Kunati këshillohet para fjalimit për reformën në drejtësi

6 Tetor 2014, 21:36Antena TEMA

Kunati duhet të përgatiste fjalimin e Lulit për reformën në drejtësi. Para se të ulej për ta shkruar, ai vendosi të marrë një ide nga Luli, se ku duhej të përqëndrohej.

Luli e priti në zyrë dhe ja nisën diskutimit.

-Ku do që të përqëndrohesh, i tha Kunati?

-Po ja, tek fakti që këta duan të kenë nën kontroll gjykatat dhe prokurorinë, tha Luli.

-Çfarë shembulli të marrim, i tha Kunati?

-Tani ndonjë shembull konkret nuk kemi, por thuaj që gjykata dhe prokuroria nuk po ndëshkojnë zyrtarë të lartë.

-Se themi dot, tha Kunati, se pastaj do thonë, shko një herë ti në gjykatë që e mbylle me procedurë, pastaj ikim ne.

-Ah, po, ke të drejtë, tha Luli. Po mirë, ti mund të thuash që Prokuroria të mos djegë afatet e hetimeve.

-Nuk e themi dot, tha Kunati, se do t’u kujtohet rasti yt, kur prokuroria e çoi një orë me vonesë dhe u mbyll gjyqi.

-Ah po, ke të drejtë, i tha Luli. Atëhere bjeri gjykatave që zvarrisin proceset pa fund me tekat e avokatëve për qëllime politike.

-Po nuk e themi dot, se i ngelet qejfi Mediut, tha Kunati, se ai ashtu e mbylli gjyqin, ndryshe do hante 6 vjet burg.

-Ah po, ke të drejtë, tha Luli. Po mirë, bjeri gjykatave që nuk dënojnë për shpifje Taulant Ballën dhe Erion Braçen që kanë sharë fëmijët e Doktorit.

-Po nuk e bëjmë dot, tha Kunati, se është ajo puna që ata kanë mbyllur çështjen e Doktorit kur e hodhi në gjyq Aneta. Dhe kam frikë mos e merr personale Doktori.

-Ah po, ke të drejtë. Po mirë, bjeri kësaj tezës që pse nuk heton prokuroria kush nga të afërmit e pushtetarëve hyn si sekser në biznese shtetërore.

-E themi, tha Kunati, po mos i ngelet qejfi Zenit, se është ajo puna e Gërdecit.

-Ah po, ke të drejtë, i tha Luli. Po ça të themi tjetër? Shiko, thuaj që drejtësia duhet të hetojë rastet kur të afërm të pushtetarëve janë sekserë të bizneseve të huaja në Shqipëri..

-Po jo, se i ngelet qejfi Argitës, se i kujtohet ajo puna e 3 përqindshit me pakistanezin.

-Ah po, mirë që ma kujtove, tha Luli. Po ça dreqin ti themi? Duhet hetuar korrupsioni në mjekësi, se është i prekshëm.

-E themi, po mos e merr personale Teta Lili, se asaj duan t’i hetojnë fondacionin se ku ka çuar ndihmat. Se ti e di që këta e fillojnë me çdo hetim.

-E mirë e ke, lere dhe këtë, tha Luli. Ça ti themi tjetër, ça ti themi…Ah po, e gjeta! Thuaj drejtësia duhet të hetojë korrupsionin në arsim…

-Po jo, se do ta hajë prapë Tit Veliaj, se ai ka mbet në këmbë nga tanët. Le, se e hëngri një proces kot.

-Ah po, ke të drejtë. Po çfarë të themi, ke ndojë ide ti?

-Unë them të vlerësojmë situatën pozitivisht, tha Kunati, dhe të themi mos e prekni drejtësinë, se është e jona. Kush e prek, ka punë me opozitën.

-Shumë mirë, tha Luli. Këtë thuaj. E qaj unë pastaj në sallë!

Pas kësaj, Kunati u ngrit tërësisht i qartë se çfarë nuk duhet të thoshte. Dhe u ul e bëri fjalimin.

3 komente në “Kunati këshillohet para fjalimit për reformën në drejtësi”

  1. zyber says:

    cila eshte teta LILI? liria e s.b.po cna degjojne veshet……MERO JE I PAPAM>>>>nga i gjen keto…..kam degjuar se po u be reforma ne drejtesi biletat i kane prere per ne afrike,me mire pranojne ebolen,se sa te futen brenda,nga edi…

  2. MENTORES says:

    kjo ishte e pa pare! nuk eshte e qarte nese eshte pjese e Antenes apo Editoriali i dites! Jeni njesha me te vertete!

  3. mirjam says:

    Shakate e Meros jane per te vene kujen-jane krejt te verteta. Edi Rama duhet ti drejtohet sovranit nese nuk ka rruge tjeter. Pa rregullimin e drejtesise, asgje nuk behet. Nese z.Rama e ka seriozisht duhet mbeshtetur ne cdo menyre. Tek drejtesia fillon e mbaron shteti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje