Kreu i Komisionit të Medias, Alfred Peza, u ka dërguar një letër kolegëve të tij të mazhorancës për plotësimin e vendeve vakante të AMA-s dhe zgjidhjen e ngërçit për RTSH-në.
Peza nënvizon ngërçin që ekziston në këto dy institucione, teksa shpreh se Radiotelevizioni Shqiptar, punon me një Këshill Drejtues i cili ka 3 vjet pa mandat, ndërsa vetë drejtori i Përgjithshëm i RTSH ka dhënë dorëheqjen prej gati 1 viti.
Peza ka thënë se mazhoranca do ta presë opozitën deri të mërkurën.
Në të kundërt, ai tha se mazhoranca do të plotësojë e vetme vende vakante të AMA-s, pasi kjo çështje nuk mund të zvarritet më.
Letra e plotë:
Tiranë, më 29 shtator 2014
Lënda: Letër e hapur.
Drejtuar: Deputetëve të opozitës në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Për dijeni: Të gjitha mediave dhe opinionit publik shqiptar.
Të nderuar kolegë deputetë!
Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka përpara tij, gjatë këtij sesioni të ri parlamentar, sfida të mëdha në përmbushje të detyrave për reformimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Televizionit Publik Shqiptar (TVSH), sistemit arsimor në përgjithësi dhe atë të lartë në veçanti, por edhe një sërë nismash të tjera ligjore që pritet të vijnë në Kuvend në lidhje me artin, kulturën, sportin, pronësinë intelektuale, të drejtat e autorit, unifikimin e programeve arsimore dhe teksteve shkollore mes Shqipërisë dhe Kosovës etj,.
Problemet më URGJENTE për zgjidhje sot para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Kuvendit të Shqipërisë janë çështja e plotësimit të vendeve vakante në AMA dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj në Këshillin Drejtues të RTSH.
Me nismën e kryesisë së komisionit tonë, sot më 29 shtator 2014 kemi thirrur mbledhjen me rend dite, vijimin e procedurave për plotësimin e vendeve vakante në AMA.
Me anë të kësaj nisme, ne përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik synojmë rikthimin sa më shpejt në normalitet të punës dhe veprimtarisë së AMA, në përmbushje të funksioneve dhe detyrimeve shumë të rëndësishme të saj, në shërbim të interesit publik, sipas kërkesave të ligjit dhe Kushtetutës.
Për të kuptuar më mirë dhe më qartë nevojën emergjente për zgjidhjen e kësaj çështje, na lejoni t’ju risjellim në vëmendjen Tuaj, medias dhe opinionit publik shqiptar, faktet e mëposhtme:
1. Prej një periudhe shumë të gjatë (saktësojmë: Detar Hysi i shkarkuar më 5 nëntor 2009, Alban Karapici i dorëhequr më 28 tetor 2011 dhe Gent Ibrahimit, që i ka përfunduar mandati më 24 shtator 2012), AMA nuk ka patur në përbërjen e saj tre anëtarë, duke mos ushtruar për një periudhë të gjatë vendimmarrjen e saj me shumicë të cilësuar, e domosdoshme kjo për akte shumë të rëndësishme.
2. Znj. Endira Bushati ishte pa mandat anëtari të AMA që nga 24 shtatori i 2012 dhe për rrjedhojë ajo nuk mund të ushtronte edhe funksionin e Kryetares.
3. Në 20 qershor 2014, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më 4 korrik 2014, Gjykata e Apelit, kanë “pezulluar nga detyra” Kryetaren e AMA, Znj. Endira Bushati, e denoncuar “për shpërdorim detyre”. Pas këtij vendimi, ajo nuk mund të ushtrojë dot detyrat e saj funksionale.
4. Zëvendëskryetari i AMA-s, Sami Neza, ka dhënë dorëheqjen që në muajin tetor 2013 nga funksioni i zëvendëskryetarit, akt që është pranuar dhe miratuar më pas zyrtarisht edhe nga Autoriteti i Medias Audiovizuale.
5. Në këto kushte, Këshilli i Autoritetit të Mediave Audiovizive nuk e ka kuorumin e nevojshëm për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime. Aktualisht AMA ka në përbërjen e saj vetëm 3 (tre) anëtarë, nga 7 (shtatë) gjithsej. Pa harruar këtu që institucioni ka mbetur edhe pa kryetar dhe pa zëvendëskryetar.
6. Me vendimin nr.1 datë 6 maj 2014, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shpalli 3 (tri) vende vakante në AMA. Ndërsa me vendim nr 29/ 2014 Kuvendi i Shqipërisë, datë 23 maj 2014, ky komision shpalli publikimin e vendit vakant të Kryetarit të AMA.
7. Komisioni i Përhershëm i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, në përfundim të afateve të parashikuara në shpalljen e Kuvendit për vendet vakante, ka mbyllur procesin e vlerësimit të plotësimit të kritereve ligjore nga kandidaturat për anëtarë dhe Kryetar të AMA, si dhe seancat dëgjimore me secilin prej tyre. Por më pas Komisioni, nuk kanë vijuar më tej, për të zgjedhur 3 anëtarët dhe kreun e ri të AMA sipas parashikimeve të ligjit 97/2013.
JU RIKUJTOJME SE:
8. Si rezultat i mosfunksionimit total të AMA, ËSHTË BLLOKUAR procesi i dixhitalizimit të operatorëve radioteleviziv.
Të nderuar kolegë të opozitës,
Republika e Shqipërisë ka detyrimin që ta përfundojë procesin e DIXHITALIZIMIT (kalimin nga transmetimet analoge në ato numerike) deri në 17 qershor 2015. Afat ky i përcaktuar nga ITU (International Telecommunication Union), nëpërmjet një marrëveshje të ratifikuar nga Shqipëria. Në këtë mënyrë, nga vendi i parë në Europë që futi në treg për qytetarët e saj transmetimet dhe platformat dixhitale, për shkak të mosfunksionimit të AMA, Shqipëria rrezikon të mbetet shteti i fundit në Europë, në implementimin në kohë dhe me cilësi të procesit të DIXHITALIZIMIT. Përveç të tjerash, gjithë konsumatorëve blerës të platformave me pagesë dhe opinionit publik shqiptar u rrezikohet seriozisht që t’i ndërpritet shërbimi në mënyrë të njëanshme, duke mos e marrë dot atë nga 18 qershori i vitit të ardhshëm e në vijim.
Ndërkohë, vetë procesi i përgatitjes së akteve nënligjore të domosdoshme për kalimin nga transmetimet analoge në dixhitale, si dhe implementimi i këtyre platformave të transmetimit, kërkon një periudhë të konsiderueshme përgatitjeje nga vetë AMA dhe operatorët e medias vizive.
Ju rikujtojmë gjithashtu se:
9. Për shkak të krizës së drejtimit në AMA është bllokuar procesi i hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjit 97/2013, të cilat lidhen me procesin e kalimit në transmetimet dixhitale.
10. Është bllokuar procesi i miratimit të strukturës së re të AMA, por edhe procesi i emërimit të strukturave të Autoritetit të Mediave Audivizuale, në zbatim të ligjit 97/2013, si përshembull Sekretari i Përgjithshëm, Këshilli i Etikës, etj.
11. Kjo situatë ka sjellë edhe mosrealizimin e plotë të procesit të monitorimit të programeve dhe të spektrit të frekuencave.
12. E gjithë kjo amulli ka sjellë për rrjedhojë edhe rritjen e ndjeshme të fenomenit të piraterisë dhe mosrespektimit të pronësisë intelektuale në fushën e prodhimeve dhe transmetimeve radiotelevizive.
13. Në këto kushte, edhe për shkak të problematikave të mbartura ndër vite, tregu mediatik audioviziv në Republikën e Shqipërisë, është në kaos të plotë ku po shkelen çdo ditë e më shumë të gjitha rregullat e lojës dhe barazia e operatorëve në treg.
14. Gjithashtu, gjatë muajve të fundit për shkak të krizës institucionale të AMA, kanë dalë në transmetim pa leje disa operatorë radiotelevizivë.
15. Prej disa muajsh, një listë e gjatë personalitetesh publike dhe profesionistësh, nga më të spikaturit në të gjitha fushat, iu përgjigjën thirrjes sonë për t’u bërë pjesë e procesit për zëvendësimin e 4 (katër) vendeve vakante në AMA. Sëbashku ne bëmë edhe seancat e dëgjesave publike me secilin prej kandidatëve. Në respekt edhe të angazhimit të tyre, ky proces duhet përmbyllur sa më parë.
Situata e krijuar tashmë në AMA, ka ardhur për shkaqe të njohura dhe të bëra publike tashmë, në mbledhjet e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. I bëjmë thirrje koshiencës suaj politike dhe qytetare për të zgjidhur sa më parë situatën e krijuar në AMA. Pavarësisht vendimit politik të opozitës për të bojkotuar Kuvendin, për shkak të interesit madhor publik të kësaj çështje dhe pritshmërive të partnerëve tanë ndërkombëtarë që asistojnë dhe monitorojnë punën e institucioneve në Shqipëri për realizimin e standardeve të integrimit në BE, ju bëjmë thirrje që të riktheheni në komision dhe të bëheni pjesë e zgjidhjes së këtij bllokimi.
Ne, përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vlerësojmë se është një nevojë publike urgjente gjetja e të gjitha rrugëve ligjore dhe kushtetuese për të zgjidhur sa më parë situatën në të cilën ndodhet AMA sot, për të rikthyer normalitetin e punës në institucion dhe për të nisur plotësimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga ligji dhe angazhimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, në fushën e transmetimeve audiovizive.
Deputetët e mazhorancës në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Alfred Peza
Mimoza Hafizi
Musa Ulqini
Fatmir Toci
Luiza Xhuvani
Gledion Rehovica
Ylli Zicishti
Klodiana Spahiu
Olta Xhacka
Ilir Pendavinji
Keidi Mehmetaj
Dashamir Kamberi
Adelina Rista
Enkelejda Shkreli
Bujar Derveni
Amani more vellezer,Ramy ska bisedu akoma ma doktorin per veprimet e metejshme,se mami jone ka pase shume pune me kongresin,si rjedhoje ska cfare shkrun dhe ketu.Pershendetje.
Mos u merzit motra, se bejme dhe pa komentet e Ramyt.
E ka ndricu gazeten ylli i mediave, Fredi.