P/ligji i ri për KLD/ Shmangie konfliktit të interesave dhe promovimit të anëtarëve të KLD në sistem. Ndryshimet e plota

19 Maj 2014, 19:24Politika TEMA

Shmangia e konfliktit të interesave mes anëtarëve të Këshillit të lartë të Drejtësisë dhe promovimit të anëtarëve të këtij institucioni në sistemin e drejtësisë duke shfrytëzuar të qenit anëtarë në këtë Këshill, janë dy çështjet që synohet të shmangë p/ligji i ri mbi organizimin dhe funksionimin e KLD. Ministria e Drejtësië ka përfunduar hartimin e p/ligjit ndërsa e ka përcjellë për mendim draftin pranë nstitucioneve ndërkombëtare, gjykatave sipa Rretheve Gjyqësore, Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë, Krimeve të Rënda, KLD, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Konferencës Kombëtare Gjyqësore.

Në relacionin që shoqëron p/ligjin vlerësohet sereformimi i sistemit gjyqësor është një nga prioritet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në drejtim të konsolidimit të parimeve bazë të shtetit të së drejtës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organ kushtetues, me rol thelbësor në mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor. Nëpërmjet ushtrimit të kompetencave të tij ligjore, KLD monitoron veprimtarinë gjyqësore, jo vetëm nëpërmjet procesit të inspektimit, por veçanërisht nëpërmjet vlerësimit profesional të gjyqtarëve, duke kontribuar në rritjen e integritetit, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së pushtetit gjyqësor. Për këtë arsye, ky projektligj i kushton një vëmendje të veçantë problematikave që shoqërojnë veprimtarinë e KLD, si dhe nevojave për reformimin e legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e këtij organi kushtetues, në funksion të rritjes së transparencës dhe përshtatjes së saj me eksperiencat me të mira europiane.

Objektivat që synohen të arrihen

Veprimtaria e KLD-së është e lidhur ngushtësisht me veprimtarinë e gjykatave të shkallëve të para dhe të apeleve dhe për rrjedhojë, problemet me të cilat përballen, ato i kanë të përbashkëta ose të ngjashme. Disa çështje me të cilat ndeshet aktualisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjatë ushtrimit të kompetencave të tij dhe të cilat kërkojnë zgjidhje, mund të përmblidhen si më poshtë:

Përmbajtja e projektligjit

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’, i ndryshuar” përmban 9 nene.

Nëpërmjet nenit 1, të projektligjit propozohet shtimi i pikës 1.1, pas pikës 1 të nenit 6, të ligjit nr. 8811, datë 18.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, propozim i cili, vjen si nevojë e frenimit të fenomenit të promovimit të vetvetes nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga KGJK-ja, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre.  Pika 1 e nenit 6 të ligji, parashikon se anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për një periudhë 5-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Ndërkohë, në praktikë vihet re tendenca e anëtarëve të KLD-së, për të dhënë  dorëheqjen përpara mbarimit të mandatit, duke u promovuar në sistemin gjyqësor, në sajë të shfrytëzimit të lidhjeve të krijuara me njëri-tjetrin. Për shmangien e këtij fenomeni abuziv, në pikën 1.1 është parashikuar se nëse anëtari i zgjedhur nga KGJK-ja jep dorëheqjen përpara mbarimit të afatit 5- vjeçar, ai nuk mund të transferohet apo të ngrihet në detyrë deri në përfundim të periudhës së parashikuar në paragrafin 1, të nenit 6, të ligjit.

Në nenin 2, të projektligjit parashikohet shtimi i shkronjave “f” dhe “g”,  pas shkronjës “ë”, të pikës 1, të nenit 7, “Mbarimi i mandatit”. Konkretisht, këto dispozita parshikojnë:  Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.  Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.” Ky parashikim bëhet me synim shprehjen në mënyrë eksplicite se shkelja e Kushtetutës dhe ligjit gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi apo nga KGJK-ja, përbën shkak për mbarimin e mandatit të tyre, duke shmangur kështu shkeljet abuzive.

Në nenin 3, të projektligjit, parashikohet shfuqizimi i pikës 2, të nenit 10, të ligjit, e cila aktualisht parashikon se kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk janë në përputhje me ligjin, me vendim të arsyetuar pezullon ushtrimin e mandatit dhe i kërkon, sipas rastit, Konferencës Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendit zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Neni 4, i projektligjit parashikon një përmirësim të përmbajtjes së nenit 14, të ligjit aktual “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, nëpërmjet shtimit të dy paragrafëve, me përmbajtje si më poshtë:

“6. Për Kryeinspektorin dhe inspektorët, çdo 2 vjet, kryhet vlerësimi profesional dhe etik, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

7. Brenda tremujorit të parë të çdo viti, Inspektorati, nëpërmjet Kryeinspektorit, i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë një raport mbi veprimtarinë e tij në vitin paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës. Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet nga Zëvendëskryetari për diskutim në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.” Duke mbajtur në konsideratë detyrat e rëndësishme të ngarkuara nga ligji Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, sidomos në lidhje me performancën e gjyqtarëve, ku vlerësimi bazohet kryesisht në veprimtarinë që kryejnë inspektorët e KLD-së, është e domosdoshme që për këta të fundit, të kryhet vlerësimi profesional dhe etik sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga KLD-ja. Gjithashtu, në funksion të sa më sipër, është parashikuar paraqitja e një raportimi vjetor, para KLD-së, mbi veprimtarinë e tij të vitit paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës së inspektoriatit. Ky parashikim është bërë me qëllim, rritjen e performancës dhe efikasitetit të veprimtarisë së Inspektoriatit si dhe kontrollin e rezultateve të punës së tyre.

Në nenin 5, të projektligjit parashikohet se në rastet kur një gjyqtar ndalohet ose arrestohet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve dhe vendos për kërkesën e paraqitur nga prokurori. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranon kërkesën e paraqitur nga prokurori, vendos pezullimin e gjyqtarit nga detyra deri në përfundimin e procedimit penal.  Ndryshimet propozohen me qëllim përputhshmërinë e ligjit aktual me ndryshimet e fundit kushtetuese dhe Kodit të Procedurës Penale mbi imunitetin e gjyqtarëve, i cili shpesh bëhet pengesë për hetim të shpejtë dhe më efiçient të veprimeve korruptive nga ana e gjyqtarëve.

Nënenin 6, të projektligjit  parashikohet se, në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon masën disiplinore të propozuar nga Ministri, ky i fundit mund të propozojë një masë disiplinore me të lehtë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon edhe propozimin e dytë për masë disiplinore më të lehtë, shqyrtimi i procedimit disiplinor mbyllet dhe vendimi i njoftohet gjyqtarit të proceduar disiplinarisht. Parashikimi i mësipërm, aktualisht ekziston në Rregulloren për procedimin disiplinor të gjyqtarëve, të miratuar me Vendimin nr. 137, datë 21.02.2003 të KLD-së, i ndryshuar. Është parë e arsyeshme që ky parashikim të sanksionohet në ligj.

Në nenin 7, të projektligjit, parashikohet mënyra e mbajtjes së procesverbalit, të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, elementët dhe miratimi i tij. Ky ndryshim, vjen si rrjedhojë e përshtatjes së dizpozitës ekzistuese me ligjin nr.8480, datë 27.05.1999,  “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.

Në nenin 8, të projektligjit parashikohet se shqyrtimi i procedimit disiplinor bëhet brenda një muaji nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës nga Ministri i Drejtësisë, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky ndryshim propozohet me qëllim, shmangien e zvarritjes dhe shqyrtimin e procedimit disiplinor brenda një afati të përcaktuar.

Neni 9 parashikon hyrjen në fuqi të projektligjit.

3 komente në “P/ligji i ri për KLD/ Shmangie konfliktit të interesave dhe promovimit të anëtarëve të KLD në sistem. Ndryshimet e plota”

  1. feniks says:

    Pastrojeni HALENE se na qelbi!

  2. pilo shpiragu says:

    Eine, dine

  3. Albani says:

    Ku duan te dalin me keto ndryshime???!!!
    Ne vitin 2006 bene ligj me te mire per KLD por PS e ankoi ne gjykate kushtetuese dhe gjykata e saj e shfuqizoi kete ligj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje