Reforma Territoriale/ Kuvendi shtyn afatin e miratimit deri më 31 korrik

26 Qershor 2014, 11:08Politika TEMA

Kuvendi shtyn deri në 31 korrik afatin për miratimin e Reformës Territoriale. Pa praninë e deputetëve të opozitës që vijojnë të bojkotojnë punimet e Kuvendit në shenjë proteste ndaj vendimit të Byrosë Parlamentare për përjashtimin për 10 ditë të deputetit Sali Berisha, Kuvendi miratoi kërkesën e Grupit Parlamentar socialist për shtyrjen me disa ditë të votimit në seancë të një prej reformave më të mëdha dhe të rëndësishme në vend të 23 viteve të fundit. Kundër kërkesës për shtyrjen e miratimit të reformës ka votuar vetëm ligjvënësi Spartak Braho.

“Me propozim të kryetarit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe kryetarit të komisioni të posacëm të reformës administrative Bashkim Fino, i propozoj seancës të fusim në rend ditë shtyrjen e afatit të këtij komisioni sipas kërkesës së paraqitur deri në datën 31.07.2014”, bëri të ditur Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Duket se shtyrja e afatit për miratimin e Reformës Territoriale është një mundësi për të ofruar opozitën në këtë proces, megjithëse Partia Demokratike përmes kreut demokrat Lulzim Basha dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha i ka cilësuar variantet e propozuara nga mazhoaranca të njëllojta me ndarjen që kishte Shqipëria gjatë periudhës së diktaturës. Nga ana e saj mazhoranca dhe Kryeministri Edi Rama janë shprehur të gatshëm për të dëgjuar variantet e opozitës në lidhje me reformën territorial, por kanë shprehur gjithashtu vendosmërinë për të miratuar këtë reformë brenda këtij sesioni parlamentar që përfundon në fund të muajit korrik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje