Konferenca e Berlinit ishte një sinjal inkurajues për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre drejt BE-së. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme.
Por Bushati konfirmoi se në pesë vitet që vijnë nuk do të shohim një anëtar të ri në Bashkimin Europian.
“Ndonëse në kuptimin politik të fjalës nuk do të ketë zgjerim të BE-së është e rëndësishme, që procesi të mbahet gjallë dhe jo vetëm kaq, por dhe të shoqërohet me instrumentet financiarë të nevojshëm për t’i dhënë një dinamizëm në kuptimin ekonomik të fjalës.
“Rajoni ynë sot për sot nuk është pjesë e korridoreve më të rëndësishme europiane dhe ideja për ndërtimin e korridorit adriatiko-jonian është një ide që duket se po fiton terren”, tha ai.
Duke u ndalur tek termat e Konferencës së Berlinit, Bushati tha se ato ishin të strukturura rreth bashkëpunimit rajonal në disa fusha zhvillimore si infrastruktura, turizmi, energjia.
Lidhur me projektet në fushën e energjisë, ministri i Jashtëm tha se TAP, shihet si një nga projektet që në të ardhmen pritet të japë efektet e tij pozitive duke i lidhur të gjitha vendet e rajonit që janë pjesë e nismës Adriatiko-Joniane, por që do t’i shërbente gjithashtu dhe BE-së në funksion të ambicjeve për të diversifikuar burimet e energjisë.
Ministri u ndal me hollësi në dokumentin e punës prej 18 pikash që iu paraqit Konferencës, i cili konsistonte në mënyrën si mund të ridimensionohet marrëdhënia mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Nga pikëpamja ekonomike, sot për sot, hendeku mes vendeve të BE-së dhe atyre të rajonit është i madh. Mënyra si e ka strukturuar procesin politik dhe ekonomik BE-ja me rajonin e ka ndihmuar këtë të fundit për t’u stabilizuar, por jo aq shumë me ritmet që ne do të dëshironim. Vendet e Bashkimit Europian marrin 5-6 herë më shumë fonde se sa vendet e Ballkanit Perëndimor. Në dokumentin e Berlinit ne hodhëm idenë për një aplikueshmëri të instrumenteve financiarë që BE-ja përdor për vendet anëtare, të cilën gradualisht ta përdorë dhe për vendet e rajonit tonë”, theksoi ministri i Jashtëm.
Duhet te ishim ne BE.
S’esht vone te dim se si duhet te vej puna