Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi sot një takim me Senatorin amerikan Chris Murphy, kryetar i Marrëdhënieve me Jashtë të Nënkomitetit të Senatit për Çështje Evropiane.
Gjatë këtij takimi, ministri Bushati dhe senatori Murphy diskutuan veç të tjerash edhe për situatën e tensionuar që krijoi ndeshja e 14 tetorit në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe ndanë të njëjtin mendim se retorika e pas ndeshjes nuk i shërben bashkëpunimit dhe prosperitetit të vendeve të rajonit.
Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, Bushati dhe Murphy vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e mëtejshëm e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Senatory Murphy vlerësoi rolin aktiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si për kontributin e dhënë për forcat e armatosura të Irakut, renditjen në krah të aleatëve në luftë kundër terroristëve të ISIS, ashtu dhe mbështetjen për krizën në Ukrainë.
Ai vlerësoi, gjithashtu, përqasjen e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në planin politik, ekonomik dhe në kuadër të NATO-s.
Ministri Bushati, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA, falënderoi Senatorin Murphy për kontributin e tij personal në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjithashtu,
Ministri Bushati shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-së dhe vlerësoi rolin e saj të rëndësishëm për prosperitetin e të gjitha vendeve të Ballkanit.