Vizita e Papa Françeskut/ 2500 forca për sigurinë e Atit të Shenjtë

21 Shtator 2014, 13:24Kronika TEMA

Mbërritja e Papa Françeskut në kryeqytetin e Shqipërisë është shoqëruar me masa të larta sigurie, ku mbi 2500 forca speciale u aktivizuan në mbarëvajtjen e kësaj vizite.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se përgatitjet për të ofruar një siguri maksimale për vizitën e Papa Françeskut kanë nisur që prej fillimit të muajit shtator, ndërsa një ditë më parë publikoi edhe planin e masave të marra nga Krerët e Policisë së Shtetit.

Që në orët e para të mengjesit policia ushtroi kontrolle të imtësishme tek të gjithë qytetarët të cilët do të merrnin pjesë tek Mesha e madhe që u mbajt në orën 11:00′ në Sheshin “Nënë Tereza” dhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Grupi i Punës për sigurinë e Papës përfshiu të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në zbatimin e këtyre masave:

–          Policia e Shtetit

–          Shërbimi Informativ Shtetëror

–          Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes

–          Garda e Republikës,

–          Drejtoria Përgjithshme e Emergjencave Civile

Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara.

Janë marrë masa të gjithanshme duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar e deri në brendësi të territorit.

Policia e Shtetit ka nisur kontrolle të imtësishme tek të gjithë qytetarët të cilët po i drejtohen bulevardid Dëshmorët e Kombit.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u ka kërkuar dhe vijon ti kërkojë të gjithë qytetarëve të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet me automjetet e tyre në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, si dhe akset që lidhin kryeqytetin me zonat përreth tij gjatë ditës së vizitës së Papës.

Policia do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore.

Lëvizja e automjeteve

–          Është ndaluar qarkullimi i automjeteve nga ora 20:30 e datës 20.09.2014 deri në orën 19:00 të datës 21.09.2014 në Sheshin Nënë Tereza, i kufizuar me rrugët “Skerdilajd Llagami„ dhe “Abdyl Frashëri„.

–          Është ndaluar qarkullimi i automjeteve nga ora 06:00-19:00 të datës 21.09.2014 në të gjitha rrugëkalimet që të çojnë drejt Sheshi Nënë Tereza, Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe Sheshit Skënderbej. (Lista e akseve rrugore bashkëngjitur këtij njoftimi).

–          Është ndaluar parkimi i të gjithë automjeteve duke filluar nga ora 12:00 e datës 20 shtator e deri në ora 20:00 të datës 21 shtator në akset rrugore:

o   Bulevardi Dëshmorët e Kombit

o   Bulevardi Zogu I

o   Bulevardi Zhan D’Ark

o   Bulevardi Gjergj Fishta

o   Rruga e Durrësit, nga mbikalimi i Kamzës – Sheshi Shqiponja – Sheshi Skënderbej,

o   Rruga e Elbasanit

o   Rruga e Kavajës

o   Rruga Abdyl Frashëri

o   Rruga Sulejman Delvina

o   Rruga Muhamet Gjollesha

o   Rruga Ibrahim Rrugova nga sheshi Frederik Shopen – Gjykata e Lartë – Banka e Shqipërisë deri te rruga e Durrësit.

o   Rruga e Dibrës.

o   Aksi Unaza e Re – Sheshi Shqiponja – Ura te Shkolla Teknologjike – Rruga e Kavajës.

–          Nuk  lejohet qarkullimi në të gjitha akset rrugore të Tiranës i automjeteve të tonazhit të rëndë mbi 7.5 ton, pasi krijojnë vështirësi në qarkullim.

–          Automjetet e mbyllura, mjete te transportit të mallrave me karroceri të mbyllur do tu nënshtrohen kontrolleve policore në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa drejtuesit e tyre do të shoqërohen në polici, nëse konstatohet lëvizja e tyre pa objekt të përcaktuar.

Lëvizja e automjeteve që do të transportojnë pelegrinët

–          Autobusët që kanë sjellë pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë do të devijojnë lëvizjen tek Sheshi Shqiponja përmes Unazës së Re, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori„ ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.

–          Autobusët që kanë sjellë pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë do të qarkullojnë përmes aksit Plepa- Ndroq-Kombinat, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori„ ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.

–          Autobusët që kanë sjellë pelegrinët nga Juglindja e vendit do të kalojnë përmes Unazës së madhe dhe më pas tek Kopshti Zoologjik do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve.

–          Për automjetet me të cilat është bërë transporti i personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrës në aktivitetet, parkimi i tyre do të bëhet tek Fakulteti Filologjik.

Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyj në qytet.

Lëvizja e qytetarëve që do të marrin pjesë në aktivitet

–          Në të gjithë perimetrin që rrethon Sheshin Skënderbej, Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe Sheshin Nënë Tereza janë vendosur 27 pika kontrolli, ku do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje.

–          U kërkohet të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të kalojnë përmes këtyre pikave të kontrollit. Nëse tentojnë të kalojnë jashtë këtyre pikave do të shoqërohen në Komisariatet e policisë.

–          Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa, bashkëngjitur ftesës duhet të kenë edhe kartën e identitetit. Nga ana e policisë do të bëhet kontrolli me listat përkatëse në pikat e kontrollit dhe nuk do të lejohen personat që nuk kanë kartat e identitetit. Personat që kanë ftesë por nuk do të figurojnë në listat që ka Garda apo Policia e Shtetit në pikat e kontrollit do të shoqërohen në ambientet policore.

Lëvizja drejt Aeroportit të Rinasit dhe fshatit Bubq

–          Aksi rrugor në drejtim të Rinasit është i bllokuar nga ora 08:00 deri në orën 10:30.

–          Të gjitha akset rrugore në drejtim fshatit Bubq do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në ora 19:00.

–          Aksi Bubq – Rinas do të jetë i bllokuar nga ora 17:00 deri në 20:30.

–          Qytetarëve që kanë lëvizje drejt aeroportit u kërkohet që të shfrytëzojnë hapësirat jashtë këtyre harqeve kohore për shkuar në Rinas.

Këshilla për qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni

–          Qytetarët që duan të marrin pjesë në ceremoni të evitojnë veshjet e rënda, pasi nga policia do të ketë kontrolle trupore.

–          Nuk duhet të kenë me vete çanta shpine apo valixhe të ndryshme.

–          Të mos mbajnë sende të forta apo objekte të tjera që mund të jenë të dyshimta për forcat e policisë.

–          Nuk do të lejohet mbajtja e shisheve të qelqit. Rekomandohet përdorimi i shisheve plastike për ujë apo pije të tjera freskuese.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e përpjekjes së përbashkët për të garantuar siguri maksimale për vizitën e Papës duke telefonuar policinë në numrin 129 për të gjitha rastet kur ata do të konstatojnë diçka të dyshimtë

2 komente në “Vizita e Papa Françeskut/ 2500 forca për sigurinë e Atit të Shenjtë”

  1. Xhikja says:

    Po sikur ta aplikonte cdo te diel ndalimi ne qarkullimit te makinave neper qendren e tiranes dhe ATo blv .qe u bene!do te ishte veprim per ti kthyer qytetin njerzve.EDHE PAPA BERI THIRRJE PER RESPEKTIM DHE MBROJTJE TE NAtyres.. Bashkia ,qeveria duhet ta mendojne..

  2. AK-47 says:

    Bravo Policia, eshte pergjegjesi e madhe te marresh persiper sigurine e Papes, vemendje deri ne fund…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje