Kisha që shihet si “simbol i të keqes”

16 Shtator 2014, 12:21Kulturë TEMA

Nga Stephen Evans, BBC

 

Ndërtesat nuk janë thjesht tulla e llaç- ato kanë kuptim dhe thonë diçka. Nëse keni dyshime për këtë, shihni përplasjet në qytetin gjerman të Potsdamit, ku një projekt për rindërtimin e një kishe ka vendosur palët kundër njëra- tjetrës.

Mosmarrëveshja nuk është vetëm për një kishë të vjetër, por për një nga më të rëndësishmet në historinë gjermane. Kisha Garrison ose Garnisonkirche, ishte pjesë e famullisë së familjes mbretërore prusiane. Bach ka luajtur organo aty dhe mbretërit e Prusisë, përfshi këtu Frederikun e Madh- janë varrosur aty.

Por nuk është kjo arsye e përplasjeve.

Ajo është gjithashtu kisha, në të cilën Hitleri u legjitimua në sytë e klasës së lartë të Gjermanisë.

Më 23 mars 1933, nazistët orkestruan një performancë propagandistike, e cila e transformoi Hitlerin nga dikush, të cilin elita e shihte si një njeri të vogël e vulgar, në një person të respektuar.

“Dita e Potsdamit”, siç u bë e njohur, i hapi atij rrugën për të marrë të gjithë pushtetin.

Pra nuk është çudi që ka një përplasje. Kisha u shkatërrua pjesërisht nga Forcat Ajrore Mbretërore (britanike) në vitin 1945 dhe më pas u zhduk në vitin 1968 me dinamit nga komunistët e Gjermanisë Lindore. Por tani po mblidhen para për një rikonstruksion të plotë. Guri i themelit është hedhur tashmë.

“Për mua, kjo kishë është simbol i të keqes,” thotë Maximilian Dalichow, që është rritur në Potsdam dhe që kundërshton punimet për të.

“Është vendi ku ka lindur Rajhu i Tretë. Është vendi ku erdhi në jetë”.

Nuk ka asnjë dyshim që ishte një ditë fatkeqe. Në Ditën e Potsdamit në vitin 1933, Hitleri, lideri i partisë më të madhe në parlamentin e sapozgjedhur gjerman, iu përkul, mesa duket me përulësi, presidentit të vendit, Paul von Hindenburg. Udhëheqësi nazist, i veshur me një pallto të gjatë, i shtrëngoi dorën Hindenburgut si një gjest përuljeje, diçka që u filmua dhe u shpërnda për masat.

Në një mënyrë shumë moderne, ceremonia, e plotësuar me turmat që brohorisnin, ishte projektuar dhe orkestruar nga mjeshtri nazist i propagandës, Josef Goebbels. Ai siguroi që ky akt i madh dinakërie të transmetohej në të gjitha kinematë në mbarë vendin. Ajo e transformoi Hitlerin nga një njeri të vogël në një udhëheqës të pranueshëm, që mund të ndiqej nga pas.

Nuk është çudi që disa thonë se një kishë e tillë nuk duhet rikrijuar.

Kundër tyre, në favor të rindërtimit të kishës, janë të mëdhenjtë dhe të mirët e Gjermanisë, nga kancelarja Merkel e poshtë.

“Kjo është një nga kishat më të jashtëzakonshme të epokës baroke dhe në të njëjtën kohë është një nga vendet më të diskutueshme. Ne jemi përballur me paqartësitë e historisë gjermane këtu shumë më drejtpërdrejt se në çdo vend tjetër,” thotë prof. Dr. Wolfgang Huber, një ish- peshkop i Berlin- Brandenburg dhe president i komisionit të ngarkuar me rindërtimin.

“Për mua është një vend shumë i rëndësishëm për të punuar për paqen dhe pajtimin,” thotë ai.

Ai do që kisha të tregojë se si ndërtesat e reja, plot me shpresë, mund të ngrihen nga pluhuri. Brenda do ketë ekspozita për të shkuarën e Gjermanisë.

Kur ndërtesa u rrënua plotësisht në vitin 1968, lideri komunist i Republikës Demokratike Gjermane, Walter Ulbricht tha se kisha nuk i përshtatej konceptit ateist të utopisë socialiste, që ai mendonte se po ndërtonte.

Sot Huber mendon se rindërtimi i kishës do jetë një fitore ndaj shkatërrimtarëve.

“Të lësh një vend bosh do të thotë t’i japësh fitoren Goebbels, që e orkestroi Ditën e Potsdamit dhe t’i japësh fitoren zotit Ulbricht,” thotë ai.

Debati ka disa shtresa komplekse. Natyrisht bëhet fjalë për një kishë, ku është kryer një akt jo i shenjtë. Por bëhet fjalë edhe për klasin dhe paratë në Gjermaninë e re.

Potsdami dikur ishte një qytet i modës së vjetër. Kishte shkëlqim barok, kupola dhe kulla të arta, që shndrisnin pranë liqenit- që ose janë shkatërruar, ose janë neglizhuar dhe nuk ka nostalgji për të sjellë lavdërinë mbretërore të mbetur pas.

Por me rënien e komunizmit, është kthyer në një magnet për paratë, një konvikt për pasanikët e Berlinit. Vilat në liqen ishin dikur apartamente për njerëzit e zakonshëm. Tani janë blerë dhe pasanikët po i rikthejnë në shkëlqimin që kishin para luftës.

Disa nga banorët e Potsdamit ndjehen të përjashtuar. Ata kujtojnë periudhën komuniste.

“Është ajo ndjesia e të qenit i dëbuar, ajo ndjesia kur të marrin diçka, të drejtën për të jetuar në një zonë, e cila, në kushtet e tregut të lirë, i takon vetëm pjesës sipërore prej 0.5 përqind”, thotë Maximilian Dalichow.

“Njerëzit normalë jetonin atje dhe tani asnjë nga miqtë e mi, që u rritën atje, nuk jeton aty. Është një zonë për milionerë”.

Kjo nuk është një ndjenjë e pazakontë në Gjermaninë lindore. Ka pak, nëse ka, që e duan rikthimin e RDGJ-së, por ka njerëz që nuk ndjehen plotësisht në shtëpi në Gjermaninë e re- dhe përplasja për kishën Garrison shkon në këtë drejtim.

Dalichow thotë se polemikat tregojnë se si Gjermania e sheh të shkuarën. Ai mendon se bëhet fjalë për rikrijimin e Gjermanisë si një vend përpara se ta shkatërronin nazistët e komunistët- rikrijimin e Potsdamit si një qytet i bukur për turistët dhe pasanikët e rinj.

“Popullsia ndjen se projekti iu është dhënë atyre njerëzve që mendojnë se kanë një ide më të mirë se si duhet të jetë Potsdami. Ata e shohin si një vend skenik ku asgjë nuk është shkatërruar, duke pretenduar në thelb se Lufta e Dytë Botërore nuk ka ndodhur kurrë. Nuk më pëlqen kjo”.

2 komente në “Kisha që shihet si “simbol i të keqes””

  1. Bezat Llulla says:

    ketu dalin dhe gomarlleqet e “te persekutuarve” alla Lubonja

  2. tana jane simbol i djallit pa perjashtim,prodhojn pederasta e pedofila te flliqt ptuuuuuuuuuu rrac e perdhunume gjakpirsa ne tan boten

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje