat qeveritare të pashlyera deri në fund të gushtit 2013. Detyrimet e prapambetura kontraktuale për investime, të identifikuara për institucionet e qeverisë qendrore, duke shtuar edhe pretendime të sipërmarrjeve, të cilat kërkojnë kontrolle të mëtejshme, vlerësohen të arrijnë 24.6 miliardë lekë. Këto vlerësohen të jenë vetëm një kategori e detyrimeve financiare të prapambetura. Detyrime të prapambetura janë identifikuar dhe në ndërmarrjet shtetërore të shërbimeve publike, ndaj subjekteve tatimpaguesve në procesin e rimbursimit të TVSH-së dhe tatim-fitimit, detyrime të krijuara si pasojë e vendimeve gjyqësore. Nga vlerësimet paraprake, detyrimet e përgjithshme financiare të prapambetura të qeverisjes qendrore deri në dhjetor 2013 parashikohen të jenë afërsisht 72.6 miliardë lekë ose 5.3 për qind e PBB-së. Kjo shifër do të jetë subjekt i verifikimeve të mëtejshme gjatë procesit të shlyerjes së detyrimeve. Përveç këtyre detyrimeve të prapambetura, mund të ketë edhe detyrime të tjera të konsiderueshme të prapambetura në sektorin më të gjerë publik, duke përfshirë ndërmarrjet shtetërore në sektorin e energjisë. Pjesa e pashlyer e vlerësuar e pretendimeve financiare kundrejt qeverisë do të përditësohet për gjendjen që rezulton në datën 31 dhjetor 2013 dhe do të konfirmohet nëpërmjet një procesi verifikimi që do të kryhet nga titullarët e ministrive të linjës dhe krerët e njësive të tjera qendrore, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Financave. Gjithashtu, në këtë document strategjik jepet plani i veprimit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Ndikimi i detyrimeve financiare të prapambetura në ekonominë shqiptare

Dëmi në ekonomi

Strategjia për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit përcakton se paaftësia e një qeverie për të paguar detyrimet e saj financiare, brenda një kohe të shpejtë pasi ato bëhen të kërkueshme, dhe si pasojë dhe akumulimi i një mase të madhe të detyrimeve financiare të prapambetura i shkakton dëm ekonomisë. Sipas dokumentit, ndikimet përfshijnë ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e papunësisë, për sa kohë bizneset e varura nga kontratat qeveritare pushojnë ose shtyjnë aktivitetin e tyre si rezultat i vonesave në pagesa ose vështirësive në mundësinë e kredive nga bankat tregtare. Shlyerjet e huave kundrejt bankave mund të vuajnë nëse likuiditeti kufizohet si rezultat i rritjes së detyrimeve të prapambetura. Ndikimet mbi likuiditetin në treg mund të jenë gjithashtu të ashpra. Këta faktorë mund të rezultojnë në një ndikim dëmtues mbi kërkesën e përgjithshme dhe mund të kufizojnë aftësinë e qeverisë në përdorimin e politikës fiskale si një mjet për stabilizimin makroekonomik. Nëse furnitorët e qeverisë marrin parasysh mundësinë e vonesave të gjata në marrjen e pagesave, ata mund të përpiqen të ulin riskun dhe koston shtesë të pagesave të vonuara duke rritur përkatësisht çmimet e tyre, duke detyruar kështu qeverinë të paguajë çmimet mbi tregun për shërbimet e ofruara.

6 komente në “Borxhi i qeverisë ndaj biznesit, rriti kreditë e këqia në banka. U degraduan investimet”

  1. NjeQytetarOptimist says:

    Nje shprehje e vetme e Rames me ka pelqyer der tani: “Rruge te pambaruara, te hedhura ne rruge”..

  2. ndershkuesi yne says:

    Po dergo ne burg e arresto o z. Rama, te gjithe ata zyrtare qe abuzuan me borxhin keto vite. Qe nga ministri i financave te qeverise berisha e merrradhe gjithe drejtorat e ministrise se financave

    1. Epirioti II says:

      Rama nuk fut kerkend dot ne burg. Do duhen 3-4 vite te tjera sa te nderrohen KLD, Prokurori dhe Presidenti qe laku te ngushtohet per mbrojtesit e Berishes. Pastaj burgu per ta do vi vete sic erdhi per shume minsitra dhe kryeministra te Ballkanit 3-5 vjet pasi iken nga pushteti.

  3. spiro says:

    po ke te coj moj , mo ky e ka mendjen te bej pazare me keto zyrtare si spiro brumbulli qe ka marre ne ministrine e financave

  4. iliriani says:

    Po’ pse beheni naive , problemi Nuk jane bankat dhe Rama po’ i sherben Bankave si shegert, nderkohe qe bankat nxjerrin cdo vit nga Shqiperia 3 miliarde dollare

  5. mika says:

    Qeveria duhety te hapi nje banke shteterore te nivelit te dyte qe te japi kredi ne lek me interes 8 perqind. DHe te ndaloje dhenien e Kredive ne Euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje