Nasdaq, “preja e lehtë” e hakerave rus

18 Korrik 2014, 09:35Ekonomia TEMA

Ekonomia amerikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një “pre e lehtë” për hakerat, të cilët kishin vendosur një “bombë digjitale” në sistemin e Nasdaq, që qarkullon të dhënat më të rëndësishme financiare në tregjet amerikane.

Sipas një raporti investigues nga “Bloomberg Businessweek”, e cila arriti të sigurojë të dhëna për këtë operacion, që nga Uashingtoni zyrtar është tentuar të mbahej në fshehtësi, bëhet fjalë për një “granatë kibernetike” të vendosur që në vitin 2010 nga një haker.

Bomba, fatmirësisht, nuk shpërtheu asnjëherë. Por inxhinierë IT, të pyetur nga e përjavshmja theksojnë se “fakti që ky virus-bombë, i krijuar nga hakerat nuk ka rrëzuar sistemin pasi ky ka qenë interesi i piratëve të kompjuterëve”.

Raporti i “Bloomberg” thekson se gjatë periudhës kur ky virus është identifikuar, katër vjet më parë në sistemin e Nasdaq, u vu re se programi krijonte mundësinë e një porte, e cila mund të spiunonte ose vidhte të dhëna financiare.

Ende sot e kësaj dite, hetuesit e krimit kibernetikë nuk kanë të dhëna të mjaftueshme rreth përgjegjësve të këtij sulmi. Ata thonë se nga mënyra sesi ka operuar ai, ka qenë një person i vetëm.

Në shkrimin e “Bloomberg”, që citon burime konfidenciale, gishti vihet mbi qeverinë ruse, akuzë kjo e cilësuar nga Moska zyrtare si absurde. Por burime të tjera, që kanë ardhur nga hetuesit që janë familjarë me kësi lloj krimesh në SHBA, theksojnë se ky mund të jetë sulm i hakerit rus, Aleksandr Kalinin nga qyteti i Shën Petersburgut.

Sipas tyre Shërbimet Sekrete Amerikane dhe FBI-ja, e mbajnë emrin e këtij pirate kompjuterësh në krye të listës, pasi ai ka tentuar edhe më parë, gjatë viteve 2007 dhe 2007 të thyejë sigurinë e sistemit kompjuterik të Nasdaq.

Megjithatë, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për një grup piratësh apo për një haker të vetëm. E rëndësishme është që sistemi më i rëndësishëm kompjuterik, ku qarkullon informacioni financiar botëror, u thye lehtësisht, duke treguar se dhe shteti më i fuqishëm i globit mund të rrëzohej si një kala prej letre, me një të shtypur të butonit.

 

2 komente në “Nasdaq, “preja e lehtë” e hakerave rus”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje