Ambasadori italian në Tiranë Massimo Gaiani shprehet i bindur në një vendim pozitiv të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Diplomati italian ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm parlamentar, ku theksoi se Shqipëria ka plotësuar kushtet dhe meriton plotësisht statusin e vendit kandidat.
Gaiani theksoi se mes Shqipërisë dhe Italisë ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera por shtoi se ka akoma mundësi për t’i forcuar. Ai tha se shtatë fushat e përcaktuara në deklaratën e 4 viteve më parë, ku njëra është integrimi, janë ende aktuale duke shtuar Italia e ka mbështetur dhe e mbështet integrimin e Shqipërisë.
Ambasadori italian u ndal edhe tek fakti se sot Italia do të marrë Presidencën e BE-së, duke shtuar se prioritet për shtetin fqinj do të jetë procesi i zgjerimit.
Në këtë kuadër Gaiani tha se integrimi i Ballkanit është në të mirë të Europës, dhe se Italia dhe ai personalisht janë pro këtij zgjerimi, si plotësim i Europës për atë çka i mungon. Lidhur me rëndësinë që Italia do t’i japë zgjerimit të BE-së, Gaiani nënvizoi se Ministria e Jashtme Italiane do të kryejë vizita në të gjitha vendet e rajonit në korrik.
Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme Arta Dade e cilësoi si nder praninë e Ambasadorit Gaiani, ndërsa shprehu mirënjohjen për avokatinë që shteti fqinj ka bërë për proceset integruese të Shqipërisë. Dade tha ndër të tjera se mosprezenca e opozitës në komision është një zgjedhje e tyre politike pasi për integrimin dhe marrëdhëniet me Italinë nuk ka dallime mes palëve.
Deputetët e opozitës vijojnë bojkotin e punimeve të Kuvendit, duke kundërshtuar në këtë mënyrë përjashtimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha për 10 ditë nga punimet e Parlamentit.
ANALIZE : Jepni Statusin e leni mashtrimet. E kaloni topin here ne njeren fushe e here ne tjetren. Jo Greku e jo Italia. Jepni Statusin e mos u tallni ma.