Miratohet gjykata e posaçme për krime lufte në Kosovë

23 Prill 2014, 16:59Rajoni TEMA

Me 89 vota për, 22 kundër dhe dy të paanshme, Parlamenti i Kosovës, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme për krimet e luftës dhe vendosi të zgjasë edhe për dy vjet të tjera mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin ligjit.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar këtë gjykatë, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë së saj”.

UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe ka respektuar normat ndërkombëtare. Pikërisht për këtë shkak Kosova u ndihmua nga aleatët ndërkombëtarë dhe e fitoi luftën çlirimtare”, tha kryeministri Thaçi, duke nënvizuar se themelimi i gjykatës është një gjë shumë e vështirë, e cila do të rëndojë në ndërgjegjen tonë derisa të jemi gjallë.

Por ndërgjegjja e jonë do të mbetet e njollosur në rast se ne nuk i japim përgjigje adekuate kërkesës së BE-së dhe SHBA-së për themelimin e Gjykatës Speciale për të trajtuar pretendimet e ngritura të Raportit të Dick Martit i miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2010”, tha ai.

Por, ai tha se themelimi i gjykatës është i pashmangshëm.

Sot nuk kemi dy opsione. Kemi vetëm një opsion. E ky është vazhdimi i bashkëpunimit me SHBA-të dhe BE-në, që nënkupton se duhet të themelojmë këtë gjykatë”, është shprehur Thaçi.

Çdo opsion tjetër tha ai nuk duhet të shqyrtohet sepse dështimi i themelimit të kësaj gjykate në Parlament do t’i mundësonte Këshillit të Sigurimit që të miratonte këtë institucion nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara”.

Edhe përfaqësuesit e partive tjera politike mbështetën themelimin e gjykatës me gjithë mospajtimin e tyre, ndërsa prerazi kundër është shprehur lëvizja Vetëvendosje.

Gjykata, hollësitë e veprimit të së cilës ende nuk janë të qarta, do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, me gjasë në Holandë, ndërsa prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar. Kjo, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, do të ndihmojë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Pretendimet e zotit Marty po hetohen që nga viti 2011 nga një grup punues i kryesuar nga prokurori amerikan Clint Wlliamson, raporti i të cilit me të gjeturat pritet të bëhet publik në muajin qershor.
Ambasada amerikane në Prishtinë, vlerësoi se kjo gjykatë është thelbësore për të hequr akuzat nga të pafajshmit, për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, dhe për të zgjidhur përfundimisht pohimet e raportit të Këshillit të Evropës”. 

“Ne vlerësojmë vendimin e atyre deputetëve të cilët vërtetuan përkushtimin e tyre për themelimin e një gjykate sipas ligjit të Kosovës dhe e cila do të përqendrohet në individët dhe në veprimet individuale. Votimi i sotëm shtron rrugën për një proces të cilin bashkësia ndërkombëtare do ta shohë si të besueshëm dhe që do të ndihmojë në mbylljen e këtij kapitulli të vështirë të historisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur Kosovën gjersa Kosova vazhdon të ec para me këtë detyrë thelbësore”./VOA

1 komente në “Miratohet gjykata e posaçme për krime lufte në Kosovë”

  1. jeronim de rada says:

    Kosova beri lufte te drejte. Gjate luftes dualen disa “komandante” te cilet i thyen rregullat e luftes, prandaj duhet te pergjigjen. Eshte ne te mire te Kosoves qe keta te denohen. Tre-kater “komandante” nuk duhet qe ta mbajne peng Kosoven dhe t’i qesin hije te zeze kombit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje