PABSEC/ Dokle: Bashkëpunim rajonal kundër krimit dhe korrupsionit

11 Mars 2014, 13:19Politika TEMA

Kryetari i Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, Namik Dokle theksoi se Shqipëria si vend bashkëthemelues i organizatës së Detit të Zi është përpjekur dhe ka arritur të luajë një rol aktiv në mbështetje të iniciativave e të veprimtarive që rrisin frytshmërinë dhe efikasitetin e bashkëpunimit rajonal.  Deklarata e ligjvënësit socialist u bë gjatë punimeve të Takimit të 42-të të Komisionit për çështjet Ekonomike, Tregtare, Teknologjike dhe Mjedisore i Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC).

Dokle tha se bashkëpunimi midis vendeve të organizatës sonë përfshin sektorë të rëndësishëm të zhvilimit të tregtisë dhe ekonomisë, bankave dhe energjisë, transportit dhe komunikacionit, buqësisë, mjedisit dhe turizmit.

“Prioritet të veçantë ka marrë bashkëpunimi i vendeve tona në shkallë rajoni edhe kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi Dokle.

Ai shprehu bindjen se vendi ynë do të vazhdojë me vullnet të plotë politik në këtë rrugë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi edhe në të ardhmen për të forcuar dhe rritur vlerën e iniciativave të bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi.

Sipas Dokles,  bashkëpunimi do të shtrihet edhe në inisiativa të tjera të rëndësishme në rajonin tonë e më gjerë, duke shtuar se objektivi kryesor i Shqipërisë është integrimi i plotë në strukturat eurotlantike.

Kryetar i Komisionit (PABSEC) Musa Guliyev tha se prioritet e kësaj organizate janë tranporti, shëndetësia, bujqësia, teknologjia e komunikacionit, ashtu si bashkëpunimi i ngushtë i bizneseve midis vendeve.

Ai informoi se janë ngritur rreth 30 grupe pune që do të intensifikojnë bashkëpunimin mes vendeve.

Në punimet e takimit, i cili do të vijojë përgjatë dy ditve, parashikohet, të diskutohet dhe të miratohet raporti “Futja e teknologjive të reja në ndërtimet moderne dhe arkitekturën e shteteve anëtare të BSEC, si dhe të miratohet rekomandimin 137/2014 “Teknologjitë e reja në ndërtimet modern dhe arkitekturën e shteteve të BSEC”. Në ditën e dytë të punimeve, parashikohet të përcaktohet vendi, ku do të mbahet mbledhja e ardhshme e Komisionit. Ky takim zhvillohet nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë.

Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, është krijuar më 25 qershor 1992, në Stamboll, me nënshkrimin e Deklaratës së Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të 11 vendeve themeluese që janë: Shqipëria, Armenia, Azerbaxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia, Ukraina. Shqipëria është anëtare bashkë themeluese e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi(BEDZ/BSEC). Aktualisht vendeve anëtare të kësaj organizate u është shtuar edhe Serbia, duke e çuar në 12 vende anëtare, pjesëmarrjen në këtë organizatë.

Në Organizatë përveç 12 vendeve anëtare bëjnë pjesë me statusin e vëzhguesit edhe trembëdhjetë vende të tjera si: SHBA, Franca, Italia, Gjermania, Austria, Polonia, Sllovakia, Çekia, Bjellorusia, Kroacia, Tunizia, Egjipti dhe Izraeli. Organizata ka profil ekonomik dhe fushat e veprimit të saj përqëndrohen në: infrastrukturën e transportit dhe komunikimit: shkëmbimin e informacionit ekonomiko-tregtar: standartizim/certifikimin e produkteve:, energji: turizëm: agrikulturë/agroindustry” shkence dhe teknologji.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje