Nishani kërkon takim me Metën/ Pritet të diskutohet për Guvernatorin e ri dhe dekretet për Gjykatën e Lartë

4 Nëntor 2014, 11:51Politika TEMA

Presidenti Bujar Nishani dhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta pritet të takohen të enjten në mëngjes në një takim të kërkuar nga Kreu i Shtetit.

Takimi është konfirmuar nga kryeparlamenrtari Ilir Meta, i cili ka pohuar se ka një ftesë nga Presidenti Nishani për takim por pa dhënë detaje mbi atë çka mund të diskutohet mes dy drejtuesve të lartë të shtetit.

Burime nga Presidenca konfirmojnë për TemA se takimi i planifikuar do të ketë në vëmendje jo vetëm zgjedhjen e Guvernatorit të ri, për të cilin Nishani ka zhvilluar disa takime konsultative me Kryeministrin Edi Rama, por edhe mbi dekretet e Kreut të Shtetit përsa i takon plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.

Kuvendi ka rrëzuar me votat e mazhorancës dekretet e Nishanit për kandidatët e propozuar për Gjykatën e Lartë për shkak se nuk janë respektuar procedurat consultative mes Kreut të Shtetit dhe Parlamentit.

Burimet theksojnë se takimi është në frymën e dialogut që Kreu i Shtetit zhvillon me drejtuesit kryesorë të institucioneve dhe nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vijim Presidenti të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Deputeti socialist Erjon Braçe në një postim në Facebook është shprehur se Kreu i Shtetit nuk ka asnjë të drejtë ligjore për të propozuar kandidatë për Këshillin Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, ndërsa për këtë i referohet ligjit për Bankën. i të njëjtit mendim është edhe ish-Presidenti Bamir Topi, sipas të cilit Kryeministri Edi Rama po gabon duke i lënë Kreut të Shtetit të drejtën e propozimit të Guvernatorit të ri.

Në bazë të ligjit, Kreu i Shtetit ka të drejtën të propozojë si Guvernator një nga emrat e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Presidenti në anën tjetër ka deklaruar se do të respektojë gërmë për gërmë frymën e Kushtetutës për të ushtruar kompetencat e tij. /gj.k/

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje