REPORTAZH/ Në vendlindjen e qosajve, dedushajve, ulajve, gjonbalajve, prelvukajve...

22 Korrik 2014, 19:07Rajoni TEMA
REPORTAZH/ Në vendlindjen e qosajve, dedushajve, ulajve, gjonbalajve,

Nga Berat Buzhala

 

(VIJON NGA NUMRI I DJESHEM)

Nuk shquhem as për njohuri, e as për dashuri, ndaj luleve. Nëse jam me thikë nën gërrklan, nuk besoj që mund t’i them përmendësh më shumë se 7-8 emra të luleve. Mirëpo edhe një i paditur si unë nuk mund të mbetet indiferentë përballë laryshisë së madhe të luleve, në të gjitha shtigjet që dërgojnë prej Valbonës në Vuthaj.

Banorë lokalë në Vuthaj treguan madje se njëra prej atyre luleve që rritet në ato bjeshkë, është unike në botë. Thanë se, madje, është e ekspozuar edhe në njërin prej kopshteve britanike. Ndërsa, rrugës për në Vuthaj, padyshim se pamë, unë dhe Mirena, edhe shumë stane, ose siç u thonë shqip në Vuthaj, t’bane, që tash ishin shkretuar krejtësisht. Kishin ngelur vetëm themelet me gurë, që tregonin se dikur, përpara kapitalizmit, dikush është marrë edhe më veprimtari të tilla, si blegtoria.

Gjithashtu deri në një lartësi të caktuar mbidetare, duhet të ketë qenë rreth 1800-1900 metra, rritej druri i ahut, të përmasave të jashtëzakonshme. Ndoshta nuk ishin të jashtëzakonshëm për standarde ndërkombëtare, por marrë parasysh se si e kemi sakatuar malin kudo tjetër në trojet shqiptare, atëherë ata lisa po që dukeshin tepër të gjatë.

Fati i tyre se atje është e pamundur të shkelë rrota e traktorit, e përcjellë me Shtillin e famshëm. Se përndryshe edhe këto bjeshkë do të shndërroheshin ose në djerrina, ose në fusha të përshtatshme për gurëthyes. Aktualisht ato janë të sigurta. Kur kishim mbërritur në gjysmë të rrugës, si alpinistë amatorë, na kishin mbaruar mbushjet me ujë, të cilat edhe ashtu ishin të pakta. Kishim marrë ujë më vete shumë më pak se sa njeriu konsumon kur rri gjithë ditën e ditës i shtrirë në hije. Më pak se gjysmë litre për person. Po llogarisnim që me këtë sasi të ujit do të kalonim bjeshkë të tëra. Do të kalonim shtete. E realisht, unë dozës time të ujit i dhashë fund që në përpjetëzen e parë. Kishin ngelur edhe më shumë se 5 orë udhëtim, e burime të ujit nuk kishte askund.

Pra, këshilla më serioze e imja, për të gjithë ju që merrni këso rrugësh është që të mos niseni pa së paku dy litra ujë si rezervë. Kjo çështje u zgjidh disi, me shumë mundim, kur mbërritëm në mbi 2000 metra lartësi mbidetare. Edhe më tutje, për fatin tonë, kishin ngelur disa parcela të borës të pashkrira. Njëra prej tyre, madje, po rridhte ngapak ujë. Dhe kështu e shuam edhe etjen, kurse shishet i mbushëm më sasi të borës, e cila shkrihej për sa kohë ne ecnim.

Tash, pasi kishim gjetur rrugën, dhe pasi kishim shuar etjen, e vazhduam rrugën tonë shumë më të qetë. Edhe më tutje, prej kur ishim nisur, nuk takuam askënd. Dhe kur ecën për një kohë të gjatë, e kur nuk e takon askënd për orë të tëra, e sidomos kur je i ri në ketë biznes, fillojnë të lindin dyshim edhe në ato pak shenja të kuqe që i sheh rrugës. Dhe kështu, pa qenë 100 për qind të sigurt, e vazhduam rrugën drejt Vuthajve. Në këtë pasiguri, filluam vetëm që të përcaktohemi për pikën kufitare. Kështu unë dhe Mirena e caktuam kufirin aty ku deshëm vet, ose ku na përshtatej më shumë, sepse shenjë të kufirit nuk kishte kund. E vetmja shenjë më serioze, që ndoshta mund ta tregonte kufirin, ishte një mbishkrim në një rrasë të madhe, që shkruante më të kuqe “Allah”. Dhe prej kësaj pike e tutje ndryshonte edhe terreni.

Shenjat filluan të ishin shumë më të rregullta. Indikacion ky që i kishim lënë tokat e administruara nga shqiptarët, duke dalë kështu në një tokë tjetër shqiptare, por të administruar nga malazezët. Befasia e parë që na doli përpara ishte Shpella e Erës. Nuk kishim dëgjuar kurrë më parë për një tillë. Ajo nuk ishte thjeshtë një shpellë, siç ishin dhjetëra të tjera. Prej saj lirohej një i ftohtë aq i madh, sa ishte e pamundur të qëndroje përpara hyrjes së shpellës më gjatë se disa sekonde. E sidomos kur kontrasti është aq i madh, gjatë muajve të verës. Se për çfarë arsye nga shpella del një acarë i tillë, përgjigje nuk gjetëm askund. Pasi u argëtuam me shpellën për disa çaste e vazhduam rrugën drejt Vuthajt. Terreni në pjesën e Malit të Zi, në kilometrat e para, ishte jashtëzakonisht i vështirë. I gjithë shtegu kalonte mbi shkëmbinjtë. Një shpërqendrim i vogël, e kjo kryesisht vije pas lodhjes së madhe, mund të kushtonte. Prandaj, më kujdes duhej kërcyer prej një guri në një tjetër, prej një kërrshi në një tjetër.

Në horizont tash po shihnim disa alpinistë, shumë më serioz se sa ne të dy, sa i përket pajisjeve që posedon. Ky ishte kontakti i parë me njerëz pas rreth 6 orësh ecjeje. Ata ishin kurioz të dinin se prej nga po vinim, kurse ne ishim kurioz të dinim se kah po shkonim. Ata ishin një grup i serbëve, që shoqëroheshin nga një polak. Ne u befasuam që ata ishin serbë, në troje shqiptare, ndërsa ata u befasuan që ne ishim shqiptarë që kishim vendosur të ecnim pa pagesë. Pasi e shuam kureshtjen fillestare, vazhduam të ecnim secili rrugës së vet. Duhej të nxitoheshim pak, sepse edhe më tutje nuk e dinim se ku do të flinim, e as nëse kishte ndonjë hotel në Vuthaj. Në anën tjetër ora e kishte kaluar shtatë të mbrëmjes.

Personin e parë që e takuam në hyrje të fshatit ishte Azgan Dedushaj, inspektor komunal.

Na takoi ne të dyve të shtrirë nën një pemë, duke u mbrojtur nga një shi që sapo kishte nisur. Azganit i dukesha fytyrë e njohur dhe thoshte se diku ishte takuar më mua. Unë po tallesha, e i thosha se ‘shumë e pulat i kemi ngrënë së bashku e tash po bohesh se nuk po më njeh”.

“Pula nuk kemi hangër, ama me u taku po”, insistonte Azgani.

Pas një copë rruge i sqaruam këto dilema. E pyetëm edhe Azganin, siç e pyetëm edhe secilin prej vuthjanëve, se sa shtëpi i kishte fshati. Edhe ky, sikur secili syresh, u përgjigj se: “Thuhet se Vuthajt i kanë pasur 300 shtëpi”. Por se sa shtëpi i kanë tash Vuthajt, këtë përgjigje askush nuk na e dha.

Në Valbonë, Isa, na kishte sugjeruar të shkonim e ta kërkonim Kujtim Dedushajn, për konak. Isa nuk ishte i sigurt nëse ky fshat turistik, edhe më tutje është duke refuzuar që të bëhet fshat turistik, pra që të ketë ndërtime të dedikuara për turizëm dhe për turistë. Azgani, ishte ai që na tregoi se për të kërkuar hapësirë fjetje më qira ne duhet të shkonim në Guci, ose Plavë. Sepse vuthjanët ishin shumë krenarë që të lëshoheshin në aventura të tilla, duke lëshuar dhoma më qira. Një malësor, i këtij vendbanimi, ose të ofron konak pa pagesë, ose nuk ta hapë derën.

Kurse kontakti ynë i parë, Kujtimi, nuk ishte në shtëpi. Dikush nga familja e tij na tregoi se ende nuk ishte kthyer nga Gucia. Ora kishte vajtur tetë. Tash ishim përballë një shtëpie tjetër, të madhe e të bukur, në oborrin e së cilës ishte edhe një kullë e lënë pasdore. Burrin që ishte në oborr e pyetëm nëse diku në fshat kishte taksi, se dëshironim të shkonim për në Guci, për të fjetur. Burri që po e pyesnim, për çudinë tonë, kishte veshur një palë rroba të KEK’ut, të Kosovës. Ai, duke u avitur në drejtimin tonë, tashmë po fliste me një shofer taksie në telefon. Por ende pa e ndërprerë telefonatën i tha taksistit se “megjithatë do të rrinë tek unë”.

Kështu, Ujkan Ulaj na tha se nuk kishim nevojë më që të kërkonim rrugëve një dhomë më qira. Do të ishim mysafirët e tij. Tha se hapësirë kishte mjaft. Kjo edhe dukej. Ai e kishte një shtëpi tri kate të lartë, kurse në të jetonte ai më nënën, Fatimën, si dhe bashkëshorten e tij, Naxhijen, dhe dy fëmijët. Ne deshëm ta falënderonim për mikpritjen, si dhe për kafetë, e të vazhdonim rrugën për në Guci, në ndonjë hotel, por ky opsion nuk diskutohej më.

Logjikisht, secili prej nesh do të mund të mendonte se duke qenë më afër Valbona dhe fshatrat rreth saj janë më afër nesh. Por kur shkon në Vuthaj e kupton se politikisht dhe kulturalisht Vuthaj është tashmë pjesë e Kosovës. Banorët e këtij fshati epik i janë falënderues Kosovës për mundësinë e madhe që u ka dhënë atyre gjatë këtyre dekadave, e sidomos Universitetit të Prishtinës. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë, e as kaq e njëanshme. Varësisht se prej cilës anë e shikon. Shumë më e drejt do të ishte nëse thuhet se sa shumë i ka dhënë ky fshat Kosovës. Më lejoni që t’i përmend disa mbiemra dhe ju do ta kuptoni se ky fshat i ka dhënë Kosovës më shumë kuadro se sa pothuajse secila komunë e jona.

Është e pamundshme që ketë të mos e nisim me mbiemrin Qosja. Vazhdimisht thuhet se profetët nuk janë të popullarizuar në vendlindje, por ky fat nuk e ka ndjekur edhe Akademikun Rexhep Qosja. Pa dyshim ai është kryesimboli. Madje, nëna e Ujkanit, Fatmija, 76 vjeçare, irritohet sa herë e sheh Ismail Kadarenë në televizion, sepse sipas saj, ajo e kritikon ‘këtë tonin’. Lista e personaliteteve me mbiemrin Qosja, që japin kontribut në Kosovë , përmban edhe shumë emra tjerë.

Kalojmë në mbiemrin Dedushaj, me profesorin Isuf Dedushajn. Mandej Ulaj, me ish drejtorin e Xhevdet Dodës, Binak Ulaj. Gjonbalajt, një armatë e tërë të rinjsh dhe të vjetërish. Prelvukajt…, Çelajt…, Ahmetajt etj. etj. Këta mbiemra që sapo i përmenda mund të mos kenë dhënë kuadro për çmime Nobel, por definitivisht kanë dhënë kuadro elitare për standardet shqiptare dhe më gjerë.

Vijon: Një ditë në Vuthaj….

7 komente në “REPORTAZH/ Në vendlindjen e qosajve, dedushajve, ulajve, gjonbalajve, prelvukajve…”

  1. psy says:

    Te pakten Celajt dhe Ulajt jane hajdute te njohur dhe te konfirmuar!

    1. I Hoti says:

      Kush i konfirmoi? Ti?!!!!Polic prokuror hetues e gjyqtare!!!!!1 Po ndonje fjale te mire di te konfirmosh per keto fise madheshtore te malesisive shqiptare??????

  2. Adem says:

    O Berat, po shyqyr qe i ike politikes. Lajm i mire per te gjithe ne.

  3. kosovrasti says:

    eshte vendi me nje bukuri te rralle natyrore,ne nje hapsire 10 kilometra gjendet lumej liqeni ujevara shkembinje fusha etj….prej atije vendi te vogel kane dale njerze te medhej pervec qosajve dedushajve prelvukajve ,prej atije vendi jane edhe ali pashe gusia jakup e hasan feri esate dhe hasan mekuli baletani i pare ne kosove abdylerrahman nokshiqi rexho mulluiqi,ajo treve eshte histori ne vete

  4. Shqiptari i Kosoves,krahines se Shqiperise says:

    Te falenderoj,Berat per kete reportazhe mbi vendbanimet shqiptar,sidomos e falenderoj edhe gazeten”TEMA”,qe per shqiptaret e Shqiperise e boton kete tekst,per te kuptuar,trupin e coptuar te quajtur SHQIPERI,pjeset e te cilit shume shqiptare nuk i dine ose nuk duan t’i dine!Ne 1979,autori i ketyre rreshtave ishte ne Shqiperi dhe befasine e dyte pas te pares qe arrita ta vizitoj Shqiperine MEME,e pata kur femijte shqiptare per rreth nesh u befasuan kur na degjuan se flisnim ne gjuhe shqipe dhe ishim shqiptare.I ziu,Enver,gjysmen e tokave shqiptare i kishte pas shpallur inegzistente derisa,shqiptaret e Kosoves ne 1981,me demostratat anti-jugosllave me flamurin kombetar shqiptar i thane se,gjaku i arberit jeton edhe jashte Shqiperise londineze,ne token e tyre lene amanet nga Zoti dhe te paret tane.

  5. Vladimir says:

    Flm Berat, kemi me te vertet shume nevoje te njohim veten tone. E kam lexuar me nje fryme Shqiperine e eperme te Edit Durham, por shume ujra kane rrjedhur qysh atehere. Ndofta duheshin me shume te dhena per banoret, jetesen e tyre, shkollimin, perspektiven e nevojat qe kane ne ato vende te ndriçuara, por te largeta dhe paksa te veshtira per te jetuar. Sidoqofte edhe nje here Faleminderit.

  6. S.GjonBala says:

    Toponomia

    Vuthaj. Emri i krahinés, brenda së cilës përfshihen të gjitha fashatrat e saj. Emri Vuthi vjen nga Legjenda e Majës së Vajzës, në të cilén personazhi kryesor është vajza e Vuthit.
    Prandaj ka mundësi, që ky emër vjen nga lashtësia. Nga emri Vuthaj rrjedhin dhe emra dhe mbiemra të tjerë: Vuthjan- i , vuthjan- e (emër); Vuthjan, -i,-e (mbiemër) ose sikurse i përdorin në disa krahina të tjera: I Vuthjani, e Vuthjane. Eshtë shumë i përhapur mbiemri Vuthi. Kétë e takojmë në Tiranë, Shkodër, Vlorë Pejë e në shumë krahina të Tjera. Pushtuesi serbë Vuthajt nuk i quajnë me emrin e tyre por me emrin ” Vusanjë “.
    Dhe në këtë mënyrë përpiqen të argumentojnë se gjoja vika nga fjala “Vuk “(ujk) të ndryshuar me kalimin e kohes me Vus – Vusanje, çka nuk i përgjigjet aspak realitetit as shpjegimt shkencor. Ky shpjegim hidhet poshtë gjithashtu nga fakti se banoret e kësaj ane gjithmonaë e kanë quajtur dhee quajnë vendin e tyre Vuthaj. Po ashtu e takojmë të shkruar qysh në shekullin Xlll në trajtën Vutkaj. Pra, serbishtëfolsi nuk mund ta shqiptojë tingullin “th ” dhe siapsa logjikës së tyre megallomane duhet ” govori kako je bog govorio ” ( fol ashtu si ka fol Zoti ).
    Prandaj detyrimisht i duhet gjetur adeukati e që në këtë manyrë “Th’ kalon në “S”. Kështu që në vend të emrit të vërtetë Vuthaj në shkrimet e autorëve serb e gjemë të shkruar në trajtën Vusanje.
    Në lidhje me ketë duhet theksuar se Vuthjan që kanë ruajtur gojëdhënën tradicionale mbi prej ardhjen e tyre, mbi origjinën, mbi vendin e trojet e të parëve të tyre, takojmë dhe sot në Shkodër, Lexhë, Kurbin, Krujë, Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Malësi e Gjakovës, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Sjenicë dhe në shumë zona të tjera të ballkanit, madje jo vetëm të tij, por edhe në shumë vende të Europës dhe të botës. Pavarësisht se ku ndodhen, ku jetojnë dhe punojnë, ata nuk e harrojnë amanetin e të parëve të tyre që me gjakun e vet mbrojtën trojet etnike shqiptare duke luftuar kundër pushtuesve të njëpasnjëshem, Romak, Bizantin, Sllav e Osman.
    Kudo që ndodhen, Vuthjanët e dijnë se janë të Vuthit, si janë Kelmendas _Shqiptarë të pamposhtun që kanë ditur e dijnë “me ruajt besë e burrni, fe e atdhe, mikpritje e bujari, trimëri e atdhedashuri”.

    GËRDHATA
    Vend i thepisur Shkamborë,. Prandaj me këtë emër quhen të gjitha pjesët shkëmbore të bjeshkëve në alpet Shqipatre. Duhet patur mirë parasysh se të gjithë bjeshkët shqiptare në zonën nga Malësia e Mbishkodrës, deri në thellësi të bjeshëkve të Kosovës, ndahen në : Rudina dhe Gërdhata. Pothuajse të gjitha fshatrat Vuthjane, po sidomos Valbona dhe katuni i Eperm janë të rrethuara nga male të larta shkëmbore, si Maja e Hekurave, Maja e Rosit, Kollata, Kamlemi, Podgoja.
    Të gjitha këto bjeshkë me emra të veçanta sejcila, quhen me një emër të përbashkët: Gërdhatë. Prandaj jo vetëm që nuk mund të quhen me emer tjetër, por domosdoshëmerisht duhet hequr nga përdorimi ? Së pari, për arsye se një bjeshkë me një emër të tillë nuk ekziston dhe, së dyti, për arsye se ky term është marrë në menyrë shumë arbitrare, pa u thellaur fare në një analizë të mirëfilltë kuptimore të përkthimit të termit serbisht “PROKLETIJE”, duke bërë në këtë mënyrë edhe një krim tjetër për arsyen e thjeshtë që lidhet me lashtsinë e gjuhes shqipe me këto treva, sidomos kur krahasohet me gjuhën e ardhacakëve të vonshem sllav në këto anë ballkanike. Po ashtu njohësit e serbishtes e dijné se fjala Gërdhatë – tekstualisht nuk mun perkthehet, mbasi asaj i mungojn” tingujt. Dhe prandaj meqë nuk ka mundësi të përktheht është nisur nga kuptimi i fjalës Gërdhatë – vend shkëmbor i thepisur, pra vend i thyëshem, i veshtirë, i pakalueshém, ose që kalohet me vështirësi, prandaj dhe është quajtur “Prokletije”- Vend i mallkuar, vend i shkretë. Për pasojë, serbishtfolsit, të gjitha ato vende që banorët e këtyre anëve i quajnë Gërdhatë, ata ata i quajnë ‘prokletije”. Nuk ka se si të jetë “bjeshkë të nemura “, bjeshkët livadhore të mrekullueshme që shtrihen në një sipërfaqe shumë të madhe nga Bori në Sylbicë dhe më tej, të Cilat rrallëkun mund të takohen.

    QAFA e BORIT

    Bjeshkë- Gërdhatë dhe livadhore (rudina). Ndan gërdhatën nga rudina. Serbishtëfolsit me qëllim që të mohojnë çdo gjë që dëshmon lashtësin shqiptare edhe këtë janë munduar ta ndryshojnë, duke e quajtur “Qafbor”. Duket qartë se është e njëjta gjë. Edhe qafë edhe bora janë fjalë shqipe. Duhet patur parasysh edhe një fakt se serbishtfolësit në shumë raste nuk kanë mundur të përshtatin përkthimin sepse në rastin konkret do të kishim Qafë – Prevoj dhe Bora- sneg, pra nuk mund të përshtatet, prandaj ka mundur në atë trajtë. Nëpërmjet kësaj qafe Katundi i Eper lidhet me Çeremin dhe më gjerë me Malësinë e Gjakovës. Ka qenë në të kaluëren pikë nga ku përcillej kushtrimi për ndimë.

    MAJA E KOLLATËS ( KOLLATA)
    ndodhet midis Qafës së Borit dhe Lugut të Persllopit. Eshtë pikë shmë e lartë në alpet Shqipatre. Shpesh herë në të kalurën ka qenë çerdhe strehuse e luftëtarëve të lirisë, edhe e shqipeve.

    LUGU I PERSLLOPIT.
    Bjeshkë e Vuthjnëve. Nëpër të kalojn një rrugë këmbësore që lidh Katunin e Eperm me Valbonën.

    GROPAT E PERSLLOPIT
    Ndodhen në të njëjtën bjeshkë dhe janë groa të mëdha livadhore shumë të përshtashme për kullosë. Këtu kanë veruar dhe vjeshtuar barijt vuthjanë me tubat e dhenve. Ndoshta këtu është kënduar edhe kënga e bareshës për bariun ” Nisin Bjeshket m’ u vetmue ….”

    QYTEZA ( QYTETZA)
    Shqiptohet nga vendasit Qytezë dhe Qytetzë. Ndodhet midis Qafës së Borit (bjeshkë) dhe Bjeliçit. Është pronë e Vuthjanëve (Ahmetajve). Është nji livadh tipik alpin në bjeshkë shumë të larta, teper karakteristik, i rrethuar nga të tri anët shkëmb rrasor të pakaluëshem. Kur e shikon nga larg, ka pamje e një qyteze – kështjelle shumë të bukur. Në livadhin ka kodrina të vogla (punë për arkeologun).
    Dominoin mbi grykën, rrugën që kalon nëpër Asht të Nrelit për në Malësi të Gjakovës. Shtegun e ka në lindje. Pranë, në pjesën e poshtme të shkëmbinjve rrethues, ka shpella.

    BJELIÇI
    Bjeshkë, pronë kolektive e Gjonbaljave. Thuihej nga të moshuarit se ka kjenë bjeshka e Tuç Gjonit të famëshem.

    MAJA e ROSIT
    Bjeshkë në Bjeliç, pika më e lartë.

    SHPINA e ROSIT
    Kështu quhet pllaja e Majës së Rosit.

    LUGU i BJELIÇIT
    lidh Bjeliçin me Gropat e Romanit.

    ASHTI i BJELIÇIT, (Pylli i Bjeliçit)
    Këtu, në këtë rast, “A ” është e zgjatur Fjala ” Asht – i” në këtë trevë përdoret për pyje me sipërfaqe të madhë që janë shekullore.

    SHPELLA e PALIT
    Të dy fjalët janë shqip. Shpella qysh në lashtësi është e njohur vetëm me këtë emër. Eshtë mjaft e madhe. Ndodhet ne rrënxë të Shkamit të Palit. Verës në të mrizojnë bagëtija. Vende të tilla konsiderohen të bekuara,.

    SHKAMI i PALIT
    Shkëmb rrasor shumë i lartë, prandaj kur ndonjeri ndërmirrte ndonjë veprim ose punë të vështirë, të parealizueshme, përdorej shprehja orgjinale vuthjane “shtyj byth me Palin”, po qe i zoti lëvize shkëmbin nga vëndi, dmth, mos i hy një pune që nuk mund ta bësh.

    LUGU i PALIT
    Nga Bjeliçi zbret mbi shkemb të Palit.

    QETET e PALIT (Bjeliçit)
    Të gjitha këto vende janë të lidhura midis tyre. Nga shpella kalohet në Qeta, prej këtej në livadh dhe nga ky në lug. Dëshmi se këtu dikur ka banua Pali ose Paloka.

    QETAT e EDHAVE (Qetat e Kqija)
    Shtegu për t’ u ngjitur në to është shumë i vështirë, madje edhe qetat janë të thyeshme. Prandaj janë vend i përshtashëm vetëm për edha për ti ngujuar gjatë verës.

    KUJI i BRESHNIT
    Është një kodër shumë e lartë, e bukur, livadhore në Bjeliç.

    SHTEGU i BJELIÇIT
    Lidh Romanin dhe Bjeliçin me anë të një rruge këmbësore.

    ROMNI (Roma)
    shpjegimet janë dhënë tek legjenda Maja e Vazës.
    BREGU i ROMNIT
    LUGU i ROMANIT
    ASHTIi ROMANIT
    RRASAT e ROMANIT
    GURI i ROMANIT
    QAFAT e ROMANIT
    GROPA e ROMANIT

    MAJA e VAJËZES (shih legjenden)

    QETAT e SHTJERRAVE
    Quhen qeta sepse kanë vetëm një shteg për t’u ngjitur në to. Ndérsa të shtjerrave për arsye se në to çojnë për verim qingjat, ua mbyllin shtegun dhe i lanë pa bari. Në ato kohra vjedhja ka qenë vepër e turpshme, prandaj qingjat kullosin e flinin të qetë në qetat e tyre.

    OTERGU i SHEUT
    Shpatinë e vogël në afërsi të mrizeve.

    BUNI
    Emra te tillë ka në të gjitha bjeshkët quhet vendi ku ndërtohen t’banet dhe vathnat për verim. Vjen nga fjala “me bujt”. Tek ne nuk përdoren shprehjet me origjinë sllave si stan, stanishte, stajanicë, por fjalët bun, bunishte e baçicë.

    ZASTANI
    Nuk dihet pse i ka mbetur ky emër që mund të shpjegohet me fjalët “Ndalu” ose e perbërë “për ne n’dban”. Pronë e pérbashkët e Vuçetajve e Qerim Sadikajve.

    GJOLLA
    Kjo fjalë përdoret në shumë kuptime por që të gjitha kanë në shumicën e tyre nji elemnt të pérbashkët – vendet ose objektet e emërtura kështu janë rrethore, janë të rrumbullakta, të rrethura ose jo nga objekte të tjera. Kështu kemi: Gjollat e krypës, që janë rrasa guri në shumicën e rasteve, të vendosura nga dora e njeriut dhe shërbejnë për të kryposë bagëtinë në to, sodomos delet dhe dhitë, prandaj edhe quhen Gjollat e dhenve, që ndodhen pothuajse kudo në kullosë. Gjolla, vende livadhore të rrethuara me pyje – gjollat e Lugut të madh. Por edhe në kuptimin pulla: Ju ka ba kryet gjolla – gjolla, ose ju ka ba ftyra tan gjolla.

    LIQENI I SHTARES
    Ndan është pikë kufitare midis bjeshkëve të Vuthajve dhe atyre të Shalës. Dikur ka qenë i mbushur me ujë, madje shumë i thellë tani është tharë. Emri nga uji dhe bimësija rrethuese.

    BREGU i NËSHTRASHES
    Bjeshkë e Kelmendasve, kufizohet me bjeshkët e Vuthajve.

    KAMLEMI.
    Bjeshkë e vogël në pronësi të Kukajve

    RRATHËT E KAMLEMIT

    ROPOJANI
    Vendi në rrugën Guci, Liqeni i shtares, Kullotë kolektive e Vuthjanëve.

    BIRA E ROPOJANIT
    Shpellë shumë e thellë që përdorej nga barijt si vend strehimi për të vjeshtuar delet.

    LIVADHI I DULIT ” VEND I MIRË ”
    Sipas dëshmive dikur, në të kaluerën e largët, kjo tokë është punuar.

    HEJDET
    Ky vend ndodhet midis Ropojanit dhe Gjollave të Zastanit. Është në pronsi të Vuçetajve. Ndoshta për këtë arsye janë quajtur banorët e kësaj ane, dikur, në të kaluëren e largët, hejdenik.

    FYTET E ZASTANIT
    Lugina të vogla që zbresin nga lartësia e malit në Gjolla te Zastanit. Dallohen nga vendet e tjera për faktin se vetëm në këto fyte rriten Lyrthat. Lloj bari i veçantë, me shije të veçantë, të moshuarit e rekomandonin si të shëndetëshem. Dilte në pranverë dhe vit për vit e mblidhnin. Prandaj quhet edhe ” Lugu i Lyrthave. Bimë pa stap me fletë të gjerë dhe em shije, erë të përafërt me atë hudhrës…

    GURET E IMERIT
    Në jug të Ropojanit, në rrënxë të malit të lartë. Janë të mëdhenj, me streh për t’u mbrojtur nga shiu, nevojtari. Rreth tyre dikur kanë veruar ose vjeshtuar barijt.

    KODRAT E ROPOJANIT
    Vend i pyllëzuar nga Ropojani deri te Kodra e Synit.

    SHKALLA E ROPOJANIT.
    Kështu quhet rruga nga Mrizet deri në Ropojan.

    PUSET E ROPOJANIT
    Kështu quhet rrjedha e ujit nga Ropojani q”w kalon përmes pyllit duke u shtuar gjatë rrugës me rrjedha të tjera.

    GURËT E ZENUNIT
    Janë në karahun e majtë duke u ngjitur Shkallës së Ropojanit. Vendi vjen si gropë e madhe, gurët janë shumë të mëdhenj, në rrënxë me streh në formë shpelle, ku po të gërmosh dalin mbeturina qymyri. Rreth tyre binin në sy mbeturina muri. Ky emër është shumë i lashtë.

    LUGU I MADH (MATH)
    Lugina midis Kamlemit dhe Podgojës deri në Puset e Ropojanit.

    SHTEGU I PODGOJËS
    Kalon nga Lugu i madh në Podgojë. Mund të kalojnë nëpër të vetëm këmbësorët dhe bagëtija e imtë.

    PODI I GËRDHATËS
    Rrafshinë alpine në lartësi të maleve shkëmbore.

    PODGOJA
    Emër i përbërë nga Pod dhe gojë. Podi në thellësi me dy kodrinat anësore ka formën e një goje të madhe.

    RRATHET E PODGOJES.

    PAJISHTA
    Vendi me dru paje. Vend pllajë. (Pllanë).

    BRADA E VEZIRIT
    Dikur kjo bjeshkë, sipas dëshmive gojore disponuese, ka qenë e vëllazërisë Vuthjane Bruçaj

    SHPELLA E SHLLINES
    Ndodhet në rrënxë të Bradës.

    RUDINA
    Të gjitha bjeshkët që janë livadhore. Rudina është pjesa livadhore më e bukur e të gjithë krahinës. këto livadhe kositen, në to atykëtu mbillen patate, elbi, thekra etj. Duhet theksuar se rudinë quhen të gjitha bjeshkët livadhore krahas emrit që kanë Kështu psh. Rudina e Sjapicës.

    GURI I KALASË (KERRSHI I KALASË)
    Ky vend ndodhet në afërsi të Gucisë, në rrugën që vjen nga Vuthajt. Guri është pozicioni dominues ndaj Gucisë dhe më gjërë ndaj luginës në drejtim të Plavës dhe të Vermoshit. Gojdhëna popullore thotë se aty, në atë vend, dikur në të kalueren ka qënë një kala. Gjithashtu thuhet se në pjesën e poshtme ku janë varret e ushtarëve turq nuk dihet a ka pasë ose jo varre para tyre, por në pjesën sipërme, ku mendohet se ka qenë Kalaja ka gjurmë varrezash të lashta. Jo shumë larg nga guri, në hyrje të Gucisë ndodhen sarajet e Ali Begut.

    GURI I GJON BALS
    Ndodhet në Balçinë të Luzhës. Kështu quhet edhe sot. Deri aty shkojnë bjeshkët e Vuthjanve.

    GURI I VAJZËS GJONIT
    Ndodhet në anën e sipërme të tij. Ka legjenden e vet. Kur erdhën dasmorët dhe e morën nusen, u munduan me e hjek atë gurë prej rruge, por nuk mundën. Në kthim nusja e kapi gurin dhe e hoqi nga rruga, prandaj dhe quhet kështu.

    GURI I SAHATIT
    Ndodhet në mes të rrugës që lidh Plavën me Gucinë. Pikë treguese se kalimtari ndodhet midis rruge. Po ashtu tregon se ka edhe nje orë dite kur dielli perëndon deri në këtë pikë.

    GURI I SAHATIT
    Në Pllane të Oruçi Zeqirit. Kur bjen hija e diellit në perëndim aty, ka mbetur edhe një orë dite.

    KODRA E KELBAZËS
    Ndodhet në mes të rrugës që lidh Vuthajt me Gucinë, midis Qosajve dhe GjonBalajve.

    KODRA E NILAJVE
    Bjeshkët e Kelmendasve

    KOLINA
    Emër i fshatit në perriferi të Gucisë. I përbërë nga Kola plus Lini baraz Kolina, serbisht Kolenoviq. Fshat shqiptar, por që me anë të martesave me boshnjake, kanë marrë gjuhën serbe duke harruar shqipen sidomos pas Luftës së Dytë.

    BORI I KOLINËS
    Këtu fillojnë Boret. Të gjitha janë pronësi të vëllazërve Kelmendas, çka dëshmon më së miri se edhe kolinasit jan vëllazëri Kelmendase.

    BORI I QOSAJVE
    Pronësi kolektive e fshatarëve të fashtit me të njëjtin emër Qosaj.

    BORI I ULAJVE
    Pronësi e përbashkët e vëllazërisë Vuthjane Ulaj.

    BORI I DEMIRAJVE
    Ndodhet midis Borit të Ulajve dhe Borit të Vuçetajve.

    BORI I VUÇETAJVE
    (i Sadik Bajramit). Ndodhet midis Borit të Demirajve dhe Kujit të Kadisë. Ka qenë pronësi të familjes së madhe të Sadik Bajramit Vuçetaj. Në këtë vend kanë dal për të bjeshkuar me bagëti. Një pjesë livadhore kositej kurse një pjesë e vogël mbillej me patate, elb dhe thekër.

    BORI I KUKJAVE
    Kufizohet me boret e tjera dhe Potkobillen. Eshtë në pronësi kolektive të vëllazërve Vuthjan Kukaj. Këtu, në këtë bjeshkë janë bërë kërkime gjeologjike.

    KUJI I KADISË
    Është midis Boreve dhe Radovanit.

    RADOVANI
    Ndoshet midis boreve,Podkobilles dhe Qafës së Borit. Këtu ndodhen disa liqej të vegjël, të bukur. Pronaret e këtyre dy bjeshkëve janë Kelmendas të shpërngulur prej kohësh nga ato anë dhe të instaluar në rrethin te Lezhës.

    POTKOBILLA
    Kufizohet me Bjeshkën e Memës, Sjapicën, Radovanin e Boret. Eshtë pronë e Vuthjanëve.

    BJESHKA E MEMES
    Pronësi e Hakajve (Ulajve)

    SJAPICA E HAXHIS
    Pronë e përbashkët e Haxhiajve (Kukaj)

    SJAPICA E DEDUSHAJVE
    Pronësi e kësaj Vëllazërije.

    ZABELI I DEMIRAJVE
    Pronësi e këtij barku.

    ZABELI I BAJRAM MUSES
    Pronësi e kësaj familje.

    TROKUZI I HASASNAJVE
    Pronësi e përbashkët e vëllazërisë.

    OSOJNA E MEMES (ÇELAJ)
    Pronësi e barkut.

    VRANICA E ÇELAJVE.

    QAFA E VRANICES
    Nëpërm,jet saj kalon rruga këmbësore që lidh Malësinë e Gjakovës me Plaven.

    MARKOVÇJA E ÇELAJVE

    GJARPNI I ÇEREMIT
    Pronësi kolektive e vëllazëris Ahmetj.

    MIJUSHA E GOÇAJVE

    DERZHANA E ORUÇAJVE (ÇELAJ)

    RRATHËT E BARDHË

    VALBONA
    Fshat – Lum, e Brahim Jakupit – Kukajve.

    QAFA E FORUMIT
    Nëpermjet saj lidhet Valbona me Katunin e Epërm.

    QAFA E VALBONËS
    Nëpermjet kësaj qafe kalon rrugë me anë të së cilës lidhet Dukagjini me Malësin e Gjakovës dhe më tutje.

    MRIZET.
    Quhen kështu mbasi këtu në këtë vend dikur mrizonin bagëtija në hijen e lisave të gjatë. Kishte gjolla krype për bagëtitë dhe burime ku pinin ujë. Vend i bekuar dhe i shejtë. Në pronësi të përbashkët të fshatit.

    SYNI I SKAFKAÇIT
    Bukuri magjike. Ndodhet në Katun t’Eperm. Eshtë burim i madh midis një guri të rrethuar nga kodrina të vogla me shkurre dhe livadhe. Eshtë në formë rrethi, në formë e një syni të madh, me ujë të pastër, të kristaltë që nuk shterr asnjëherë. Prandaj edhe emri Syni. Thonaë se kanë rrënjë të përbashkta Syni i Skafkaçit, Kroni i Thethit (Shale) dhe Burimi i Valbonës. Në vjeshtë dhe pranverë këtu derdhen Sheu i Mrizeve dhe Sheu i Trent. (Te ky i fundit e ka vendin qoftëlargue – dreqi). Ky burim mijravjeçar nuk ka pasur, as që ka emër dhe legjendë tjetër. Janë mjeran ata që mundohen ta njollosin burimin e pastër si shpirtin e banorëve të atyre krahinave me emra të tjerë.

    GURI I ÇAME (KERRSHAT E ÇAME)
    Janë dy pranë njari – tjetrit shumë të lartë, duken sikur i ka çarë dora e njeriut.

    KODRA E SYNIT
    Ndodhet pranë burimit.

    LESKOVA
    Ka livadhe, are, dhe kullotë. Ka shumë lajthi, prandaj dhe emri shqip domosdo ka qenë lajthi.

    GJOLLAT E LESKOVËS
    Këtu livadhe (roga) që quhen gjolla por ka dhe gjolla krype. Janë pronë e përbashkët e fshatit.

    SUKAT E LESKOVËS

    RRETHI I LESKOVËS

    SHPELLA E FRATIT
    Ndodhet në rrathë të Leskovës.

    LAQE
    Livadhe në pronësi të Vuthjanëve. Pothuajse krejtësisht të rrethuara me ujë. Pra livadhe që lahen nga uji.

    DRUNI I SHTREMT
    Ndan Paishten e Katundit t’Eperm nga ajo e Gjonbalaj.

    ZGERLYQI I LESKOVËS
    Grykë – rrugë që zbret nga Leskova në Gjonbalaj.

    SUKA
    Janë disa vende të tilla që kanë shumë rrasa guri prandaj dhe quhen kështu.

    PODET
    Rrafshina me kullosë në krahun perëndomor të Zgërlyqit.

    SHKAMI I BLETËS
    Ndodhet në fund të Paishtes së GjonBaljve. Sipër Podeve. Në shkëmb bleta ka ndërtuar ” banesën ” e saj. Të moshuarit thonë se këtu i kanë lënë brezat parardhës. Konsideroheshin si të shejta dhe të paprekshme. Thuhej “ai çi shkon me i guc ato, thyen qafën “. Në verë nga të nxehtit mjalti pikon.

    LIVADHI I VOGËL
    Ndodhet pranë Gerles.

    GERLA E VUTHAJVE
    Ujvarë shumë e bukur. Një vend i tillë kaq i bukur është vështirë të takohet. Në këtë ujvare derdhen Skafkaçi që vjen nga Syni dhe Sheu i Mullinit me prurjet e tyre. Në hyrje është ujvara. Uji bjen pingul nga lart posht pa takuar asgjëkundi. Atje ku bjen ka krijuar një pellg të madh. Dhe pastaj uji zhduket nëpër të çarat e shkëmbit në një thellësi shmë të madhe ku ka krijuar dhe shtratin. Nuk duket deri në dalje në GjonBalaj. Dalja po ashtu është shumë e bukur. një shpellë shumë e madhe. Në Gerlë ka tri vendkalime, Lugu i Vades së Shales, Ura e Gurit që nuk është shumë larg LUGUT por që është në thellsi të madhe dhe përdoert shumë rrallë, Ura e Gurit mbi Gjonbalaj që përdoret rregullisht vetëm nga këmbësorët.

    MREMATANA
    Lagje e vogël në Katund të Eperm, me livadhe, ara e ujë të bollshëm.

    GROPAT E DHIVE
    Disa rroga të vogla sipër gjollave në Mrematanë.

    GROPA E QELANAJE
    Një rogë e madhe pranë fshatit. Aty ndodhen dhe varreat e hershme.

    QOKISHTA.

    VELABISHT
    lagje e vogël në Katund të Eperm.

    ZARUNICA
    Lagje e vogël në Katun te Eperm.

    SHKALLA E ZARUNICËC

    PLLANA
    Quhen kështu të gjitha pllajat.

    MOKNA
    Ndan Katunin e Eperm nga Gjonbalajt. Këtu pranë kalon një prru ku thonë se në të kaluarën ka pasur mulli. Ka mundësi që edhe emri të jetë shumë i lashtë.

    SHEU I MORRAVE
    Vjen nga boret, kalon Katunin e Eperm dhe Gjonbalajt dhe derdhet në Skafkaç.

    QARRISHTE
    Pllajë me shkurre qarri.

    KERRSHI I QOSAJVE

    SHTREJTI
    Ngushtica që ndan Gjonbalajt nga Qosajt.

    ZALLI I VUTHAJVE
    Vend livadhor në afërsi të Gerles ku mblidheshin njerëzit e rrinin, të rijt luanin.

    LIVADHET E VRUJES
    Lumi nga burimi i Synit deri te Burimet e Ali Pashës quhet Skafkaç,pastaj nga këtu deri se bashkohet me Gerçarin quhet Vrujë. Gerçari dhe Vruja formojnë Luçen. Livadhet e Vrujës janë pronësi të Vuthjanëve.

    BURIMET E ALI PASHËS
    Ndodhen në rrënxeë të Bradës. Janë në pronësi të Vuthjanëve. Këtu është edhe kufiri i trevës Vuthjane me Gucinë. Eshtë vend turistik shum i bukur.

    LLAZET
    Kështu quhen të gjitha pjesët livadhore (gjollat) që ndodhen nëpër pyje nga Kolina deri në Hakaj.

    ZALLI I KOÇISË
    Ndodhet midis Kolinës dhe Krushevës. Vendi i përshtatshëm për vrapim kuajsh. Prandaj edhe emri është i tillë.

    GURRA E MEHMET ZENELIT

    GURRA E BUZBREGUT

    GURRA E ZARUNICËS

    GURRA E FUSHËS SË SIRME

    SKAFKAÇI
    Buron te Syni dhe derdhet në Vrujë.

    QAFA E PEJËS
    Lidhe Plavën dhe Gucinë me Dukagjinin dhe Shkodrën. Në Qafë të Pejës ndodhet edhe një vend që quhet Runica. Këtu ka gropa, të cilat në të kaluerën mund të kenë shërbyer për të nxjerrë mineral prej tyre.

    SHPELLA E PEJËS
    Ndodhet në shpat të Qafës së Pejës kur zbret për në Theth. Këto toponime, pra, ndodhen midis trevës Vuthjane dhe Dukagjinit. Këtej ka kaluar rruga e herëshme që ka lidhe dy qendrat e mëdha tregtare shqiptare, Shkodrën dhe Pejën. Prandaj është krejtësisht logjik emërtimi mbasi përgjigjet në pytjen: Ku po shkon ? Në Pejë. Për ku je nis ? Për në Pejë. Kah po kalon me shkue në Pejë? – Po i bie për Qaf të Pejës. Ku të zuni nata? – Në Qafë të Pejës. Po ku fjete.- Në Shpellë të Pejës.
    Eshtë interesante fakti se, sikurse kam theksuar edhe në raste të tjera, serbishtfolësit kudo ku kanë mundur kanë bërë përkthime, përshtaje ose kanë ndryshuar toponimet autoktone shqipe. Edhe këtu janë munduar ta ndryshojnë prandaj e kanë emërtuar peqakeq. Sikurse shihet kemi një toponim të përbërë nga fjalët: Peq – Peja dhe keq – i keq.

    MARTINAJT
    Fshat, i cili me sa duket emrin e trashigon nga Martini. Pushtuesit serb edhe këtu kanë bërë ndryshime duke e quajtur Martnoviq – Martinoviq.

    JERINA
    Eshtë një majë e vogel ndërmjet Martinajve, Zagrajes dhe Dosugjes. Thuhet se aty dikur ka ekzistuar një Kala. Eshtë vend që dominon mbi të gjithë Luginen nga Gucia në Plavë. Pranë ndodhet fshati Zagragje me shumë livadhe dhe kodrina. Vend interesant për Arkeologët.

    MURRIZET E MARTINAJVE
    Quhet kështu një pjesë e rrugës midis Martinajve dhe Dosugjes.

    DERSHKAMJA
    Nga fjala shqipe Ndershkamja, bjeshkë që kufizohet me bjeshkën e Dul Dashit, të cilin serbishtfolsit e quajnë Dulov Katun.

    QAFA E KUQE
    Ndodhet në bjeshkë të Martinajve.

    LLAZI I PRELASH GJOKËS
    Dëshmi se pronari i dikurshëm ka qenë Kelmendas dhe nga dhuna e pushtuesve të ndryshëm është larguar.

    QAFA E GJO TURKUT
    Ndodhet midis bjeshkëve të Martinajve dhe të atyre të Kelmendasve të shpërngulur.

    GROPA E LEK RRUSHËS

    KODRA E UJKES

    LLAZI I MUSTAF KURTIT

    SHEU I PRELIT

    VIZITORI I SYKAJVE
    Këta janë Kelmendas të shpërngulur prej kohësh në Rrethin e Lezhes.

    GOLESHI I TURKUT

    QAFA E RUDAJE

    GROPA E SMAJLIT
    Lagje e fshatit Martinaj.

    GJATORE
    Ndodhen sipër Gropës së Smajlit dhe është vend i përshtashëm për gjueti.

    KODRA E NINAJVE
    Bjeshkë e Martinajve.

    GROPA E DEÇIT
    Aty ndodhet edhe Gurra e Gropës së Decit.

    MAJA E MEHIT
    Serbishtfolsit e quajn Greben.

    ZELETINA E MIRË E GJERIT
    Zbret deri afër Cecunit.

    ZELETINA E GJETO ÇOKUT
    Ndodhet midis Cecunit dhe Nakutit.

    VALI I MARTINAJVE
    Bjeshkë, pronësi kolektive e fashtit.

    QAFA E VALIT

    DBANISHTA
    Kështu quhet Buni.

    BJESHKA E KEQE
    Pronëe Martinajve, zbret deri afër Morinës.

    KUJI I QAFËS
    Ngjitur me Mejën e Mehit.

    BIRAT E XETA
    Ndodhen në shkëmb siper Fshatit Martinaj.

    SYNI I HAVES
    Burim në fshatin Martinaj.

    BRINAT (Shleg) e ROQKES

    LIVADHET E LUÇES

    LIQENI I PLAVËS
    Këtu derdhet Lumi Luçë me prurjet e tij dhe nga ky Liqen buron Lumi Lim.

    PEP SHOSHI
    Serbishtfolsit e quajnë Vojnoselo për faktin se këtu në kohën e pushtimit Osman patën ardhë mercenarë të tyre serbishtfolës nga krahinat e thella të Bosnjës.

    KRONI I PEP SHOSHIT
    Ndodhet në qendër të fshatit.

    PRROI I MUÇES
    Ndodhet në Pep Shosh.

    PRROI I BARDHË
    Ndodhet në fshatin Hakaj. Pranë këtij përroi éshtë gjetur në thjellësi një gur mulliri i hershëm.

    ÇAKORRI> QAFA E ÇAKORRIT
    Fjalë të pastra shqipe. Kjo qafë ndan krahinën e Plavës nga ajo e Rugovës. Serbet e quajn vetem Çakorr.

    QAFA E DIELLIT
    Ndodhet në rrugën që lidh Plavën me Pejën midis Meteheve dhe Fushës së Babës. Serbët dhe këtu kanë bërë ndryshime duke e quajtur Dio, që don të thotë pjesë ose ndarje.

    VORRI I HANES
    Ndodhet midis Bunit të Sjapicës dhe Qafës së Vranicës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje