Në radhën e studimeve mbi veprën letrare të shkrimtarit Kadare u shtua edhe libri me titull “Intertekstualja dhe Disidenca te Dimri i Vetmisë së madhe” me autor Met Dervishi. Ky studim i autorit Dervishi shërbeu si nxitje që të shpreh opinionin e mëposhtëm. Fjala është për përshkrimin e personazhit të diktatorit në roman, gjë për të cilën shkrimtarin Kadare e keqkuptojnë. Do argumentoj përse them e keqkuptojnë. Ky roman përmban një veçori themelore. Romani u krijua si vepër artistike duke u bazuar tërësisht mbi një ngjarje të madhe historike, shkëputjen e shtetit shqiptar nga kampi sllavo-komunist. Temë sa e vështirë aq edhe me përgjegjësi të jashtëzakonshme për fatin e autorit. Kjo ndodhte në 1973. Për herë të parë lexuesi shqiptar e ai botëror i gjente të mbledhur në një sallë ata që ende e bënin të dridhej botën Perëndimore.
Në këtë roman të gjithë personazhet si, shtresa e intelektualëve dhe artistëve, shtresa e të rinjve shqiptarë, shtresa e klasës punëtore, udhëheqja e partisë dhe komunistëst, nënpunësit e sigurimi famëkeq dhe K. Xoxe, shtresa e të deklasuarve politikë, shtresa e familjeve të dëshmorëve, fshesaxhinjtë e rrugëve, etj, janë trajtuar artistikisht në mënyrën më realiste. D.m.th. tema e shkëputjes është bërthama e romanit dhe sjella, reagimi i shtresave shoqërore në raport me këtë bërthamë janë zhgualli që e bëjnë romanin një vepër të tërë. Kaq vërtetësisht është pasqyruar ajo periudhë në roman, kaq reale janë dialogjet e personazheve sa lexuesi e gjen veten brenda personazheve. Nuk ka asnjë dyshim se kjo shkëputje historike nga Moska shkakun nuk e kishte te ndonjë prirje pro perëndimore e udhëheqjes së shtetit shqiptar të asaj kohe. “Çështje doktrine, mbrojmë doktrinën komuniste”, gjëmonte propaganda e partisë. Arsyeja ishte tjetër, lufta e E. Hoxhës për të ruajtur mbijetesën e vet në pushtet. Enver Hoxha ishte një njeri shumë diabolik dhe një politikan i klasit të parë. Ishte gjithashtu një njohës i mirë i letërsisë por edhe një shkrimtar mediokër. Pa dyshim edhe një vlerësues i pamohueshëm i talentit të madh të shkrimtarit Kadare. E. Hoxha ishte një djall i vërtetë në eleminimin e rivalëve e kundërshtarve politikë, në zbatimin e luftës së klasave, në luftën kundër fesë, në manipulimin e masave, në izolimin e vendit. Për të keqen e popullit të vet ishte më i zi sesa vet e zeza. Njerëz të ditur që për vite të tëra kanë qënë afër tij pohojnë se E. Hoxha ishte frikacak. Në kohën e dënimit të kultit të individt në gjithë Bllokun Lindor komunist E. Hoxha arriti të kapte përmasën historike të situatës kur historia e vendosi para provës, të mbijetonte në pushtet apo të eleminohej fizikisht si disa udhëheqës të tjerë nga vendet e Lindjes komuniste. E. Hoxhën në vitet 60-70 njerëz të kulturuar të fushave të ndryshme në Tiranë e quanin “artisti ose aktori” mbasi gjithmonë ai dukej që luante një pjesë, një rol. Luante lojën e udhëheqsit të dashur dhe shumë të drejtë me popullin. Ai jo pak herë përpara njerëzve arrinte të autosugjestionohej deri në shprehjen e fytrës të përlotur, që mallëngjehej thellësisht nga entusiazmi dhe kontaktet me njerëzit e thjeshtë. Ai “përbënte burimin e ujit të kristaltë” që vadiste partinë dhe jetën e popullit të tij të dashur. E. Hoxha kishte një etje të madhe për lavdi, e cila te ai me kalimin viteve mori përmasa groteske. Ishte qartësisht me mendësi narcizisti. Shkëlqimi dhe fama e Titos në vendin fqinj e bënte që psikologjikisht të vuante shumë. Rivalizonte me Titon dhe reagonte shpejt duke bërë të kundërtën e tij. Një aspekt -Titua bënte vetadministrimin, Enveri zbatonte kolektivizimin. Nuk mund të harroet shprehja e asaj kohe të përpiluar në zyrat e dizinformimit të KQ të partisë se, “fatkeqësia e shokut E. Hoxha është që atij i ka rënë fati që të udhëheqë një popull fare të vogël. Si udhëheqës largpamës kapaciteti i tij është për një popull bie fjala 20 milion e sipër”. Në vazhdim të këtij mentaliteti narcizist, për të krijuar aureolë herë pas here nga të njëjtat zyra dilnin pëshpëritje, alibira, se këtë udhëheqës të madh donin ta vrisnin shërbimet e huaja inteligjente. Në popull thuhej se më në fund shqiptarët fatlum kishin gjetur udhëheqësin legjendar. Në këto rrethana E. Hoxhës si sekretar i parë i partisë iu imponua altrenativa më e rrezikshme kur Hrushovi i kërkoi rregullimin e mardhënieve me Titon. D.m.th që më pas detyrimisht nën parullën e luftës kundër kultit të individit të lëshonte pushtetin.
Lind pyetja: si ka mundësi që ky njeri tepër i mprehtë, diabolik dhe frikacak njëkohësisht, vendosi që në mes të rrezikut maksimal të shkonte në Moskë dhe të bënte atë ndeshje historike që tashmë njihet. Kur frika e eleminit ishte e madhe. Me sa duket mendjet me intelekt të zhvilluar kanë aftësinë që në një moment të caktuar të akumulojnë energji analizuese të asaj shkalle sa që arrijnë të reagojnë shumë fuqishëm psikologjikisht në të njëjtën masë shpërthyese me vlerën historike të ngjarjes ku janë përfshirë.
E. Hoxha zgjodhi të bënte të vetmen zgjidhje mbijetese, heroin, jo frikacakun e strukur brenda zyrës së tij në Tiranë. Ai e sfidoi kupolën e mafies komunste në shtëpinë e vet, brenda në Kremlin. Nuk mund të mohoet se ky qëndrim e rriti figurën e tij në sytë e popullit të thjeshtë për një farë kohe. E. Hoxha mund edhe ta shmangte vajtjen në Moskë në krye tȅ delegacionit. Mund të dërgonte atje M. Shehun, apo si në Bukuresht H. Kapon. Kalkulimet që E. Hoxha ka bërë me këtë rast, ky njeri që nuk mbahej për trim i çartur e që në luftë nuk kish marrë pjesë në asnjë betejë duhet që të kenë mbartur brenda tyre edhe një argument që mendoj se është kryesor. E. Hoxha rrethohej nga bashkëpunëtorë luftëtarë që kishin qënë me vite në frontin e parë të zjarrit partizan. Ata psikologjikisht e moralisht kishin epërsinë e të qënurit në front dhe jo si ai në prapavijë. Kjo gjë i ishte thënë në sy në disa raste. E. Hoxha e kish kuptuar mirë se këtë diferencë në kredite trimërie në raport me ata që e rrethonin i duhej që domosdoshmërisht t’a plotësonte në një apo në një tjetër mënyrë. Në rast se E. Hoxha nuk do të shkonte në Moskë lavdia e tij te bashkëpunëtorët e afërt do zvogëlohej, para tyre ai do dukej akoma më frikacak. Kjo gjë do e bënte më të lehtë për t’a rrëzuar nga pushteti. Mbrojtja e doktrinës ishte një alibi.
Mbas parashtrimit të këtyre argumentave le të vazhdojmë arsyetimin me mëndje të ftohët.
Shtrohet pyetja: a mundet që në roman të pasqyrohej ndryshe e vërteta e aktit historik të shkëputjes së Shqipërisë së vogël nga kampi sllavo-komunist pa rolin e E. Hoxhës?. Të atij njeriu që luajti në mënyrën më diabolike rolin kryesor në konfliktin historik të kampit komunist? Duke qënë fakt historik i pa mohueshëm që E. Hoxha në Moskë u qëndroi rusëve dhe satelitëve të tyre i vetëm, duke qënë se në biografinë e tij prej udhëheqësi e arkivoi realisht si shumë pozitiv këtë moment heroik, akt të cilin ia vlerësuan edhe politikanë të tjerë të njohur, atëhere bëj pyetjen: po si mund t’a devijonte e t’a përshkruante shkrimtari në roman ndryshe nga e vërteta reale e ngjarjes? Për njerëz me arsyetim normal këto pyetje mendoj se kanë vetëm një përgjigje, e cila në këtë rast shkon në favor të shkrimtarit Kadare.Nga një lexim i vëmendshëm i tekstit portreti i E. Hoxhës del i favorshëm vetvetiu, për faktin që E.Hoxha në atë ngjarje historike është i vetmuar përballë 80 liderve të tjerë komunistë, shumica e të cilëve janë vrasës gjithashtu. Pra, momenti historik i zgjedhur është në favor absolut të tij. Aq sa është në favor tërësisht e vërteta. Në qoftë se shkrimtari do ta përshkruante ndryshe, atëhere do të kritikohej me të drejtë si lajkatar. Por ngjarja ka qenë e vërtetë. Dhe fjalimi i tij ka qenë po ashtu. Ndaj autori s’mund të akuzohet për deformim të historisë.
Nuk kemi lexuar në roman në ato 30-40 faqe përshkrim ndonjë gjë që s’na u duk e vërtetë as atëhere kur u botua romani dhe aq më pak tani kur kanë kaluar 40 vjet. Romani u shkrua dhe u botua në fillim të viteve 70, në kohën kur pas prishjes me B.Sovjetik dhe Kampin, Shqipëria po prishej me Kinën. Pra, procesi i ndarjes së Shqipërisë nga kampi komunist vazhdonte. Mendoj se kjo përbën arsyen që studjuesi Eric Faye përdori në një studim këtë karakterizim per romanin: “Si një këngë lamtumire me kampin komunist”. Në Shqipëri gjithashtu nga klasa e përmbysur kështu u konceptua libri. Idea e Europës e përshkon librin nga kreu në fund.
Romani përshkohet nga pyetja: do të shkojë Shqipëria drejt Europës tani që mbeti e vetmuar? Kjo dilemë i mundon shqiptarët. Një nga personazhet me të cilën hapet romani është plaka Nurihan, e cila përgjon ditë e natë tek radioja lajmin për përçarjen e komunizmit. Ajo e quan “lajm i bekuar që na ngjalli të gjithëve”.
Nuk mund të mos bëhet një pyetje: përse kritikuesit dhe dashakeqët e Kadaresë shkojnë nga shkojnë dhe kapen djallëzisht te gjoja “mitizimi” i E. Hoxhës në roman?. Nuk dyshoj se këtu ka diçka shumë më esenciale, shumë më gërryese për kritikuesit e shkrimtarit sesa portreti i E. Hoxhës në Moskë.
Me pak vëmendje konstatohet se në roman një nga linjat më me përgjegjësi rreziku, me shijen e saj të plumbtë është ajo e përshkrimit të armës famëkeqe të Sigurimit të shtetit. Institucion që ishte kopje e origjinalit në BS dhe në vendet e tjera komuniste, si në funksionim ashtu edhe në fatin e atyre që e drejtonin.
Stalini ia veshi krimet e 10 milion viktimave ish ministrit të brendshëm të asaj kohe Genrikh Yagoda të cilin e pushkatoi. Edhe Yezhovi që e pasoi mbasi e kreu misionin e tij të krimeve gjakatare u pushkatua nga Stalini. Vdekja e mori Stalinin përpara sesa të vazhdonte me eleminimin e Berias, i cili u akuzua dhe u pushkatua nga Krushovi. Me të njëjtin stil hipokrizie kriminale Titua ia veshi të gjitha krimet në ish Jugosllavi numrit dy të pushtetit të vet Aleksandër Rankoviçit. Titua vet doli i larë, gjoja nuk ka ditur gjë për krimet dhe raprezaljet e Rankoviçit. Po me Enverin si u zhvillua kjo dramë ? Krimet dhe tmerrin e viteve të mbasluftës E. Hoxha ia ngarkoi në kurriz të gjitha K. Xoxes. Inatin dhe xhelozinë që mbante përbrenda kundra intelektualëve E. Hoxha ia veshi natyrës kriminale dhe injorante të K. Xoxes. Ai vet djallëzisht luajti rolin e atij që nuk e pyesnin për ato që bënte sigurimi i K. Xoxes. Ish numri dy K. Xoxe u pushkatua simbas të njëjtave akuza si të ngjashmit e vet në BS dhe Jugosllavi. Ndërsa Titua e mbylli periudhën e krimeve me eleminimin e Rnkoviçit të kundërtën bëri Enveri. Koha tregoi se në vitet e mëvonëshme E. Hoxha krimet kundra intelektualëve i vazhdoi dhe i intensifikoi, po aq dhe akoma më mizorisht sesa K. Xoxe.
Shkrimtari i përshkruan njerëzit e policisë sekrete në mënyrën më të neveritëshme, i tall, i ironizon, i jep me pelerina dhe duar të përgjakura. Personazhi i ish punonjësit të Min. së Brendëshme Aranit Çorraj, gjaksor, i larguar dhe i punësuar si magazinjer në një ndërmarrje tregëtare si edhe bashkëpunëtorët e tij, janë në libër simboli makabër i Policisë sekrete të E. Hoxhës. Me nivel mediokër K. Xoxe përshkruhet si ato hienat që gjahun e lakmuar kishte intelektualët. “Ah këta shkrimtarët” psherëtinte. Të gjithë intelektualët e shkolluar në Perëndim i syrgjynosi nëpër burgje ku i pushkatoi. Temat më të preferuara të K. Xoxes ishin bisedat për Titon dhe intelektualët. Autori mban qëndrimin më ndëshkues, më demaskues ndaj K. Xoxes e policisë sekrete, por të mos harrojmë asnjë çast se indirekt gishtin e kishte drejtuar te E. Hoxha. K. Xoxe ishte numri dy në pushtet, bashkëpunëtori më i afërt i E. Hoxhës. Aq afër sa në ato vite edhe familjet e tyre jetonin në të njëjtën banesë me dy kate. Të mbajmë mirë parasysh se çdo listë me emra për pushkatim merrte urdhër ekzekutimi vetëm mbasi firmosej nga Sekretari i Parë E. Hoxha. Krimi natyrisht ka qenë i përbashkët. E.Hoxha kryesori. K.Xoxe, njeriu i dytë i regjimit. Të tjerët me radhë sipas hierarkisë. Këtu ka shumë rëndësi një konstatim që ka shënuar fatin e romanit. Ajo që mungon në roman është mungesa e tablosë së plotë të krimit. Kjo përligjet plotësisht në kushtet e një diktature shumë të egër. Jepen tmerret që kryen njeriu i dytë i regjimit, por nuk thuhet askund se krimet i kanë bërë të dy bashkë. Le të arystojmë brenda realitetit të kohës. S’mund t’i kërkohet autorit më tepër. Edhe kaq është shumë. Merret me mend që lexuesi vetë, me një farë kulture qoftë dhe të paktë, e kupton se krimet me përmasa të tilla s’bëhen kurrë vetëm, pa dijeninë e liderit kryesor.
Kryesorja është se autori shkruan fare hapur për krimet. Dhe i quan ashtu siç janë: krime politike, terror politik në një rend komunist, në vendin e quajtur Shqipëri.
Do të mjaftonte si shembull skena e pritjes qeveritare në Tiranë, menjëherë pas kthimit nga Moska të delegacionit shqiptar me në krye E.Hoxhën. Pra, një kthim pas “triumfit” të tij në Moskë.
Në këtë pritje, ashtu si në tragjeditë e Shekspirit, shfaqet një fantazmë e përgjakur. S’është fantazma e një njeriu dosido, por e numrit dy të regjimit, Koçi Xoxes, pushkatuar disa vite më parë prej numrit një, Enver Hoxhës.
Ai shfaqet në pritje duke kërkuar ku e ka vendin e tij në sallën e gostisë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, ai thotë fjalët: “Erdhi prapë koha ime”, “Tani do të keni nevojë për mua”.
Plotësim më të përsosur për personazhin kryesor, E.Hoxhën, nuk mund të ketë. K. Xoxe i thotë: Ti ishe në pritje në Moskë, unë këtu në Tiranë. Ne plotësojmë së bashku një dyshe të pandarë…
Kërkesa për ndalimin e romanit në Shqipëri ishte e logjikëshme. I palogjikshëm do të ishte lejimi i tij.
Këtu është momenti që duhet të pohojmë se më në fund me gjenialitet shkrimtari ka gjetur daljen nga porta e ferrit. Ky është çasti i hedhjes në tavolinë të gurëve të fatit të tij mbasi është momenti kur ka luajtur “bixhoz” me vdekjen.
Këto janë dy shtyllat që kanë shënuar suksesin e romanit dhe shpëtimin, mbijetesën e shkrimtarit Kadare. Njëra shtyllë është portreti letrar i E. Hoxhës që sfidon Moskën dhe e dyta, krimet politike të K. Xoxes. Në këtë mënyrë E. Hoxhës i vuri maskën e “artistit të pafajshëm”, e cila duket që i pëlqeu shumë edhe atij vet. Maska si ai lëngu dehës ia përkëdhëli vetëdijen. Mendja e tij diabolike u mashtrua nga mendimi se njerëzit këtej e tutje do adhurojnë, do duartrokasin dhe brohorasin për “maskën e artistit”. Vetvetiu do harrojnë, do fshijnë nga kujtesa atë E. Hoxhë që mishërohet te K. Xoxe me maskën e krimit. Askush nuk thotë dot se cila nga maskat i ka pëlqyer më shumë. I pëlqente më shumë maska e krimit të K. Xoxes me makabritetin e saj apo ajo e artistit të dashur me popullin që mbante vet. Ky është momenti më kulmor i disidencës së qartë të shkrimtarit Ismail Kadare. Ky trajtim ishte melhemi që i qetësoi shpirtin dhe i mashtroi arsyetimin diktatorit. Duket që me librin në duar, mbrapa maskës E. Hoxha emocionalisht e ka rijetuar edhe një herë të gjallë dramën e papërsëritëshme të Moskës. Dhe sigurisht që kjo e ka bërë të ndihet shumë krenar. Ky është çasti vendimtar i lojës me vdekjen që shënoi mbijetesën e shkrimtarit Kadare. Nga ky moment e më pas po të binte, po të syrgjynosej apo të pushkatohej shkrimtari automatikisht do të binte edhe romani bashkë me maskën e “artistit” të E. Hoxhës. Këtu e gjen logjikën shpjeguese pohimi i shkrimtarit Kadare se E. Hoxha vet më ka shpëtuar nga E. Hoxha. (Me siguri këtë moment në roman duhet të ketë kapur Princi Leka I kur iu përgjigj një gazetari francez para rënies së bustit të E. Hoxhës: “Po Kadare është një disident i fshehtë”. Kështu shpjegohet sesi më pas në vend që shkrimtari Kadare të bëhej më i butë, ai u egërsua akoma më shumë me diktaturën. Siç e thotë studjuesi australian Peter Morgan midis shkrimtarit dhe diktatorit filloi të zhvillohet ndeshja historike. Si dy mjeshtra shahistë ku në një moment kishte avantazh njëri dhe në një moment tjetër kundërshtari. Jam plotësisht i bindur se nuk do të kishte poemë “Pashallarët e kuq” dhe roman “Pallati i Ëndrrave” në qoftëse nuk do ishte botuar dhe lejuar të qarkullonte romani “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Romani i denoncimit me shkrim të krimeve të diktaturës. Prandaj kritika botërore e ka quajtur “Dimrin e vetmisë së madhe” romanin unikal-total të universit komunist.
“Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të dimrit”, sipas kritikës botërore përbëjnë diptikun që ka ndoshta aq krime sa gjithë letërsia e botës komuniste së bashku. Peter Morgan thotë: “Asnjë vepër tjetër në universin komunist nuk e ka përshkruar përçarjen e kampit komunist kaq të plotë”. Në romanin “Dimri” kupola e kampit komunist përshkruhet si një “Consil i zymtë”, si një “Sekt vrasësish”. Një pjesë e tyre, ikona të gjalla si Dolores Ibaruri, Moris Thorez, Luigji Longo, Ulbriht, Gomulka, Dezh, etj. Një pjesë ende në pushtet, ose që prisnin të merrnin pushtetin. Studjuesi dhe shkrimtari francez Eric Faye, njohës ekspert i botës komuniste shkruan: “Dimri” plus “Koncerit” janë së bashku Iliada dhe Odisea e komunizmit.
Kur njihesh me opinionet e kritikëve të huaj dy qëndrime të ndryshme reflektohen te ata mbi “Dimrin”. Kritikët e majtë e kanë konsideruar një tronditje e madhe për të majtën botërore. Prej majtistëve europianë vepra konsiderohej si reaksionare, ishte vepër antikomuniste, sepse gjithë liderët politikë jepeshin me ngjyra negative.E kundërta konstatohet te kritikët me frymë të djathtë europiane dhe botërore. Vlerësim i tyre është maksimal. Në opinionet anglisht që kritikë të ndryshëm kanë shprehur për romanin kudo ku u botua , nuk i kanë dhënë ndonjë rëndësi frymës së E.Hoxhës. Gjithë vëmendjen e tërhiqte tabloja pesimiste, e zymtë e botës komuniste. Për mbledhjen e Moskës u përdor disa herë shprehja “Olimpi në zi”.
Shumë me interes është botimi i romanit në Rusi më 1991, një vit pas rënies së bashkimit Sovjetik. Në një parathënie të gjerë të akademikes Smirnova, jepet interpretimi rus i veprës: vepra nuk quhej as antisovjetike, as antishqiptare. Quhej si “drama e përbashkët e dy vendeve në komunizëm: njeri vend i madh, tjetri i vogël”.
Akoma më interesant ështe gjykimi për dy personazhet antagonistë: Enver Hoxhën dhe Nikita Hrushovin. Ata portretizohen të dy njëlloj negativë, “si dy vëllezër binjakë”! Historia e dënon Hrushovin krahas të tjerave edhe si mbështetës dhe zbatues me dorë të hekurt të spastrimeve masive dhe vrasjeve të bëra në Ukrainë gjatë viteve 1939-1940. Spastrime kriminale të nxitura nga Stalini dhe të zbatuara në Ukrainë nga Hrushovi si Sekretar i parë në ato vite.
Mbas gjithë sa analizuam më lart vijmë tani te përgjigjja e pyetjes: përse kritikuesit e Kadaresë shkojnë nga shkojnë dhe kapen te “miti” i E. Hoxhës në roman. Këta ish punonjës të sigurimit të shtetit të simbolizuar në roman në mënyrën më diskredituese janë baballarët, janë familjarët e studjuesve dhe analistëve të sotëm që gjëllojnë në Tiranë. Të tërheq vëmendjen fakti se në këtë fushatë denigruese ndaj shkrimtarit u dalluan sidomos njerëz që janë pasardhës nga nomenklatura komuniste e lidhur me sigurimin e shtetit. Logjika e pranon se sado të qytetëruar e perëndimorë që të përpiqen të tregohen, në subkoshiencën e tyre ata e vuajnë ngjyrën e zezë të krimit me të cilën u lyen shpirtërisht etërit e tyre në vitet e diktaturës. Sharjen dhe përçmimin e tyre në roman nuk e durojnë dot. Nuk ia pranojnë dot shkrimtarit këtë trajtim mizor që u bën etërve. Nuk janë pak. Janë infiltruar me djallëzi nëpër institucionet dhe median shqiptare nga ku me pezm të madh i sulen shkrimtarit Kadare sa herë riçfaqet sëmundja gangrenoze e hapjes së dosjeve të sigurimit. Janë ushqyer që në fëmini me psikologjinë e etërve dhe nuk u shqitet nga kujtesa. Kujtimet dhe shijet e fëmijërisë janë shtrati ku formohet personaliteti i njeriut të rritur na thotë Frojdi. Prandaj ata në mënyrën më të papërmbajtur shpërthejnë duke u munduar pa pushim që me pa të drejtë të hedhin mbi shkrimtarin pak baltë nga ajo e etërve të tyre. Në ditët më të mira për sigurimin e shtetit, në kulmin e forcës së tij shkrimtari Kadare ia arrin të bëj pa mëshirë gjyqin moral të kësaj arme gjakatare për popullin shqiptar. Për fatin e tyre të keq dhe të mirën e popullit kjo është e vërteta historike e materializuar në mënyrë të shkëlqyer artistikisht në romanin ‘Dimri i vetmisë së madhe”. Me mprehtësinë e tij karakteristike ish ministri i brendshëm Kadri Hazbiu këtë gjyq e vuajti thellë, e kuptoi shumë qartësisht në faqet e romanit prandaj mbetet e paharruar shprehja e tij: “Tridhjetë faqe lexova nga libri (faqet e sigurimit të tij famëkeq) dhe tridhjetë herë pështyva”. Ai e ka ndjerë deri në palcë dhimbjen e këtij përshkrimi makabër në roman. Për fat të mirë të lexuesve shkrimtari me talentin e tij të madh dhe me guxim e zgjuarsi na e dha këtë periudheë të historisë sonë në mënyrën më besnike. Logjikën e këtij arsyetimi mbi etërit e fuqizon më tej edhe një shpjegim krahasues. Asaj periudhe të diktaturës i përket edhe S. Ngjela. Në veprën e tij ai arrin të bëjë autopsinë politiko-filozofike më të plotë deri tani të regjimit të E. Hoxhës. Pa asnjë mëdyshje në mënyrë të veçntë demaskon qartësisht rolin famëkeq të policisë sekrete të E. Hoxhës. Jo vetëm kaq. Me prindërit të pa implikuar në krimet e policisë sekrete Spartak Ngjela që nuk ndjen në subkoshiencën e tij ngacmimet e hijeve të K. Xoxes mban një qëndrim krejtësisht të kundërt, vlerësues në maksimum të shkrimtarit Kadare.
Sikur shkrimtari të kish bërë këtë kompromis me veten, pra të kishte reaguar me autoçensurë, atëhere romani do ishte pa asnjë vlerë. Sipas këtyre kritikuesve përderisa personazhin e E. Hoxhës e përshkruan me realizëm, të pa përkulur e të vendosur në aktin e demaskimit në Kremlin atëhere romani duhet hedhur në plehra thonë ata. Këta lloj opinionistësh më duken si ata lexues që në një libër bëjnë një sondazh të ngjashëm me trryjelën që futet në një sharqi, po qe se është i kuq thonë pa e shijuar se është shumë i mirë. Sipas tyre, ka lavdëruar E. Hoxhën e kuq romani nuk bën. Romani duhet hedhur në plehra thonë kritikuesit, sipas socrealizmit diktatori duhej të ishte përshkruar frikacak. Merita e shkrimtarit pikërisht këtu qëndron që, nuk e autoçensuroi nivelin letrar të romanit për t’a bërë art të masave popullore. “Arti nuk duhet asnjëherë të tentoj të jetë popullor. Populli duhet të kërkoj të bëhet sa më artistik” përsëriste Oscar VVilde.
Me “Dimri i vetmisë së madhe” Kadare arriti që të na japë një kryevepër ku demaskimi i jetës nën diktaturë kap përmasa historike, krahasimisht i pashoq në gjithë letërsitë e vendeve ish komuniste. Kadare e ka shprehur më shumë se një herë se vazhdon t’i qëndroj mendimit që akti i shkëputjes së Shqipërisë nga BS përbën të vetmen gjë që E. Hoxhës ai ia konsideron pozitive në jetën e tij prej diktatori. Në 45 vjet diktaturë ngjarja e Moskës është i vetmi moment pozitiv kur u krijua shkëputja fizike me sllavo komunizmin rus, përkohësisht sepse komunizmi në Shqipëri ngeli. Janë ngjarje epokale këto raste si ai i shkëputjes së Shqipërisë nga Blloku komunist i Lindjes dhe rasti i Kosovës nga Serbia. E kemi të freskët para syve dramën historike të kësaj shkëputjeje nga Serbia. Sa gjak, sa akte çnjerëzore pësoi populli Kosovar derisa ia arriti të shpëtonte nga kthetrat e Serbisë.
Mendoj se me ilustrimin e mëposhtëm ky opinion mbi “Dimrin” bëhet më i plotë.
Ka qënë një kohë kur studentët shqiptarë në BS dhe në vendet e tjera të Lindjes komuniste u ndjenë shumë dinjitoz dhe krenar. Krejt ndryshe për sa ishin mbajtur deri në atë kohë nga qytetarët e vendeve të Lindjes komuniste. Në valën e ndeshjes në Moskë studentȅt e vendeve tȅ tjera satelite komuniste, polakë, gjermanolindorë, çekosllovakë, hungarezë, ukrainas, etj, me ndjenjë adhurimi u thoshin studentëve shqiptarë: “Duhet tȅ jeni shumë krenarë sepse udhëheqësi juaj ia përplasi në fytyrë Krushovit.
Ju një popull i vogël nuk pranuat të jeni vasalë të Moskës. Ju po shkëputeni nga rusët kurse ne do vazhdojmë të jemi nën çizmen e rusëve. Ju shpëtuat, tani do lidheni me perëndimin.
Të mos harrojmë se edhe në ditët e sotme çekët e vlerësojnë tej mase aktin e largimit botërisht të Shqipërisë nga traktati i Varshavës në kohën e pushtimit të Çekosllovakisë. Të mos harrojmë gjithashtu se kjo ndodhte në kohën kur BS ishte një tmerr për Perëndimin. Ilustrimi më domethënës është Ukraina sot.
Përfundimisht mendoj se ne shqiptarëve vepra e këtij gjeniu na emancipoi. Në këtë emancipim një rol të dorës së parë ka luajtur dhe luan romani “Dimri i vetmisë së madhe”. I shpreh mirënjohje autorit Met Dervishi që me studimin e tij u bë shkas që të kem mundësi për të paraqitur këtë opinion në vazhdim plotësues të punës së tij studimore.
Comments are closed.
Nje analize , per te thene qe Kadareja eshte nje gjeni ..dhe me realizem e inteligjenc ka demaskuar figuren e Hoxhes tek ky roman .Mire Kadareja , ne varesi te kohes dhe periudhes se atij regjimi , pa i hequr dot talentin dhe menyren e te shkruarit , shkruajti ate roman , po analistet , studiuesit e vepres , si ne rastin e mesiperm nuk i kuptoj , qe me sofizma argumentojne se Kadareja , per nje sy te holle , apo inteligjent ,( jo popull..) ka goditur dhe i ka vene ne shpine krimet edhe figures se Hoxhes ( se K.Xoxe nuk bente asgje pa aprovimin e Hoxhes), qe me rregull matematikor i bie te kete akuzuar Kadareja , Hoxhen , te pakten per ate periudhe .
Sa me shume te kerkohet te dale Kadareja konfrontist , e sidomos me kete roman , aq me shume bindem , qe nuk ka qene gje tjeter vec nje shkrimtar i talentuar dhe i perkedhelur nga ai sistem ( sepse Hoxha , sic shkruan dhe autori i shkrimit ishte inteligjent , dhe e kish kuptuar , qe me mire se kushdo , “lavdine” e figures se tij ja besoi Kadarese)
Kadareja eshte Kadare , me vlera dhe jo vlera , si cdo shkrimtar i madh apo shume i madh , intelektual i asaj dhe i kesaj kohe , nuk shkon ta himnizoni dhe per ato qe nuk kish mundesi ta bente .
Aq me teper duket madheshtia e figures historike te Enverit si Hero Kombetar i shqiptareve! “Perdredhjet” per te thene te kunderten jane gazmore dhe thjesht te perkohshme! ?
Zef, ti qenke me kallam se ky kallami qe ka shkruar artikulllin.
More se nuk me kujtohet mire tani, por me duket ne romanin e Kadarese nuk flitet fare per Koci Xoxen. Ky eshte pushkatuar me duket ne vitin 1948. Ndersa Ismail Kadare flet per ngjarje te vitit 1960-1961. Mos nuk e mbaj mend une romanin, apo nuk e ka lexuar hic autori i ketij shkrimi.
Billy1-25 shtator,2014 ne 9:42pm.
Ke te drejte,per vrejtjen.Gje qe dhe mua me bani pershtypje.As une nuk e kujtoi nji gje te tille kur e perpiva se lexuari romanin i dalur ne ditet e para te ati vit botimit.Po duket qe autori i shkrimit e shkruan me pasion.Kaq.
Ndersa,Miri Shkodra duket se ka horizont filozofije te mahnitshme qe vetem vetveten kupton dhe te tjeret i ben kallam.
“Dimri i Vetmise se madhe” u pranue nga Hoxha sepse ky rroman E.Hoxhen e futi ne arte,letersi duke e ba perjetesisht te pavdekshem.Le te shkruajne cfare te duan historianet.Kjo asht ajo qe mendoj une qe Enveri e vlersoi Kadaren Shkrimtar te madh.Duke i dhen dhe forcuar te drejten per krijimtari letrare.
Nuk e di a beri mire E.Hoxha qe u shkeput nga sovjetiket dhe u hodh ne prehrin e kinezeve e pastaj ne izolim te plote!!! Autorit kjo i duket “e mira” me e madhe qe i beri popullit shqiptar.
Kjo tregon se Enveri shihte interesin shqiptar! Kur ky interes cenohej,ai largohej nga “tutoret”. Ky eshte FAKT,te tjerat jane VLERESIME. Faktet jane te padyshuara,vleresimet jane relative (te ndryshueshme)! ?
Mbreme postova nje koment qe me dukej korrekt, pa sharje e fyerje per askend. perse e bllokuat? Cfare eshte kjo censure kur lejoni komente mbushur me sharje, fyerje dhe pislleqe nga me te ultat????????
Olimpi, eshte fron i perendive,une nuk pretendoj ta kap ate por kam te drejten ta adhuroj,KADAREJA eshte nje prej majave te olimpit edhe ne ato maja bie shi, bie bore, ato mbeten majat e olimpit, fron i perendive.Dimri i vetmis se madhe, nje kryeveper boterore,disidence super inteligjente nen nje diktature makabre e cila hante edhe gjymtyret e veta e jo me shkrimtare.Kam parasysh ciklonin e shkaktuar mbas botimit te romanit,ne tere shqiperin kerkonin shkrimtarin ne turen e druve ose ne gijotine,ishim ne kohen e skllavopronaris ku vetem skllavopronari te falte ose te varte ne kete rast(skllavi )kadare i sherbente me shume skllavopronarit ta falte se ta kryqezonte,kjo falie ishte njekohesisht humbie e fitore e diktatures per shqiperine ishte fillimi i kapitullimit te diktatures
Kot mundoheni ta nxirrni Kadarene opozitare te kohes. Ai ka qene 8 vjet deputet i atij sistemi, dhe ne kete veper 40 here e permenden Enver Hoxhen per lavdi. Ne nje veper tjeter shkruan ” Ju desh popullit shqiptare te pres 500 vjet pas Skenderbeut qe te lind nje udheheqes te madh” . ky ka qene nje oborrtare qe nuk rehabilitohet lehte ka shum dokumenta shum shkrime, por me e ndershme do te ishte te ndiqte rrugen e Agollit se ne ate kohe ashtu mendojsha tash mendoj ndryshe.
…dhe Kadareja ka thene te verteten! ?
Te kerkosh “disidencen letrare” dhe guximin artistik te I.Kadarese ne kete roman tek akti denoncimit te sigurimit te shtetit te drejtuar nga Koci Xoxe, me duket nje fallsifikim i fakteve historike. Autori shkrimit rreket te jete mbushamendes permes kodeve te rileximit duke nxjerre tekstin jashte kontekstit te kohes kur u shkrua, botua dhe lexua romani. Krimet e K.Xoxes ishin denoncuar nga PPSH dhe E.Hoxha. Plenumi 8-te ku K.Xoxe mori revanshin dhe arriti menjanimin e E.H , u konsiderua “njolle e zeze” dhe Xoxe te cilit ju ngarkuan te gjitha devijimet,u cua ne pushkatim. E.Hoxha si Pont Pilati i lau duart. Pra asokohe e gjitha kjo ishte narrativa e njohur dhe nuk kishte asnje sekret. Atehere ku eshte guximi IK dhe “disidenca” kur , kete realitet historik e pasqyron besnikerisht artistikisht? Lexuesit e asaj kohe nuk besoj se denocimin e krimeve te K.Xoxes ta kene kuptuar dhe lexuar si aludim te hapur per natyren kriminale te diktatures dhe , aq me pak, si denoncim te natyres kriminale te Diktatorit. Perkundrazi, figura e E.Hoxhes vizatohet me nota epike si shpetimtar jo vetem nga devijiatoret e partise (K.Xoxe) por edhe si shpetimtar i vendit nga sovjetiket.
Rebelimi E.Hoxhes kunder B.Sovjetik dhe shkeputja e Shqiperise nga kampi socialist, ishte nje akt heroik thote autori shkrimit. Edhe Kadare ne intervistat e tij e vlereson si nje moment pozitiv kete akt te E.Hoxhes. Ajo qe duhet kqyrur ne kete akt eshte zbulimi motiveve qe frymezuan E.Hoxhen ne perplasjen me sovjetiket. Motivet nacionaliste, mbrojtja e sovranitetit te vendit apo motivi egoist, personal,ruajtja e sundimit te E.Hoxhes i cili rrezikohej nga kursi ri hrushovian kunder kultit te individit te Stalinit? Te dyja motivet kane qene te mpleksura por I.Kadare ne roman , ashtu sikurse gjithe propaganda e kohes, i ben jehone momentit nacional.Momenti personal, frika e E.Hoxhes per humbjen e kontrollit te partise dhe vendit perballe si pasoje e perqafimit te kursit te ri te Hrushovit, mbetet e fshehur pas maskes se heroit qe shpeton vendin nga gllaberimi rus (Baza e Pashalimanit).Davidi kunder Goliathit, vendi i vogel kunder supëerfuqise.O muze, kendo guximin e Enverit, birit te Halilit, kunder superfuqise se kohes! E keshtu I.Kadare , larteson figuren e E.Hoxhes, vizaton masken e tij si hero e shpetimtar i vendit, ne shkembim te shenjave , simbolikave, nenteksteve dhe dykuptimesive qe shoqerojne frymen e romanit.
Per mendimin tim, romani eshte nje tablo epike dhe groteske e utopise komuniste e cila tashme perpelitej ne dimrin e vetmise se madhe. “Disidenca letrare” e romanit eshte sintetizuar tek titulli romanit i cili ne botimin e dyte te rishikuar, u retushua. Vetmia-si shenja funeber e nje shoqerie qe perpelitej ne izolim, u hoq nga censoret. Disidenca letrare, ne mund te quhet e tille, duhet kerkuar ne simbolikat, netekstet dhe dykuptimesine e nuancuar ne tekstin e romanit te shkruar brenda korrnizes se realizmit socialist por padyshim me nje poetike rrembyese dhe mbreselenese.
Gjerat jane te thjeshta,kerkon thjesht llogjike te qendrueshme. Enveri do trembej per pushtetin personal nese do i kundervihej kursit hrushiovian!Nese do “pershtatej”,ai do ishte thjesht nje konformist dhe konformistet nuk rrezikojne asnjehere,pasi shkojne me rrjedhen!Ndersa po ti kundervihej ai mund ta pesonte,kjo eshte LLOGJIKE apo jo! Faktikisht Enveri beri pikerisht kete,pra vuri ne rrezik real pushtetin e tij personal (dmth postin,ndoshta dhe jeten)!Nuk e di se kush mund ta vere ne dyshim kete,apo te mos e kuptoje!!!
Pra arsyeja mbetet vetem nje! ?
Ti i menduar nuk e njef mire kontekstin historik te zhvillimit te ngjarjeve. Ne kongresin e 20-te te PKBS, Hrushovi mbajti te ashtuquajturin raport sekret ku denoi kultin e individit dhe krimet e Stalinit. Te njeten gje duhej te benin dhe vendet e tjera te ish bllokut komunist, duke perqafuar vijen e re te Hrushovit, te denonon pasojat e kultit te individit ne partite perkatese. Si pasoje e kesaj fryme, ish drejtuesite partive komuniste ne vendet e ish kampit socialist u ndryshuan. Kjo pritej te ndodhte edhe ne Shqiperi dhe sinjali u dha ne konferencen e partise te Tiranes.Por Enver Hoxha i shtypi qe ne embrion zerat revizionues. Dhe nga Bukureshti ne Moske dihet historia e “mbrojtjes se parimeve te m-l perballe revizionizmit hrushovian”.Enveri u perplas me sovjetiket pikerisht per te shmangur pasojat qe vinin nga perqafimi kursit te tij brenda vendit. Ishte dhe momenti nacional (kercenimi me bllokade, baza e pashalimanit)Hoxha u rrezikua ne kete perballje por mori dafinat e heroit. Kjo eshte historia. Perqafimi vijes hrushoviane do te thoshte te afrohej me Titon, te rehabilitoheshin te denuarit si pro titiste (Xoxe e co), te denoheshin dhe menjanoheshin mbartesit e kultit te individit dhe stalinizmit ne PPSH dhe, kuptohet , logjikisht, se gishti do te drejtohej mbi vete Enver Hoxhen si nje nxenes besnik i Stalinit. Shkeputja nga sovjetiket dhe me pas, dalja nga Traktati Varshaves ishin momente pozitiv, ne planin nacional. Por kjo nuk u shoqerua me ndonje hapje drejt perendimit apo liberalizim te regjimit , sikurse shpresonin plakat Nurihan.U krijua alanca me Kinen si shpetim e frymemarrje dhe regjimi shkoi drejt stalinizimit ekstrem.Pas prishjes se marredhenieve me Kinen, vendi u fut ne izolim total dhe filloi tatepjeta drejt kolapsit te sistemit. E vetmja gje pozitivenga historia e perplasjes me ruset ishte se Enver Hoxha mbijetoi dhe vdiq ne krevat, i vajtuar nga mijra shqiptare si prijesi kombit.
Te jesh i sigurte qe e njoh mire (aq sa mund te pretendoj) konteksin e ngjarjeve!Sido qe ta rrotullosh,si perfundim thua ato qe thashe une me tre fjali te thjeshta! Enveri kishte dy rruge te konformohej (pershtatej) ose konfrontohej (kundershtonte)! Ai zgjodhi konfrontimin (kundershtimin),gje qe e beri vetem Shqiperia dhe Kina! Nese do te thuash (duke shpjeguar konformimin-pershtatjen) se Enveri nuk kishte zgjidhje tjeter per vec kundershtimit,atehere del se te tjeret e detyruan te bente ate qe beri,pra konfrontimin me ruset! Pra keshtu do vepronte cdo njeri i llogjikshem,apo jo!? Del qe Enveri paska qene krejt I LLOGJIKSHEM! ?
sja vlen ta rishkruaj atë që nuk ma botove mero!!
vk këtij minellës që ul kultin e enverit dhe krijon atë të molit!!
punë shqiposh,duhet të kenë një dash që ti udhëheq,ti shkojnë pas!ndonjëherë i mbajnë dhe trastat që i varen!!
Ketu flitet per Kadaren,per kohen e botimit te romanin “Dimni i vetmise se madhe” dhe ju komentatoret jeni futur politikes,kishte te drejt apo jo Enveri per reformat e Hrushovit ne parti.
Ne fillim ky shkrim mu duk pak jo fort bindes. u detyrova qe te rilexoj disa pjese qe doja te rifreskoja. te njejten gje do u keshilloja edhe atyre qe duan te kuptojne sepse, 1. shume gjera te asaj kohe i kemi harruar dhe nuk u kemi vene rendesi ngaqe ate ushqim politik hanim cdo dite dhe e dyta kur e rilexoj sot jam plotesisht dakord me ate qe thote autori Aleksi se Kadare ka luajtur bixhoz me vdekjen.me kujtohen shkrimtaret bashkekohes te Kadarese si Shuteriqi, Xoxe, Gjata etj te cilet me duken krejt anakronike. keta ishin servilat dhe frikacake se nuk moren asnje risk.por shkrimtare te realizmit socialist 24 karat.edhe nje here e falenderoj z. Aleksi per kete shkrim qe me hapi njerin sy te mbyllur se tjetrin e kisha te hapur.
Qirie Minella, kur merr moliven per te bere artikull per kete teme duhe te keshe henger darke, pshesh me kos sa te dendesh! Me pas futi dhe ndonje …banane dhe kumbisu nje cope here te madhe! He xhan !
Jo per gje ore , po se kosi te ben nje kthjellim te mendjes …e cila duket qe ta ka …lebe shendene
Artikull i pa krahasueshem me te mepareshmit,shkruar per kete teme.Shume origjinal.
analize e forte e shkruar me “tifozllik” kadareje qe une nuk do i hiqja asnje presje megjithese jam dhe nuk jam tifoz i kadarese….
analize e kujdeshme aq sa e nje doktori qe njeh perberjen qelizore mendore shpirterore etj njerezore….