Ibuki-Bushati: Stabiliteti politik i Shqipërisë, faktor për sigurinë në rajon

20 Gusht 2014, 15:07Politika TEMA

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti në një takim Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Bunmei Ibuki dhe delegacionin Parlamentar që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. 

Ministri Bushati informoi kryeparlamentarin japonez mbi rëndësinë që Qeveria që përfaqëson i kushton marrëdhënieve me Japoninë dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy vendeve.

Gjithashtu ministri Bushati falënderoi Ibuki për kontributin e vazhdueshëm të dhënë nga Japonia nëpërmjet programeve të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) në Shqipëri.

Bunmei Ibuki, nga ana e tij, pasi vlerësoi stabilitetin politik në Shqipëri si një faktor i rëndësishëm sigurie për stabilitetin dhe zhvillimet në rajon, konfirmoi gatishmërinë e palës japoneze për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Dhe është pikërisht stabiliteti politik në vendin tonë, sipas kryeparlamentarit japonez Ibuki, faktor i cili më së shumti i hap udhën një pranie më të rëndësishme edhe të biznesit japonez në Shqipëri.

Gjithashtu, Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në organizatat financiare ndërkombëtare, si dhe për projekte të reja të rëndësishme për konsolidimin e ekonomisë shqiptare. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje