Paquet-Gjosha: Gjithëpërfshirja e domosdoshme në procesin e integrimit

17 Shtator 2014, 17:22Politika TEMA

Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha zhvilloi  një takim pune me Drejtorin e Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet.

Takimi kishte ne fokus mbarëvajtjen e reformave të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit Evropian.

Paquet vlerësoi progresin e bërë, por theksoi së marrja e statusit të vendit kandidat, ashtu sikurse ishte një arritje e madhe e ngarkon Shqipërinë me një përgjegjësi edhe më të lartë, për të dëshmuar se vendimi pozitiv u mor në momentin e duhur.

“Shqipëria duhet të bashkojë të gjitha forcat për të çuar përpara procesin e integrimit. Gjithpërfshirja është e domosdoshme. Vendi ka bërë progres, por përpjekjet duhet të vazhdojnë në të gjitha fushat”, tha Paquet.

“Mbështetja e Komisionit ka qenë dhe mbetet e një rëndësie të veçantë për ne në çdo hap që Shqipëria ka hedhur gjatë procesit të integrimit. Marrja e statusit të vendit kandidat na shton vendosmërinë për të vazhduar më tej këtë proces”, tha Ministrja Gjosha.

Pesë prioritetet e lëna nga Komisioni Evropian, ishin pjesë e diskutimeve gjatë takimit, ku theksi u vu sidomos tek reforma në drejtësi e konsideruar thelbësore për të ardhmen e vendit.

Gjosha e Informoi Paquet edhe për Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian. Ajo e vuri në dijeni për vendimin e marrë nga Komisioni i Integrimit Evropian, për të shtyrë ngritjen e këtij Këshilli deri në një moment të dytë, me argumentin se opozita duhet të jetë patjetër pjesë e këtij Këshilli i cili në themel të funksionimit të tij ka gjithpërfshirjen

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje