Rikthehet në Shqipëri trupi i Ali Këlcyrës, deputet i parlamentit të parë shqiptar, demokrat i shquar i viteve ‘20-të, antizogist, antifashist dhe antikomunist.
Ai vdiq në Romë në vitin 1963, pas një jetë plot përpjekje kundër gjithë regjimeve autoritare në Shqipëri.
I dënuar me vdekje nga ish- Mbreti Zog për shkak të Revolucionit të Qershorit 1924, më pas i dënuar dhe internuar nga italianët, kundërshtar i vendosjes së autoritetit gjerman në Shqipëri, dhe i dënuar në mungesë nga diktatura komuniste, ai është një nga shembujt e rrallë të politikanit idealist në Shqipëri.
I lindur në familjen e madhe të bejlerëve të Këlcyrës, ai ndryshoi historinë e tyre, duke u shkolluar në Perëndim dhe duke u bërë një figurë e shquar e demokracisë shqiptare.
Shkollimi i tij i mesëm filloi në liceun “GallataSaraj” në Stamboll në 1904 dhe përfundoi në vitin 1909 kur mori diplomën e pjekurisë me ‘Bachalier es-lettres-es sciences’.
Studion në “Mülkiye-i-Sehahané”, shkollë e lartë e shkencave politiko-administrative e ekonomike.
Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike kthehet në Këlcyrë. Gjatë ripushtimit të Jugut nga ushtritë greke largohet me muhaxhirët e tjerë në Vlorë.
Në emër të tyre përshëndet Princ Vidin e princeshën Sofi që erdhën të vizitonin të ikurit nga zonat e pushtuara me një fjalim në frëngjisht.
Në 1915 vazhdon studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë, kohë kur përqafon idetë e socialdemokracisë, miqësohet me Avni Rustemin dhe shokun e betejave Stavro Vinjau.
Kthehet në atdhe një vit më pas dhe bashkë me Themistokli Gërmenjin e të tjerë, ndërmerr nismën e krijimit të çetave kombëtare shqiptare.
Në 1918 kthehet sërish, shkon në Vlorë, ku në një mbledhje të fshehtë themelohet organizata që u quajt “Mbrojtja Kombëtare”.
Komanda italiane e dëbon nga territoret nën administrimin e saj. Komitetet e MK-së kishin tashmë për qëllim organizimin e luftës së armatosur kundër italianëve që ndodheshin këtu për “mbrojtjen” nga ushtritë greke që ishin vendosur rreth kufirit.
Merr pjesë në Kongresin e Lushnjes, zgjidhet në Kuvendin Kombëtar si deputet i prefekturës së Gjirokastrës dhe qysh në seancën e parë propozon që në apelin e deputetëve të hiqet titulli “bej”.
Në luftën e Vlorës, caktohet të shkojë në Itali ku futet në bisedime me autoritetet të njohura të vendit për luftën. Më 1920 mori pjesë në luftën e Vlorës, e cila u zhvillua kundër pushtimit italian të Shqipërisë.
Gjatë viteve 1921-1924 zhvilloi një veprimtari aktive në jetën politike të vendit, si deputet i Gjirokastrës.
Qysh në seancën e parë, propozon që në apelin e deputetëve të hiqet titulli “bej”.
Nga pikëpamja politike, u rreshtua në krahun demokrat.
Pas dështimit të Qeverisë së Qershorit, në dhjetor 1924 ai largohet nga Shqipëria.
Në 1925 themelohet në Bari organizata Bashkimi Kombëtar me Sejfi Vllamasin, Qazim Koculin, ku zgjidhet në komitetin drejtues dhe sekretar i saj.
Ndërkohë në Tiranë në Fletoren Zyrtare botohet vendimi i dënimit me vdekje dhe i konfiskimit të pasurisë.
Në këtë kohë merr titullin Dr. i Shkencave Juridike. Ali Këlcyra qëndroi në radhët e “Bashkimit Kombëtar” deri më 1938, madje u bë motori i tij kryesor.
Gjatë qëndrimit në Paris, lindi e bija më 8 mars 1936, Hana.
Ali Këlcyra bën raporte për gjendjen në Shqipëri dhe për politikën profashiste të Mbretit Zog, duke shkruar në të përditshmet “Le Quotidien”, “Le Matin”, “La République” etj.
Para se të kthehej në Shqipëri, kontakton me shefin e stafit të kryeministrit francez Édouard Daladier, që do i japin mbështetjen në luftën anti-fashiste që do vinte.
Kthehet në atdhe tetor-dhjetor 1939, krijon me një grup intelektualësh të kohës, “Frontin e Rezistencës”, ku Frashëri, Dosti, Tromara dhe ai vetë krijojnë tezat e programit që titullohen “Nacionalizma shqiptare, Balli Kombëtar”.
Në janar-shkurt të 1941, pas veprimtarisë së tij dhe kontrollimit që i bëhej korrespondencës së tij, italianët vendosin të djegin e bastisin pronat e Këlcyrajve.
Në shkurt Aliu harton një promemorie ku kërkon një shtet të pavarur shqiptar, gjë që u bë shkak për internimin e tij nga italainët.
Më 4 prill largohet përsëri nga atdheu për në provincën e Arecos.
Kuestori i Foxhias vendos të mbyllet në kështjellën e komunës së Kortones.
Tre muaj pas internimit të tij, u lejuan të vendoseshin në Itali edhe familja e tij.
Në maj të vitit 1942, në shtëpinë ku banonte A. Këlcyra në Tiranë, u vendos që organizata e Frontit të Rezistencës tani e tutje të thirrej vetëm organizata “Balli Kombëtar” dhe zgjodhi si kryetar Mid’hat Frasherin, një nga figurat karizmatike të patriotizmit shqiptar.
Ali Këlcyra udhëhoqi rezistencën kundër italianëve në Jug të vendit dhe ishte ndër figurat më autoritare gjatë viteve të luftës. Ai u përfol për propozimin që i ka bërë komandantit të forcave ushtarake italiane për Shqipërinë Gjeneral Dalmacos, lidhur me dorëzimin e ushtrisë italiane, pas dorëheqjes së Musolinit. Marrëveshja nuk ekziston pasi nuk u nënshkrua kurrë. Siç e ka pohuar vetë Gjeneral Dalmaco, propozimi i Këlcyrës ishte fyes dhe poshtërues për Italinë dhe Ministria e Jashtme italiane nuk ia ka pranuar.
Pas ikjes së Italisë fashiste, Ali Këlcyra, ndryshe nga shumë pjesëtarë të Ballit Kombëtar, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me gjermanët, bile është përplasur me ta në disa raste në Jug të Shqipërisë siç e pohojnë vetë disa krerë komunistë, përfshi Gogo Nushin.
Ai nuk pranoi të marrë pjesë në Asamblenë Kushtetuese dhe as në qeveritë e tyre.
Në nëntor të vitit 1944, bashkë me familjen të hipur në një anije të marrë në Tivar, mbërrijnë në Bari dhe dorëzohet me tjerë tek aleatët.
E fusin nmë burg për pesë muaj në kampin Santa Fara të Barit bashkë me krerët e tjerë të Ballit.
Pas një sërë tenativash të dështuara me emigracionin politik për t’u riorganizuar poltikisht, Ali Këlcyra kthehet në Itali dhe fillon përsëri veprimtarinë në fushën e gazetarisë së emigracionit.
Bie në koma më 24 shtator 1963 në Romë.
Varroset më 29 shtator në varrezat Acatolico di Testaccio.
Dekorohet me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” më 22 dhjetor 2007 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.
“Nga formimi akademik Ali Këlcyra ishte jurist, një jurist me prirje politike, pikëpamjet e të cilit kanë për bazament veprën e Didëroit “E drejta natyrore”, traktatin historiko-politik të Monteskjesë “Fryma e ligjeve” dhe posaçërisht traktatin politik “Mbi kontratën shoqërore” të Rusosë”. Një figurë që kishte një vizion dialektik për vendosjen e demokracisë e shtetit të së drejtës, në përputhje me alternativat që shtronte praktika politike e statuore e vendit të tij”, shkruan Tanush Frashëri.
Ali Këlcyra do të varroset në Këlcyrë, në varrezën honorifike të Familjes Kelcyra, pranë varrezave të qytetit, më 5 prill 2014. Aty gjendet një memorial me emrat e familjarëve që u është zhdukur varri gjatë komunizmit dhe do të prehet së bashku me gruan e tij dhe xhaxhain, Faik Këlcyra, i cili ka vdekur në Francë.
Xhaxhai tjetër i tij, Veli Këlcyra, ishte një nga firmëtarët e shpalljes së pavarësisë në Shqipëri.
Takim pas 50 vitesh
Hena Kelcyra, duke firmosur per kthimin e Ali Kelcyres ne Atdhe