“Nuk i kam kërkuar Julian Sinanajt të vrasë Sokol Veizin, por i është premtuar nga vrasësi serial se do t’i zgjidhte konfliktin e pronësisë që Mëhillajt kishin me peshkatarin nga Orikumi”.
Kështu mësohet të jetë shprehur Andon Mëhillaj gjatë marrjes në pyetje nga Prokurorët e Krimeve të Rënda.
Mëhillaj dyshohet se është punëdhënësi kryesor i Julian Sinanajt.
Ai ka mohuar kategorikisht se ka kërkuar eleminimin fizik të Sokol Veizajt, duke sqaruar se vetë Sinanaj i ka thënë që do t’ia zgjidhte problemin.
“Më Julian Sinanaj jam njohur rastësisht në lokalin e dajës tim në zonën e Orikumit, ku ai vinte shpesh. Aty nisi edhe komunikimi im me të dhe ai u vetëofrua për të më zgjidhur problemin me Sokol Veizajn”, mësohet të jetë shprehur 38-vjeçari.
Madje sipas dëshmisë së Mëhillajt, ka qenë Juliani ai që i ka kërkuar një sipërfaqe toke në Orikum, pasi do t’i zgjidhte problemin sipas metodave të tij, raporton Ora News.
Mëhillaj shprehet nuk e imagjinonte që Sinanaj do të vriste peshkatarin, por është gjendur para faktit të kryer nga Sinanaj.
Andon Mëhillaj ka kërkuar edhe ballafaqim me Julian Sinanajn, ku ky i fundit ka pohuar se ka qenë Andoni ai që i ka kërkuar vrasjen e peshkatarit.
38-vjeçari, nga marrja në pyetje 1 javë më parë, ka mohuar lidhjen e tij në ngjarje të tjera kriminale, kryesisht në qytetin e Vlorës.
Megjithatë pritet që prokurorët të kthehen përsëri në burgun 302, aty ku mbahet Mëhillaj, për të sqaruar edhe ngjarje të tjera ku lakohet emri i tij.
Në pyetje nga akuza është marrë edhe biznesmeni Ilir Karçini, i cili ka mohuar njohjen dhe takimin me Julian Sinanajn, madje edhe Genis Mëhillaj, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Biznemeni i gazit Karçini, akuzohet se ka qenë porositësi i eleminimit të konkurentit të tij Piro Bare, punë që do ta kryente Julian Sinanaj për shumën e 150 mijë eurove.