Eksperti i vjetër i ndërtimit dhe menaxhimit të rrugëve Faruk Kaba, ish-drejtor i përgjithshëm i rrugëve dhe anëtari i bordit të autoritetit rrugor shqiptar, bën një analizë therëse të gjendjes së mjeruar në të cilën ndodhet sot rrjeti kombëtar i rrugëve në Shqipëri. Sipas tij ka munguar vullneti politik për të ngritur një sistem modern planifikimi, ndërtimi dhe shfrytëzimi të rrugëve, duke sjellë si pasojë ndërtime jashtë standarteve, korrupsion masiv dhe shembuj katastrofikë si rruga Lin-Pogradec
Zoti Kaba, jeni ndër ekspërtët kryesorë të infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Si do ta cilësonit gjendjen aktuale të rrjetit rrugor në vendin tonë?
Përgjigja, ashtu si realiteti, është relative: nëse do ta krahasojmë me të kaluaren, po themi të para 15-20 vjetëve, sigurisht që ka shumë ndryshime, veçanërisht në drejtim të asfaltimit dhe rehabilitimit të rrjetit rrugor kryesor. Kjo është evidente, por po të kemi parasysh, që dy dekada më parë produkti i pergjithshëm shoqëror në Shqipëri nuk ka qenë më i madh se 1 miliard euro afërsisht, ndërsa tani është 8 deri 10 herë më i lartë, atëhere është evident edhe fakti që nuk është bërë ajo që duhej bërë. Është shtuar në mënyrë të ndjeshme rrjeti rrugor i asfaltuar dhe janë ndërtuar disa qindra kilometra të rrjetit nacional në standarte më të larta, deri në autostrada apo rrugë me katër korsi. Kjo si rezultat i mundësive financiare të pakrahasueshme me të kaluarën dhe në këtë kuptim, po të kemi parasysh burimet e përdorura, mund të themi, që gjendja e rrjetit rrugor nuk është e mirë, madje është në një farë amullie dhe situate të papranueshme.
Arsye kryesore e kësaj situate është organizimi i tërë ketij sektori, që do të thotë ndryshe, që nga organizimi i strukturave administrative të rrugëve (Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe pse jo dhe i Fondit të Zhvillimit) dhe në këtë kontekst edhe menaxhimi profesional i projekteve që nga projektimi, nga ndërtimi i tyre dhe mbikqyrja e punimeve. Si është e mundur qe të pretendojmë të kemi rrugë të mira dhe cilësore, kur nuk funksionon një hallkë shumë e rëndësishme, siç është mbikqyrja-kontrolli i punimeve? Është e pabesueshme, por plotësisht e vërtetë, që së paku me rrugët, mbikqyrësin e punimeve e përzgjedh kontraktori i punimeve! Si ka mundësi, që akoma për hartimin e projekteve nuk funksionon standarti ndërkombëtar FIDIC, por përzgjedhja bëhet në mënyrën më korruptive të mundshme, duke interpretuar me dashje, në mënyrë të gabuar, edhe vetë ligjin e prokurimit publik në fuqi.
Pra nuk bëhet fjalë për një arsye, por për një sistem të tërë që është jashtë funksionit dhe standartit. Meqë ra fjala për standartet, përveçse mungon një standart i mirëfilltë (në mënyrën më të papranueshme, akoma nuk ka në veprim standarte projektimi dhe ndërtimi të rrugëve, megjithëse shteti ka shpenzuar rreth 1 milionë dollarë për hartimin e tyre që në vitin 2006). Atëhere, çfarë bën administrata e rrugëve dhe kjo strukturë që manaxhon rrugët? Veçse tendera pafund dhe një monopolizim “in extremis”, madje edhe i çeshtjeve teknike! Apo bën planifikimin e investimeve(?), që në mungesë të strukturave kërkimore, s’është gjë tjetër veçse nje “sipërmarrje” empirike dhe pa kompetencë, në kundërshtim me interesat e zhvillimit të vëndit duke lënë pasoja në këtë sektor tejet të rëndësishëm të infrastrukturës në Shqipëri.
Jo vetëm që nuk është ndjerë asnjë përgjegjesi për cilësinë e ndërtimeve (edhe të projekteve), por nuk ka patur (dhe nuk ka) asnjë strategji profesionle (për të mos thënë shkencore) të mirëmenduar (minimumi një Masterplan) të zhvillimit të rrugëve në Shqipëri. Sigurisht kjo formë, ky organizim, kërkon një reformë të thellë për të dalë nga kjo gjendje.
Shikoni rrugën e Pogradecit në proces rehabilitimi, shembull i qartë dhe jo i vetëm i asaj çfarë ne bëjmë. Kontraktori ka për detyrë (dhe paguhet për këtë), që jo vetëm të ndërtojë, por edhe të akomodojë-mirëmbajë trafikun dhe për këtë mjafton që të gjithë aktorët e këtij projekti të kryejnë detyren: kontraktori, supervizori, që miraton grafikun dhe mënyrën e punimeve dhe klienti – shteti/administrata e rrugëve në këtë rast, që administron këtë investim:
që nga projektimi (shumë i pajustifikuar dhe i papërgjegjshëm në veçanti për këtë rrugë), deri tek përzgjedhja e kontraktorit, supervizorit dhe deri tek kontrolli i veprimtarise së tyre. Për fat të keq, pak a shumë, kështu veprohet me të gjithe investimet, të paktën ne fushën e rrugëve ne Shqiperi. Ja përse cilësia e rrugëve në Shqipëri lë shumë për të dëshëruar dhe që më këtë mënyrë organizimi që ne kemi, do të jetë akoma më problematike në të ardhmen.
Cilat janë problemet madhore që kanë dalë në pah në këto 24 vjet, në sektorin e ndërtimit të rrugëve?
Problemet në ndërtimin e rrugëve janë të shumta, si në konceptimin që i është bërë rrjetit rrugor, në implementimin më pas të këtij konceptimi, në projektimin dhe ndërtimin e tyre. E ashtuquajtura rrugë e Kombit, megjithëse ka patur një studim paraprak dhe një projekt teknik krejt të saktë, nuk u projektua dhe ndërtua plotësisht sipas kësaj ideje. Megjithëse relativisht më mirë se shumë rrugë të tjera të ndërtuara në Shqipëri, ajo nuk u ndërtua si një autostrade e mirëfilltë, që do të thotë se ajo nuk plotëson të gjithë parametrat e një autostradë.
Shikoni pak më tutje në Kosovë: autostrada është realizuar me të gjithe parametrat, përfshi ato teknologjikë të ndërtimit. Të tjera probleme dhe dështime për mendimin tim janë, moskompletimi i aksit më të rëndësishëm rrugor të Shqipërise, atij Veri-Jug (ndryshe Hani i Hotit-Kakavijë) në pjesën më të rëndesishme qëndrore të tij, Thumanë-Rrogozhinë, madje i kërkuar për t’u ndërtuar me koncesion nga koncesionarë të huaj. Dublimi i pamenduar dhe i gabuar i rrugës Plepa-Rrogozhinë ja ka ulur në maksimum interesin e ndërtimit më koncesion të këtij segmenti. Mund të themi se ky ka qenë një studim dhe projektim i papërgjegjshem, për të cilin, megjithëse kishte një oponencë, e cila sugjeronte mosndërtimin e saj, “vendimmarrësit” nuk e perfillën, duke hedhur në erë dhjetra milionë euro dhe duke corientuar skemën e zhvillit të rrugëve në rajonin qendror te vendit. E njëjta histori me dublimin e rrugës Milot-Thumanë, kostoja e së cilës ka qënë në mënyrë të papërgjegjeshme e projektuar me një kosto gati dy herë më të lartë se ajo që duhej të ishtë.
Më tej, zgjidhja e gabuar e bajpasit të Fierit dhe në kompleksin e këtij bajpasi, zgjidhja e gabuar e rrugës Fier-Vlore, hyrja dhe vetë bajpasi i Vlores, të cilat në kompleksitetin e tyre i kanë kushtuar ekonomisë më shumë se 100 milionë euro dëm të parikuperueshëm, dëm që do ta vuajë transporti për dekada me radhë. Ka dhe shumë shembuj të tjerë, por ndër më te dhimbshmit është edhe dështimi me Standartet e projektimit dhe të ndërtimit të rrugëve. Filluar me një investim të KE-se që në vitin 2006 dhe ku janë shpezuar jo pak para, ato edhe sot e kësaj ditë akoma nuk kanë hyrë në fuqi.
Pra, projektojmë e ndërtojmë pa standarte. Kur flasim për suksese apo dështime, më e rëndësishmja është të diagnostikojmë, të analizojmë përse ka ndodhur kështu? Cilat janë arsyet, shkaqet e kësaj situate? Dhe kjo nuk mund të gjendet pa bërë një analizë serioze dhe të saktë të shkaqeve që kanë sjelle këtë gjendje. Si është e mundur që kanë kaluar dy mandate të një qeverisje dhe vjen një qeverisje tjetër, e cila merr në dorëzim punë të mëdha tetëvjecare, pa bërë asnjë analize. Së paku, nëse është ndërtuar dhe administruar mirë kjo pasuri ku janë harxhuar të ardhurat kryesore të këtij vendi, të jepet një shpërblim, në të kundert të mbahet përgjegjesi, pasi vetëm në këtë mënyrë egziston një mundësi për të identifikuar shkaqet dhe diagnozën e sëmundjes së vertëtë.
Meqë përmendëm pak me lart rrugën e Pogradecit: në Kosovë po ndërtohet rruga Prishtinë-Mitrovicë. Është rreth 40 kilometra, jo thjesht një rrugë me dy korsi, por një autostrade modernë me katër korsi. Rruga e Pogradecit vetëm 24 kilometra dhe thjesht me dy korsi. E para ka filluar tani vonë dhe shikohet një progres i jashtëzakonshem, ku përvec të tjerave, ndërtuesi i saj nuk lejon pjesë të gjata rruge në gjendje të pakalueshme, por mirëmban dhe ndërhyn në segmente të kufizuar. Ndërsa në Pogradec, çfarë të shikosh?! Ka më shumë se tre vjet, që mjetet rropaten në një rrugë gati të pakalueshme. Komentet mendoj se janë të tepërta.
Rruga e Kombit ofron dy pamje mjaft të ndryshme në dy anët e kufirit? Pse kemi njhë segment rrugor ende të papërfunduar në anën shqiptare dhe një të tillë që plotëson të gjithë parametrat, në anën kosovare?
Është e vertete qe dy pjesë të një korridori rrugor kanë dy pamje të ndryshme: autostrada në teritorin e Kosovës është autostardë e plotë në të gjithë parametrat, ndërsa rruga nga ana jonë paraqet nje imazh tjetër. Në të vertëtë edhe tereni në të dy anët e teritoreve është i ndryshëm, por kjo nuk justifikon diferencat e konstatuara. Megjithëse edhe në Kosove janë shumë gjëra për tu përmiresuar, atje strukturat dhe administrata e rrugëve ka qënë shumë më e përgjegjëshme, shumë me profesionale dhe krejt në respekt të disiplinës tëknike, të standartëve dhe të rregullave, si në projektim, në ndërtim, në tenderim dhe në mbikqyrje të punimeve. Pra thjesht strukture e organizuar me kerkesa jo perfekte, por shumë më të larta, packa se edhe atje korrupsioni mund të këtë bere punën e vet. Shtojmë këtu faktin se në të gjithë strukturën organizative në Kosovë, drejtues të rrugëve dhe në të gjithe stukturat respektive, kanë qenë profesionistë. Ndërsa tek ne? Tek ne ka ndodhur e kundërta: drejtuesit dhe institucionet çdo gjë mund të kenë qënë, veçse profesionistë të vertëtë jo. Ky nuk është një problem i papërfillshëm, pasi në fund të fundit njerëzit janë ata që bejnë institucionet dhe me institucionet realizohen veprat.
Çështja, përse pjesa nga ana jonë e rrugës se Kombit, nuk është akoma e përfunduar, mund të jetë edhe çeshtje mungese burimesh financiare, por jemi të bindur, se me një manaxhim më të kujdesshem, ky korridor i rëndësishem mund dhe duhej mbyllur. Dhe këtu e kemi fjalën për mënyrat koncesionare dhe ato PPP. Mjafton një vullnet dhe pak dije dhe kjo vepër do të duhej të qe e kompletuar.
Nëse do t’ju duhej të bënit një klasifikim, cilat segmentë rrugore i mungojnë më shumë sot Shqipërisë? Dhe cilat janë ato që po ndërtohen, por që mund të ishin shtyrë për më vonë ose që janë joefektive?
Pyetja është me shumë vend. Sigurisht që është një çeshtje që ndjehet. Në radhë të pare, në Shqipëri mungon, ajo që thamë pak me lart, një strategji e mirëfilltë, por jo strategji kancelarish, por e ndërtuar nga institucione shkencore, të cilat në mënyrë paradoksale i mungojnë Shqipërisë. Pra në Shqipëri, në fushen e rrugëve nuk shpenzohet asnjë lek për shkencën dhe kërkimin. Kjo është e para. Shqipëria nuk ka një MASTERPLAN të rrugëve, që për shumë aresye, do të ishtë një barrikadë e dëmeve dhe mungesave të pafundme që kemi në këtë sektor të ekonomise. Masterplani, do të mund të planifikonte, të rendiste, të klasifikonte rradhën e ndërtimeve në vend. Duke e ndërlidhur edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që ka në dispozicion burime financiare të jashtëzakonshme, por që punon disi “kuturu” dhe pa koordinuar me rrjetin rrugor kryesor, mund të themi se Shtetit Shqiptar i mungon manaxhimi i mirëfilltë i këtij sektori. Ndërtohet një rrugë fshati, me parametra, po i quajme “ekstarvagantë”, në kuptimin e shpenzimeve dhe në raport të zhdrejtë me trafikun (pak trafik, shumë shpenzime) dhe lihet pa investuar në shumë akse më shumë se të rëndësishme, ku trafiku shpesh herë tejet i lartë krijon probleme të mëdha në lëvizje (në këtë rast shumë trafik, aspak investime). Kështu, është lënë në pikë të hallit, fare në qendër të vendit, rruga Kombinat – Plepa dhe asfaltohen dhjetra kilometra të një komunë (kemi shumë shembuj, por nuk është vendi ketu për t’i përmendur) ku kalon një trafik simbolik prej 50-60 mjete në 24 ore. Ose dhe me keq akoma: asfaltohet me parametra të tepruar një rrugë në një fshat të Beratit dhe rruga nacionale Lushnjë-Berat shtyhet në kalendat greke.
Duke vazhduar me këtë çeshtje, Masterplani i rrugëve mund t’i jepte një përgjigje të plotë, të saktë dhe shkencore, radhës së investimeve, por paraprakisht mendoj se duhet plotësuar korridori Veri-Jug (Hani Hotit-Kakavijë), veçanërisht me pjesën Thumanë-Rrogozhinë, që është, siç e thashë dhe më lart, segmenti më i rëndësishëm i rrjetit rrugor të Shqipërise dhe bajpasi i Lezhës dhe Shkodrës. Së dyti, duhet menduar kompletimi i segmentit Elbasan – Qafëthanë, si pjesë e korridorit të 8-të paneuropian. Maqedonia e ka filluar nga ana e saj dublimin dhe kompletimin e këtij korridori për të arritur në kufirin shqiptar. Rruga e Arbërit është gjithashtu ndër investimet e premtuara dhe të parealizuara.
Zgjerimi i rrugës me katër kalime Tiranë-Durres (së paku për t’u kthyer në autostradë 3×3 kalime) dhe bajpasi i Tiranës. Ne Tiranë duhet zgjidhur përfundimisht i gjithë aksi nga qendra e Tiranës deri në Rinas dhe Durrës, që presupozon zgjidhjen e kryqëzimit të Zogut të zi, zgjidhjen e kryqëzimit të Laprakës dhe kryqëzimin e Unazës së re. Nuk ka kuptim që nga qendra e Kryeqytetit për në aeroportin ndërkombëtar, të kalohet në një rrugë ku trafiku ndeshet me 3-4 ngjeshje-bllokime të shëmtuara. Tjetër investim i rëndesishem është rruga Shëngjin-Velipojë-Ulqin, rruga Librazhd- Ura Cerenecit në rrugën e Arbërit, Rrëshen-Klos-takimi me rrugën e Arbërit), rruga Elbasan-Kucovë sipas luginës së Devollit (jo nga Cërriku) dhe ajo Berat-Memaliaj. Ndërkohe është krejt e pajustifikueshme dhe duhet ndalur sa më parë investimi absurd në rrugën Qukës-QafPllocë. Ka dhe shumë shembuj të tjerë, por këto besoj se jane më domethënëset.
Kaba: Dështimet e administratës 2005-2013 në sektorin e rrugëve
Mosrealizimi dhe mosmiratimi i standarteve te projektimit dhe te ndertimit te rrugeve automobilistike. Jane shpenzuan 800 mije Euro. Duhej te kishin perfunduar qe ne vitin 2007. Rezultati: mungese e theksuar e disiplinimit te projektimeve dhe ndertimeve. Nje mungese e theksuar standartizimi, disipline dhe uniformiteti trajtimi ne rrjetin rrugor te ndertuar rishtaz dhe ate te rehabilituar. Kosto e larte per ekonomine e vendit.
Mosrealizimi i segmentit me te rendesishem rrugor autostradal te vendit, segmenti Thumane – Rrogozhine. Kerkuar me koncension qe ne vitin 2005. Zvaritur per mese 8 vjet dhe qe praktikisht mund te konsiderohet projekt i deshtuar. Tenderi i hapur vetem 2 muaj para zgjedhjeve te 2013, ne kundershtim me legjislacionin ne fuqi, e beri te pabesueshem per koncensionaret potenciale. Si pjesa me e rendesishme e kooridorit Veri – Jug, e ka nxjerre jashte funksionit kete korridor rrugor, me te rendesishmin e vendit.
Dublimi i gabuar dhe me pasoja shume negative i segmentit Plepa – Rrogozhine. Duke qene se zhvillohet pergjate zones turistike te Golemit, rruga egzituese ishte e mjaftueshme dhe duheshin zgjidhje per te larguar trafikun dhe lehtesuar zonen turistike, gje qe mund te realizohej duke zhvilluar segmentin paralel Thumane – Rrogozhine. Ne kundershtim me standartet dhe ligjet, eshte perfshire ne investimet e Shtetit pa kryer studim besueshmerie (fizibiliteti), madje eshte kundershtuar nga mendimi i specialisteve (oponenca), por qe nuk u mor ne konsiderate. Edhe projektimi ka qene shume i dobet dhe me te meta thelbesore.
Mosrealizimi i zgjerimit te superstrades Tirane – Durres (trafiku ka tejkaluar kapacitetet ekzistuese dhe zgjerimi eshte me shume se urgjent), kerkuar nga nje koncensionar superpotencial (STRABAG) qe ne vitin 2009, madje per te gjithe korridorin qe perfshinte zgjerimin e rruges egzistuese me kater kalime Tirane – Durres, me kosto totale 147 milione Euro dhe ndertimin e autostrades Tirane – Elbasan. Per kete te fundit Qeveria Berisha mori nje kredi prej mbi 250 milione euro, e cila mund te kursehej dhe mund te perdorej diku tjeter.
Marrja e kredise dhe financimi i gabuar i rruges Qukes – Qaf Plloce. Nje shembull i turpshem i abuzimit me buxhetin e shtetit. Kjo rruge ne kundershtim me te gjithe standartet, eshte perfshire ne planet e shtetit shqiptar nga interesa klienteliste. Nuk ka asnje interes per ekonomine e transportit te vendit. 130 milione euro qe do te hidhen pa kuptim, pasi edhe po te ndertohet, me siguri do te abandonohet nga transporti, pasi nuk shkurton vecse pak kilometra, por kalon ne terrene tejet te veshtira dhe problematike. Me gjysmen e investimit mund te behej nje tunel ne Qaf Thane, qe do te permiresonet ne menyre te jashtezakonshme te gjithe kete kooridor rrugor per ne Pogradec, Korce, Kapeshtice e me tutje. Edhe projekti diletantesk i rruges ne proces Pogradec-Lin, me trotuare dhe ndricim, nuk do ti sherbeje askujt, madje as fshatrave buze liqenit. Edhe tani sikur te nderpritet financimi i Qukes – Qaf Plloces, eshte mese i justifikueshem. Dyshojme ne studimin e fizibilitetit (nese eshte bere apo jo) dhe nese ka dhene rezultat pozitiv.
Rruga Kardhiq – Delvine, e trumbetuar nga Berisha se do te shkurtonte 100 kilometra (!) distancen e Tiranes me Saranden (shkurtohen jo me shume se 10-12 kilometra). E filluar dhe e lene ne mes ne menyre te papergjegjshme, duke ngurtesuar shifra te medha monetare, qe mund te ishin investuar ne fusha te tjera shume urgjente.
Rruga Elbasan – Kucove, e lene pa studim dhe pa perspektive te qarte. Vleresohet krejt e gabuar idea dhe zgjidhja e dhene per kalimin nga Cerriku dhe Belshi (nga Dumreja), e perzgjedhur nga qeverisja dhe “ekspertet” e Berishes. U injorua zgjidhja e sugjeruar nga specialistet per kalimin nga Mollasi, paralel me Devollin,.
Rruga e “Arberit”. Me studim fizibiliteti qe ne vitin 2003 dhe me projekt zbatimi te plote. Preteksti i qeverise Berisha se kane dale probleme gjeologjike ka qene sa banal aq edhe i pajustifikueshem dhe eshte bere vetem per te justifikuar mos mbajtjen e premtimit per te perfunduar rrugen brenda mandatit, 2013. Madje pjesa e rruges ku ndodhet tuneli i Murrizes, ka projekt zbatim ne dy alternativa, me tunel 3.6 kilometra ne kuota reth 850 m absolute dhe me tunel 2.6 kilometra ne kuota reth 932 m.
Zgjidhja dhe kalimi i gabuar e kalimit te rruges Gjirokaster – Tepelene – Memaliaj (pjese e korridorit Veri – Jug) ne nje zone te rrezikeshme shkarese, nga Ura Subashit deri ne afersi te Memaliajt. Kostoja e investimit shume e larte. U injorua studimi i miratuar i para viteve 90, sipas te cilit ky segment rrugor, pjese e korridorit Veri –Jug, nga Ura e Subashit ne Memaliaj, duhej te kalonte ne krahun e djathte te rrjedhjes se lumejve Drinos dhe Vjose, duke perfshire ne realizim edhe bajpasin e Tepelenes, problem i planifikuar per t’u zgjidhur. Ka futur ne qorrsokak ndertimin e rruges ne zona shkarese te njohura, me kosto shume te larte ndertimi dhe me risk te larte potencial stabiliteti. Nese do te ndertohej sipas idese se studjuar dhe te miratuar nga te gjitha instancat shteterore qe ne vitet ’80, investimi dhe koha e ndertimit do te kishin qene shume me te reduktuar dhe ajo qe eshte me e rendesishme, do te eleminohej domosdoshmeria e nje ure te re ne Vjose, pasi ura egzistuese e Dragotit aty prane, ndertim i viteve 30 te shekullit te kaluar, eshte ne limitet e jategjatesise dhe zevendesimi i saj eshte mese urgjent.
Kompleksi i rrugeve: Bajpasi i Fierit, rruga Levan – Vlore. Konceptimi i gabuar i bajpasit te Fierit. Ndertimi nga ana lindore i tij do te kishte kursyer reth 60 milione euro si ndertim dhe mbi 20 milione euro cdo vit si rezutat i shkurtimit te distancave te transportit ne drejtimet kryesore Veriu (Verilindja, Lindja etj) i vendit, perfshi Tiranen, Durresin, Aeroportin Nderkombetar te Rinasit, Kosoven, Maqedonine etj me Vloren dhe Gjirokastren dhe anasjelltas.
Investimi ne ndertimin dhe asfaltimin e nje rrjeti rrugor rural te konsiderueshem prej ndoshta disa mijra kilometrash, jasht nje disipline teknike te mirfillte, si pasoje me kosto te larte. E thene me thjeshte: shume segmente te ndertuara me teprice hedhje parash (parametrash teknike, gjeresi, shtresa rrugore, vepra dhe struktura te tjera shoqeruese, me teprice), pa perjashtuar segmente me mangesi parametrash tenike. Rruge rurale te ndertuara pa nje masterplan te mirestudjuar paraprakisht dhe te paballancuara ne sensin e shperndarjes se tyre ne raport me pjesen tjeter te rrjetit rrugor. Mungese e raporteve ne sensin teknik te kategorizimit ne funksion te trafikut dhe te zhvillimit proporcional te zonave dhe rajoneve. Nje administrim tejet diletant, por qe i kushton shtetit miliarda ne keto pune publike. Nje pune e dobet edhe nga konsulentet e huaj, qe kane lejuar dhe sugjeruar parametra dhe struktura jasht standarteve. /JAVA
Një marrëzi shqiptare
Dëshironi të shkoni në malin e Dajtit? Apo në Pogradec? Mendohuni mirë. Megjithëse i pari është shumë afër Tiranës, kurse i dyti ndodhet në një korridor shumë të rrahur nga udhëtarët, por edhe nga pushuesit, kjo mund të mos jetë idea më e mirë për ju. Arsyeja?! Shumë e thjeshtë, madje banale! Rruga që të çon aty është e keqe. Madje shumë e keqe.
Në këtë numër kemi vendosur të hedhim një vështrim mbi gjendjen e rrugëve, politikat që janë ndjekur e ndiqen për infrastrukturën rrugore në vendin tonë, nevojat më urgjente dhe segmentet më problematike. Eksperti i vjetër i transportit rrugor, ish-drejtori i përgjithshëm i rrugëve dhe anëtari i bordit kombëtar të rrugëve Faruk Kaba, nuk e fsheh aspak skepticizmin e tij, për gjendjen aktuale të rrjetit tonë kombëtar.
Analiza e ekspertit hedh dritë mbi një problem që është i vjetër sa edhe vetë demokracia shqiptare. Në mbi dy dekada post-komunizëm, vendi ynë ka ndërtuar shumë, aq sa industria e ndërtimit është konsideruar me të drejtë si limfa që ka vënë në lëvizje ekonominë tonë kombëtare. Ndërtimi i rrugëve ka qenë një preokupim i hershëm. Shtimi eksponencial i numrit të mjeteve lëvizëse pas vitit 1991, si dhe degradimi i rrjetit rrugor të trashëguar nga komunizmi, kanë bërë që qeveritë e këtyre njëzet vjetëve të fokusojnë fonde dhe energji në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Problemi që ka dalë me kalimin e kohës, ka qenë ai i mirëmenaxhimit të parasë publike të përdorur për të ndërtuar rrugë, si dhe ai standarteve të ndërtimit të tyre.
Të dyja këto sfida i gjejmë sot të mishëruara në në një mënyrë flagrante, në një projekt që ka bërë të flitet shumë. Në fakt, në projektin më impenjues të pas rënies së sistemit totalitar – rruga e Kombit. Është folur e stërfolur për qindra milion eurot e abuzimit, të pretenduara të drejtësia shqiptare, në projektin e kësaj rruge. Ashtu siç vazhdon të flitet e të shkruhet (me të drejtë), për faktin që kjo rrugë, megjithëse ka gëlltitur një miliard euro nga paratë publike të shqiptarëve, vijon të jetë një projekt i pambaruar. Kush udhëton drejt Kosovës, sheh dy tablo dëshpëruese mes tyre: rruga që të çon në pikën kufitare të Morinës ka ende punë për t’u quajtur e përfunduar, kurse segmenti tjetër, matanë kufirit shtetëror, duket si një realitet krejt i ndryshëm. Sinjalistika, cilësia e punimeve, gjithçka të jep përshtypjen e një pune me kualitet krejt të ndryshëm nga ana shqiptare.
Qeveria e shkuar harxhoi fonde kolosale për ndërtimin e rrugëve. Ndërkohë që ekzekutivi aktual duket ende i mefshtë, në leximin e prioriteteve dhe urgjencave, në infrastrukturën tonë rrugore. Segmenti i rrugës Lin-Pogradec është shembulli më i dukshëm, në një mori projektesh që ende nuk po nisin, ose që bëjnë sikur “kanë nisur”. Është e kuptueshme situata financiare në të cilën e gjeti shtetin qeveria Rama, por është gjithaq e qartë se vonesa e akumuluar në mbi njëzet vjet në ndërtimin e rrugëve, po vazhdon të pengojë zhvillimin e vendit. Shqipëria nuk mund të modernizohet me një administratë rrugore arkaike, me organizim sa primitiv, aq edhe dhe korruptiv, me standarte qesharake ndërtimi dhe mirëmbajtjeje. Një shtet pa rrugë dhe arteriet e tjera të komunikimit, është një shtet i destinuar për të qenë në bisht të të tjerëve. Teksa sheh sot rrugët tona, vëren se ende s’e kemi kuptuar këtë aksiomë të mijëvjeçarit ku kemi hyrë. S.M
Keto jane rruget e Lulkes dhe Saliut. Me nje gur kan vrare dy zogj, parate e ndertimeve i kane pergjusmuar duke i vjedhur dhe votat i kane marre duke u hedhur hi sy njerzve.
keto para jane ato qe u hodhen per fushate nga PD..per te vjedhur sigurisht perseri..pa u mbaruar keto rruge qe jane eshte e kote te nisen te tjera!
nuk mbaj mend qe nje ceshtje te jete trajtuar nga specialistet Made in Albania ne menyre kaq te detajuar dhe specifike.
Me se fundi u degjua nje ze specialisti.
Denoncimet e tij medoj se duhen bere ne Prokurori dhe sa me pare te filloje çeshtja penale. Kush i ka shperdoruar keto miliona e miliona te shqiptareve te varfer. Kush po e vonon koridorin Rrogozhine-Kombinat Tirane i cili e shlyen veten ne kohen me te shkurter dhe nuk ka nevoje per leke nga buxheti i shtetit. Kush e investoi superstraden Kavaje-Rrogozhine, kur Koridori 8 kalon Elbasan Tirane Durres. Pse nuk u hodhen keto fonde per zgjerimin e koridorit 8 dhe veçanerisht per segmentin Tirane Durres. Kush po e largon Jugun nga Tirana me kilometra te tera permes zig-zakeve te segmentit Vlore Levan dhe bajpasit kilometrik te Fierit, duke rritur ndjeshem shpenzimet e trasportit. Kushe e sabotoi unazen autostrdale te Tirane dhe i hodhi leket per autostraden e Teg-ut.
Se fundi kush e ka penguar ndertimin e nje strategjie kombetare te infrastruktures.
Popull qe e ka ne gjak marifetin dhe dallaveret kaq meriton. Le te kalojne tani tek pjesa e mbetur e rruges.
O i kane vjedhe paret sala me lulushin mos i kerkoni askund tjeter iu befshin kancer ishallah e mos gjefshin derman
Dua te denoncoj fenomenin e berjes se kanaleve neper rruge. Shohim qe gjithkuj qe i lind deshira ben nje kanal ne rruge dhe vuajn drejtuesit e mjeteve. A duhet te penalizohen keta njerez qe demtojne rruget. Kush duhet ti denoncoje. Pse nuk reagon policia? Paguajme taksa dhe nuk marrim sherbimin qe meritojme.
Ky Faruk Kaba nuk eshte plotesisht i lare. Eshte autor i shume projeklteve pa standart si rruga qe po ndertohet e Arberit etj.
Ai dhe klani i tije kete pune bejne sa here nderrihen qeverit. Rruga e Arberit, projekti me i fresket, nuk u pranua nga kinezet per standart te ulet ne gjeresine , pjerresine, kthesat dhe tunelin.
jam kunder etiketimit si “ze i fuqishem”, me shume i shkon ze i komprementuar.
Vladimir eshte e cuditshme ne kete vend te kritikohet vetem ai qe beri rruge dhe ti krihet bishti ature me pare qe sbene asgje dhe ketyreve qe kemi ne pushtet qe as flasin per rruge Ae dini ju qe 200 miljonj dollare jane mbledhur per rrugen durres kukes nga regjimi i majte dhe su be as nje m2 rruge madje as nje vize ne projekt A e shikon sa larg jane dhe ne perseri shajme ate Cudi shqiptare si shume te tjera andaj dhe jemi kaq mbrapa
Sa u ktheva nga pushimet, isha ne shqiperi me makine.
Mund te shkruaj per ore ta tera per rruget qe pashe ne çeki ne hungari ne serbi ne maqedoni ne greqi ne itali ne zvicer ne france etj etj
Per mua specialisti ben gabim qe thote rruga qukes-qafe plloçe te mos behet. E pse jo? Nqs behet siç i ben evropa del rruge e shkelqyer edhe e lidh Korçen me mezin e shqiperise shume shpejt. Rruga po behet me fonde te nje shteti arab dhe jo me kredi e ka dhene televizori. Rruga Egnatia ne greqi kush ka kaluar e di vete si eshte. Rruga me panoramike qe kam kaluar. E bere ne maje malesh e kodrash, nje rruge e shkelqyer.
Pse nuk ke shkruar asnje fjale per autostraden e Kombit o Faruk,apo ngaqe je ti projektuesi.Po qe se do zbatoje sic thua ti standartin nderkombetar FIDIC,atehere ajo rruge qe ke projektuar ti do hidhej poshte menjehere.Autostrade qe ka pjerresi te tilla gjatesore dhe terthore,dhe pa kurba kalimi te drejta,vetem ti mund ti beje o Faruk.Qofsh ti qe je!Megjithate per te gjitha qe ke ngritur si ceshtje jane te verteta dhe qendrojne.
NUK KA ASKUSH NJE STRATEGJI!!!!
Ky me nder specialisti , eshte i tille vetem per te vjedhur dhe abuzuar . Le te nathote zoteria se sa para ka marre per projektin e rruges se kombit , se projekt nuk ka bere , por nje paçavure qe do i vinte turp edhe studenteve ta dorezonin per detyre kursi . Kudo ne rruget pa standarte dhe me projekte sa per te justifikuar dhenien e fodeve , gjendet firma e ketij tipit qe na hiqet ekspert . Mire qe turp nuk ka , po frike nga ligji a ka ky soj pushtash ?
Te lumte Neritan, i ke rene pikes.Autor projektesh, madje disa i ka bere edhe nga dy-tre here.
….dhe per sqarim FIDIC eshte tip kontrate dhe jo standart rrugor.Ja fut kot specialisti…
Rruga Qukes-Qafplloce eshte nje skandal i vertete mjere ky popull e sa do te vuaje dhe sa do te paguaje paaftesine e drejtuesve tane.Kjo rruge eshte eshte 42.7km.distance ne nje terren krejtesisht Argjilor ku perfshien 5 miniera qymyr-guri si miniera eBeragozhdit,verdoves,Potkozhanit,Homezhit etj.etj.pra nuk gjen nje gur te vrasish nje gjarper per ta cakelluar rrugen do duhen miliona meter kub inerte e ato duhet te merren ose tek ura e bushtrices ose qafe-thane ose ne Pogradec pra rreth 50 km larg qe i gjithe ky investim plus do rendoje mbi xhepat e keti populli llogarite me siguri jane bere per ta patur materialin ne vend jo ne distanca te tilla keshtu ajo rruge nuk do te veje 130 mili.euro por 1miliard dollare dhe do te ndodhi si me rrugen e kombit qe u nis me 250 milion e perfndoj 1 miliard dollare e askush nuk mban pergjegjesi vec populli i ka mbi kurriz. Ana tjeter e medaljes kujt i sherben kjo rruge? MOKRAVE jo e jo dhe aqe me pak i sherben jug-lindjes KO.PG.ER.Bilishtitetj kjo se jug-lindja si edhe pjesa derrmuse e tregetise me evropen behet ne doganen e Qqf-thanes pra jug lindja duhet te beje 42.7 km deri ne qukes dhe 20.3 km qukes-Qaf thane pra 60 km dhe 60 ne kethim 120km ne ved qe te behet varianti i rrugas Qaf-thane Plloce vetem 20 km(Pogradeci eshte 24 km) Pra 20 dhe 20 km ne
kethim 40 km nga 120 qe duhet te beje sipas atyre qe i bejne hesapet pa hanxhi-ne.Popse nuk i sherben mokres kjo rruge? sepse mokra eposhteme e ka asfaltin me ne thellesi se qendra e sasaj duke filluar nga qafthana rreth 20 km Mkres se siperme i duhen vetem 10 km asfalt se trasene e ka bere Italia me 1940 nderkohe qe autostrada kalon afer vetem prane 4 fshatrave nga 37 gjithsej.megjithate kjo rruge le te behet me vone ne se gjykohet por sot te behet varianti me i mire por edhe me i lire vetem me 20 milion dollare zgjidhet problemi i kursejme popullit 130 miliol dollare qe mund te behet Rruga e arberit vec asaj varianti idyte behet per 6 muaj ndrekohe qe rruga ka 6 vjet qe ka filluar vetem 1 km eshte bere dhe ska per tu bere as per 6 vjet te tjera kete e ben me te nevoj-shme edhe ruga lin-Pogradec nga nuk do kalohet me me makina transporti nuk bera fjale per shpronesimet ku me variantin e pare duhen fonde per 100 ndra Ha me variantin e dyte asnje m katror nuk ka nevoje per shpronesim etj.etj.etj avan-tazhe te tjera qe nuk mund te zgjatem por kush e ka ne dore kete problem ta mare seriozisht ndryshe do MEKATOJE RENDE DHE ZOTI DO E DENOJE RENDE PASI HAKA E POPULLIT TE MBETET NE G R Y K E. I bej thirrje z.Mero Bazes si njeri shume serioz te me kontaktoje per te bere qe te mos mekatohet me me kete POPULL-HALLE MATH.
Fari Licko Pogradec- Pensi0nist