Mblidhet Konferenca e Kryetarëve/ Ligjet e kthyera nga Nishani, të hënën në Kuvend

29 Gusht 2014, 09:59Politika TEMA

Konferenca e Kryetarëve është mbledhur ditën e sotme, ku janë diskutuar dekretet e Presidentit Bujar Nishani për kthimin për shqyrtim të 4 ligjeve, ndërsa është vendosur që ata të futen në rendin e ditës për seancën plenare të së hënës.

Po ashtu është vendosur që dekretet e kthyera nga Presidenti të përfshihen në kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit.

Në këtë mbledhje, ka munguar sërish opozita, e cila të hënën pritet të shpallë vendimin lidhur me bojkotin parlamentar që vijon prej kohësh.

Pjesë e ligjeve të kthyera për shqyrtim në Kuvend nga Presidenti Nishani janë ligji për KLD, ligji për Policinë e Shtetit, ligjir për funksionimin e Gjykatës Administrative si dhe ndarja e re territoriale.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Edi Paloka edhe pse nuk mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve u shpreh se “Kryeministri dhe kryetari i në mënyrë të përsëritur dhe me paramendim janë bërë dhe një herë bashkëpunëtor në një krim të rëndë, shkeljen e Kushtetutës”.

Paloka, thotë se mbledhjet e komisioneve janë thirrur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit. Ai citon nenin 74 të ligjit themeltar të shtetit, në të cilin thuhet se “Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit”. Sipas Palokës: “Ashtu siç parashikohet në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Parlamentit, punimet e Kuvendit, pra edhe të komisioneve, duhet të fillojnë të hënën e parë të shtatorit, më datë 1, dhe nuk mund të nisin të premten e fundit të gushtit”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e maxhorancës kujtojnë se edhe më parë ka pasur precedentë të ngjashëm kur Parlamenti është mbledhur më herët. Rasti më i fundit, sipas tyre, është ai i mbledhjes së Kuvendit një javë para afatit më janar 2013, kur u zgjodh edhe kryeinspektorja e re e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Komisioni i Ligjeve u mblodh më 18 janar, ku shqyrtoi dy dekretet e Presidentit, ndërsa Parlamenti më 21 janar votoi për Zana Xhukën. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje