Burns-Bushati: SHBA mbështet proceset integruese të Shqipërisë, inkurajoj reformat

1 Maj 2014, 11:43Politika TEMA

Zv. Sekretari amerikan i Shtetit William Burns ka shprehur vlerësimin për angazhimet konkrete të Shqipërisë, krahë Shteteve të Bashkuara, në një sërë çështjesh dhe sfidash ndërkombëtare, kontributet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, si dhe rolin  dinamik dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Ai siguroi për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në proceset integruese të Shqipërisë dhe inkurajoi vazhdimin e reformave të nisura. Këto komente zv. Sekretari amerikan i Shtetit i bëri gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri Bushati vlerësoi miqësinë dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe vullnetin e angazhimin për t’i konsoliduar dhe për t’i strukturuar më tej ato. Pasi falenderoi zv.Sekretarin e Shtetit Burns për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në përmbushjen e aspiratave të tyre euroatlantike, Bushati theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, për të kontribuuar dhe inkurajuar stabilitetin dhe paqen në rajon dhe me gjerë.

“Angazhimi i përhershëm amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie jetike për sigurinë dhe konsolidimin demokratik të rajonit”, u shpreh Bushati.

Një vëmendje e veçantë, gjatë takimit, iu kushtua tensioneve në rritje në Ukrainë dhe rrezikut të pasojave destabilizuese për Evropën lindore dhe me gjerë. Në këtë kontekst Zv/Sekretari i Shtetit vlerësoi qëndrimet dhe vendimet e Qeverisë shqiptare, e cila ka kontribuuar me dërgimin e vëzhguesve në Ukrainë.

Në përmbyllje të vizitës së tij në Uashington, ministri Bushati vijoi bisedimet me homologët e tij të pranishëm në konferencën e Këshillit të Atlantikut. Ministrat e pranishëm u pritën në një takim të veçantë nga Zv. Presidenti amerikan Joe Biden, gjatë të cilit u bisedua mbi çështjet kryesore të aktualitetit ndërkombëtar dhe rajonal.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje