Çuçi: PDIU pjesë e reformës territoriale, propozimet e saj funksionale

17 Korrik 2014, 12:23Politika TEMA

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet do të jetë pjesë e Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën Territoriale, duke u bërë partia e parë opozitare që i bashkohet kësaj reforme. Kjo u bë e ditur nga ministri i Çështjeve Vendore Bledi Çuçi, pas një takimi të mbajtur me Ambasadorët e akredituar në Tiranë.

 Çuçi konfirmoi se PDIU do të jetë pjesë e konsensusit për reformën territoriale, ndërsa shtoi se propozimet e bëra nga kjo parti ishin racionale dhe funksionale. Sipas tij, nga propozimet dhe diskutimet e bëra, po shkohet drejt një ndarje të re territoriale me më shumë se 39 njësi vendore.

“Diskutuam dhe informuam edhe për zhvillimet e fundit politike, pasi PDIU do të jetë pjesë e reformës territoriale. Shpresoj që komisioni të ketë sot edhe Shpëtim Idrizin. Propozimet e PDIU ishin racionale e funksionale dhe përputhen plotësisht me idetë dhe kriteret tona. Reforma territoriale synon t’i shërbejë qytetarëve në një afat të gjatë. Përfshirja e PDIU si parti opozitare tregon konsensus. Po shkojmë drejt një ndarje të re me më shumë se 39 njësi vendore” ,theksoi Çuçi

Në lidhje me takimin me Ambasadorët, ministri tha se ndërkombëtarët vlerësojnë procesin dhe mbështesin standardet me të cilat po realizohet ky proces.

“Ndërkombëtarët mbështesin standartet dhe procesi ka qenë transparent e gjithëpërfshirës. Standartet janë aty dhe nuk ka arsye për të mos e mbështetur. Po bëjmë kalkulimet e fundit të vlerës së implementimit të reformës territorial”, sqaroi Çuçi.

PDIU ka hedhur si propozim një variant të ndarjes territoriale mes 60-70 njësi vendore, ndërkohë që varianti më i diskutuar në mbledhjet e Komisionit është ai mes 39 dhe 47 njësi vendore.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje