Njësitë vendore/Propozimet për ndarjen e re territoriale

9 Maj 2014, 21:02Politika TEMA

Komisioni i Posaçëm Parlamentar i Reformës Administrativo-Territoriale, i cili zhvilloi punimet sot pasdite u njoh me një sërë propozimesh nga njësi dhe organe të qeverisjes vendore.

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar i Reformës Administrativo-Territoriale Bashkim Fino duke vënë në dukje faktin se Komisioni është duke punuar në mënyrë intensive për të çuar përpara procesin e reformës për ndarjen e re administrativo-territoriale të hartës së Republikës së Shqipërisë, në mënyrë transparente dhe të hapur për publikun, bëri të ditur se kanë filluar të vijnë reagime të drejtpërdrejta dhe konkrete, me kërkesa dhe propozime, të cilat kanë nevojë për trajtim si nga Komisioni Parlamentar, ashtu edhe nga niveli teknik që po punon për hartimin e ndarjes së re administrative. Pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar i Reformës Administrativo-Territoriale kanë mbërritur 5 kërkesa nga njësi vendore.

Shoqata Stebleva propozon që Stebleva të jetë pjesë e Qarkut (Rajonit) Elbasan, Rrethi Librazhd. Gjithashtu, kjo Shoqatë propozon që të bëhet bashkimi vullnetar midis Komunës Stelbevë dhe Komunës Trebisht. Ky propozim bëhet me qëllim për të ruajtur traditat dhe zakonet historike dhe kulturore të komunitetit, për të ruajtur 2 gjuhët e folura, për të ruajtur faunën e parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanic, për të zhvilluar turizmin veror dhe dimëror në këtë zonë, si dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

Këshilli Komunës Ksamil, pas analizës së situatës 20 vjeçare të ecurisë së Ksamilit – si njësi më vete e pushtetit vendor (1996) – me anë të një peticioni propozon që Ksamili të mbetet njësi më vete administrative e qeverisjes vendore, vetëm duke u quajtur “Komuna Butrint” me qendër Ksamilin. Këtu të përfshihen edhe fshatrat Xarrë, Vrinë, Shëndëlli që përbëjnë bërthamën e Parkut Kombëtar të Butrintit. Ky propozim bëhet me qëllim që zhvillimi i Ksamilit në aspektin ekonomik dhe turistik të ngrihet në parametra dhe modele bashkëkohore, të cilat i kërkon tregu turistik.

Komuna Zhepë, përmes një letre firmosur nga kryetarët e fshatrave Terrovë, Rromas, Duncke, Trebel, Luadhë, Dobrenjë, Burranjë, Çorrotat, Gurrëzez, Zhepë, Leskovë, Çerricë kundërshton bashkimin e kësaj komune me Bashkinë e Poliçanit (e cila i është propozuar si projekt), dhe kërkojnë që Komuna Zhepë të bashkohet me rrethin e Gramshit. Këtë kërkesë e bazojnë në: pozicionimin gjeografik, i cili është më i përshtatshëm për t’u lidhur me rrugë nga të dy anët e lumit të Tomorricës. Gjithashtu, edhe në aspektin ekonomik dhe të marrjes së shërbimeve të tjera si atyre spitalore, arsimore dhe të furnizimit me energji elektrike.

Banorët e fshatit Tpla, Komuna Fierzë, rrethi Tropojë kërkojnë shkëputjen nga Komuna Fierzë dhe bashkimin me Komunën Bujan, po të rrethit të Tropojës. Kërkesa mbështetet në arsye: infrastrukturore (vështirësitë e kalimit në rrugë), marrja e shërbimeve shëndetësore, arësye tradite dhe origjine familjare (një fis i madh i ndarë në dy fshatra), marrja e shërbimeve të ujësjellësit.

Këshilli i Komunës Bubullimë, përmes një shkrese zyrtare nënshkruar nga Kryetari i Këshillit të Komunës, kërkon që Bubullima të jetë qendër administrative, me përbërjen dhe territorin e para vitit 1945. Sugjerohet bashkimi i 22 fshatrave të para vitit 1945 edhe me fshatrat Kolonjë, Ardenicë e Bitaj.

2 komente në “Njësitë vendore/Propozimet për ndarjen e re territoriale”

  1. arben hasani says:

    ore nuk e keni keq ju por shikoni se cfare ben ushtria me territoret e saj pas lajmit te droges
    http://dielli.al/lajme.php?id=57321&k=71

  2. Paskal Harito says:

    Konsultime duhen,por,kujtohuni se po te vijoni keshtu, asnje komune nuk do te pranoe te shkurtohet.E dini se ketu nderhyn interesi i keshilltareve pa fund…dhe i kryetareve”tere” pushtet politik ekonomik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje