Kurz e Brandstetter shprehin mbështetjen për Shqipërinë/ Ju ndihmojmë për statusin

17 Qershor 2014, 13:49Politika TEMA

Ministri Federal për Çështjet Evropiane, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz shprehu në Tiranë mbështetjen e Austrisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Gjatë takimit të zhvilluar me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministri austriak Kurz theksoi se “Austria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian”.

“Vizita në Shqipëri është tregues i forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, intensifikimit të dialogut politik dhe se i shërben një qasjeje pozitive rajonale”, tha gjatë takimit me homologun shqiptar, ministri Kurz, i cili shoqërohej nga Ministri për Drejtësinë, Ëolfgang Brandstetter.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me avancimin e Shqipërisë në agjendën e saj evropiane, marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe ato ndërkombëtare. Ministri Bushati dhe homologu austriak pasi vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, theksuan vullnetin e përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit, në veçanti në fushat e drejtësisë, sistemit bankar, energjisë dhe turizmit. Ministri Bushati vlerësoi rolin mbështetës të Austrisë si avokat i besueshëm i interesave të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së, si dhe shprehu vlerësimin e veçantë për nismën e Austrisë në nxitjen e vendeve anëtare përpara vendimit për marrjen e statusit të vendit kandidat këtë qershor, duke u bazuar në arritjet e deritanishme.

Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e vizitës së Presidentit austriak në Tiranë, duke i shërbyer thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe përfshirjen e Forumit të Biznesit në agjendën e kësaj vizite, si një dimension tepër i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.

Duke iu referuar zhvillimeve në rajon, ministri Bushati nënvizoi rolin e rëndësishëm dhe të mirëpritur që luan Austria, si dhe siguroi homologun austriak për vullnetin dhe angazhimin e Qeverisë shqiptare për të vazhduar rolin konstruktiv si anëtare e NATO-s, në drejtim të forcimit të sigurisë, paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ministrat vlerësuan gjithashtu kryesimin e radhës nga Austria i KiE, si dhe bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Më pas ministri Bushati dhe dy ministrat austriakë Kurz dhe Brandstetter dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

“I shpreha mirënjohjen më të thellë, në emër të Qeverisë shqiptare, kolegut Kurz për mbështetjen e pakursyer, të pakushtëzuar dhe vëllazërore të Austrisë për procesin e integrimit Evropian të Ballkanit perëndimor dhe veçanërisht për Shqipërinë, materializuar kjo me iniciativën austriake, të cilës iu bashkëngjiten një shumicë dërrmuese e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”, tha Bushati.

“Jam po kaq i kënaqur dhe i gëzuar të konstatoj që vizita e Ministrit të Drejtësisë së Austrisë përkon me fillimin e një etape të re në marrëdhëniet midis Austrisë dhe Shqipërisë, në fushën e sundimit të së drejtës dhe ku autoritetet shqiptare të drejtësisë do të kenë fatin të bashkëpunojnë me ekspertizën më të lartë të ofruar nga Austria në këtë drejtim. Kjo është një nga fushat më të rëndësishme për stabilitetin demokratik të Shqipërisë, për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për ecurinë e mëtejshme në procesin e integrimit evropian e për pasojë ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me ekspertizën austriake në këtë drejtim”, nënvizoi ai.

Ministri Bushati u shpreh se “gjatë takimit diskutuam me Ministrin e Jashtëm dhe Ministrin e Drejtësisë së Austrisë për fushat e bashkëpunimit të mëtejshëm në ekonomi, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, me specifikë turizmin, energjinë, sistemin bankar, përmirësimin e klimës së biznesit ndaj investitorëve austriakë prezentë në Shqipëri dhe shtimin e hapësirave të mëtejshme të komunikimit. Po kështu u informova nga kolegët austriakë për vendimin e Qeverisë austriake për vazhdimin e Agjencisë Austriake për Zhvillim në Shqipëri, e cila, në gjykimin e Qeverisë shqiptare, ka bëtë një punë të lavdërueshme me autoritetet vendore dhe qendrore”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje