Gjatë sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u zhvillua mbledhja e posaçme e Këshillit të Sigurimit, e cila kishte për qëllim miratimin e rezolutës mbi luftëtarët e huaj terroristë.
Shqipëria iu bashkua vendeve të cilat mbështetën këtë rezolutë që ka për objekt përgjigjen ndaj rrezikut në rritje që paraqesin luftëtaret e huaj terroristë.
Rezoluta afirmon vendosmërinë e shteteve anëtare për të bashkërenduar veprimet ndaj terrorizmit në të gjitha format e tij, i cili përbën rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, Ministri Bushati evidentoi se “luftëtarët e huaj terroristë paraqesin një rrezik gjatë gjithë trajektores së lëvizjes së tyre si në destinacionin përfundimtar ashtu edhe në shtetet ku ata tiranizojnë.
Por ky rrezik është po ashtu i madh dhe për shtetet e origjinës pasi kthimi në këto vende paraqet rrezik potencial veçanërisht kur strukturat e sigurisë janë te pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është i pa konsoliduar ose kur ka rrethana komplekse të përbërjes etnike ose fetare siç është rasti në Ballkan.
Shqipëria është krenare që është ndër vendet e para që janë përgjigjur kësaj sfide”.
Ministri Bushati nënvizoi nevojën e adresimit të faktorëve socialë dhe ekonomikë që favorizojnë përfshirjen e luftëtarëve të huaj në rrjetet dhe aktivitetet terroriste.
Ai shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për forcimin e paqes dhe stabilitetit.