Turqia miraton rezolutën pro sulmeve kundër ISIS, Erdogan ndryshon kurs

3 Tetor 2014, 14:18Bota TEMA

Parlamenti turk miratoi një rezolutë e cila mundëson ndërhyrjen ushtarake në vendet fqinje – Siri dhe Irak. Deputetët në Ankara i kanë dhënë dritën jeshile qeverisë konservatore për ndërhyrje ushtarake të forcave turke në këto dy vende fqinje. Deputetët e kanë lejuar edhe ndërhyrjen e ushtarëve të vendeve të tjera nga territori i Turqisë në luftën kundër njësive të grupit terrorist “Shteti Islamik” (IS). SHBA kanë një bazë ushtarake në Incirlik në jug të Turqisë. Për këtë rezolutë kanë votuar 298 deputetë, ndërsa kundër ishin 98. Kundërshtimin e këtij mandati para votimit kishin paralajmëruar partia e madhe opozitare socialdemokrate CHP si dhe një parti më e vogël pro – kurde HDP.

Në këtë mënyrë presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe qeveria e tij e kanë ndryshuar politikën e deritanishme sa i përket “Shtetit Islamik”. Deri tani Turqia ka qenë më e matur dhe më e përmbajtur ndaj milicëve të IS. Për dallim prej shumë vendeve perëndimore, Ankaraja iu shmang për një kohë të gjatë cilësimit si organizatë terroriste të IS. Turqia është kritikuar edhe si një vend tranzit i luftëtarëve të huaj të cilët përmes Turqisë kanë shkuar në Siri dhe Irak, në radhët e IS, me qëllim rrëzimin e regjimit të presidentit Baschar al-Assad. Erdogani ka theksuar edhe të mërkurën (01.10) se Assadi duhet të largohet nga pushteti.

Ende nuk është e qartë se si do të realizohet nga qeveria turke kjo rezolutë dhe nëse në Siri e Irak do të dërgohen trupa tokësore turke në luftën kundër organizatave terroriste. Pak para votimit në Parlament, ministri i Mbrojtjes Ismet Yilmaz sipas agjencisë së lajmeve Anadolu, ka deklaruar para gazetarëve: “Mos prisni veprimin e menjëhershëm pas miratimit të rezolutës me të cilën jepet drita jeshile”. (Express)

3 komente në “Turqia miraton rezolutën pro sulmeve kundër ISIS, Erdogan ndryshon kurs”

  1. Genci says:

    Marshallah, marshallah!

  2. Ariu says:

    Si gjithnje mashtrime tipike orientale.

  3. Toni KS says:

    Tullumbacja neo-otomane nuk i qendron presionit te realitetit gjeopoltik. Sa do pikellohen disa renegate shqipfoles aman aman.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje