Statusi/ Ambasadori i Holandës: Politika shqiptare e di mirë se çfarë pritet prej saj

25 Prill 2014, 09:31Politika TEMA

Holanda mbetet strikte në qëndrimin e saj ndaj rigorizitetit të plotësimit të kritereve kyce për integrimin e Shqipërisë. Ambasadori i Holandës Martin de la Beij theksoi se Shqipëria duhet ta meritojë statusin kandidat dhe se politika shqiptare e di mirë se cfarë pritet prej saj.

“Mendoj se ne jemi strikt në kuptimin që disa rregulla dhe kritere të caktuara janë përcaktuar. Ndaj duhet ti plotësoni ato për tu bërë anëtarë të Bashkimit Europian me të gjitha fazat që ndodhen në këtë proces. Dhe kjo është faza fillestare, ajo që e quajmë kriteret Acquis (Aki). Në mënyrë që të bëni hapat e rradhës, duhet të plotësoni këto kushte dhe Shqipëria i di mirë këto kushte. Por në mënyrë që të bëni hapat e radhës duhet ta meritoni duke plotësuar realisht këto kritere dhe këtu nuk ka ndonjë surprizë për Shqipërinë sepse ka qënë pjesë e axhendës që në fillim. Ajo që në themi është se nuk heqim dorë nga këto kritere. Ato janë serioze në mënyrë që të ruajmë nivelin e angazhimit të BE-së, dhe ndaj ne jemi strikt”, theksoi diplomati holandez.

Ambasadori shprehu edhe keqardhje lidhur me rivalitetin e ashpër politik në Shqipëri që sjell pengesa edhe për integrimin e vendit edhe pse të gjitha partitë politike kanë vite që e kanë vënë integrimin në krye të axhendave të tyre.

I pyetur se cfarë e shqetëson më shumë qeverinë holandeze, ambasadori de la Beij theksoi se “korrupsioni dhe krimi i organizuar vijojnë të jenë pengesat kryesore të Shqipërisë. Ambasadori komentoi edhe lidhur me debatet mes mazhorancës dhe opozitës për reformën territorial duke shprehur habi se si të dyja palët bien dakord për rëndësinë e kësaj reforme por nuk arrijnë të bien dakord për të punuar sëbashku”.

“Në fakt më habit, do të thosha, sepse që të dyja partitë, qoftë ajo demokratike edhe ajo socialiste bien dakord që nevojiten ndryshime, ndaj shpresoj që të arrijnë të bien dakord për mënyrën se si duhet ti bëjnë këto ndryshime. Natyrisht nevojitet një opozitë të fortë, sepse ju duhet një opozitë për të patur rezultatet më të mira nga ky dialog dhe nga ana tjetër shpresoj që qeveria do të jetë gjithëpërfshirëse për të dëgjuar çka mund ti hapë rrugën një zgjidhje por duhen të dyja palët. Nevojiten dy palë për të bërë hapa përpara në këtë proces. Dhe kjo është një mundësi për të punuar sëbashku. Do të mirëprisja në këtë kuptim një paketë minimale ku të dyja palët bien dakord, pra njëra palë të bëjë këtë dhe pala tjetër të diçka tjetër në mënyrë që të bëhet hapi i radhës drejt integrimit europian”, tha diplomati gjatë emisionit “Airport”.

Ndërsa lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri, ambasadori holandez përmendi problemin e pronave si një prej pengesave kryesore ndaj investimeve të huaja.

“Nëse dikush investon ka nevojë të dijë që investimi i tij do të jetë i sigurt. Nëse dikush blen një copë tokë, ka nevojë që ta dijë se do të jetë e tija edhe në të ardhmen dhe jo ti duhet të merret edhe me njerëz të tjerë që pretendojnë pronësinë e të njëjtës tokë. Mendoj se këto gjëra duhet të përcaktohen mirë dhe në këtë mënyrë do të rritet besimi tek komuniteti i biznesit që të vijë dhë të investojë. Dhe kjo është ajo çka keni nevojë”, tha ai.

Ambasadori u shpreh i pakënaqur me hapin aktual të reformave në sistemin e drejtësisë duke thënë se ka ende shumë pengesa që duhen eleminuar në mënyrë që gjyqësori të funksionojë si një institucion vërtet i pavarur dhe profesional, ku njerëzit të kenë besim tek mënyra se si funksionon drejtësia.

 

4 komente në “Statusi/ Ambasadori i Holandës: Politika shqiptare e di mirë se çfarë pritet prej saj”

  1. Hena says:

    Qeveria po be me te miren e saj por opoziat eshte destruktive

  2. Desa says:

    Politika e vheter ka marre fund dhe tani dyert e BE do hapen

  3. qytetari says:

    Ja thone holandezet,gjermanet,francezet me lezet po ku marrin vesh shqipot se!
    Ku merr vesh shqiptari nga finesa dhe diplomacia!
    Shqipove vetem dajaku i bon fajde dhe kete e dinte mire Dulla.

  4. Princi (Belgikë) says:

    Po, por kush do të mbetet në Historinë e Shqipërisë si kryeministri që e futi Shqipërinë në Europë? Kjo nuk ka asnjë rëndësi për Europën, por për kryeministrat tanë të majtë e të djathtë ka rëndësi. Përveç të tjerave, ky fakt u siguron atyre edhe disa vite të tjera në pushtet, gjë që do të thotë edhe më tej privilegje të ligjëshme apo të paligjëshme. Besoj se në fund të fundit janë këto privilegje dhe jo interesi i shqiptarëve për tu bërë pjesë e BE ajo që u intereson më së shumti politikanëve shqiptarë. Hyrja në BE, në një farë mënyre edhe nuk u intereson sepse anëtarësia në BE do të thotë edhe kontroll i zullumzeve të tyre, gjë që ata e “shmangin” tani me replika “humoristike” duke akuzuar njëri tjetrin. Fjalë, fjalë zotërinj….!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje