Delegacioni i BE-së në Tiranë nën hetim për tenderin e Drejtësisë

21 Nëntor 2014, 11:07Politika TEMA

Nga Besar Likmeta, BIRN

 

Zyra anti-korrupsion e Bashkimit Europian, OLAF, ka nisur një hetim kundër Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri mes akuzave se një tender me vlerë 4 milionë euro u karakterizua nga ndikim i padrejtë, zbulon BIRN.

Një dokument i siguruar nga BIRN tregon se OLAF ka nisur një hetim pasi pa në tërësi ankesën e dorëzuar kundër tenderit, i cili u zhvillua në maj nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.

“OLAF ka rishikuar informacionin e marrë në përputhje me Rregulloren 883/2013 dhe ka hapur një hetim,” shkruhet në dokument.

Hetimi përqendrohet në tenderin për projektin EURALIUS IV, i cili u zhvillua në maj 2014 për një vlerë prej 4 milionë eurosh dhe u fitua nga një kompani konsulence gjermane IRZ.

Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe kompania gjermane e konsulencës i hodhën poshtë akuzat.

“Akuzat për parregullsi në lidhje me vlerësimin për EURALIUS IV janë të gabuara dhe hidhen poshtë prerazi nga Komisioni Europian,” i tha BIRN në një deklaratë Clive Rumbold, kreu i seksionit politik dhe ekonomik në Delegacionin e BE-së ë Tiranë.

“Vlerësimi u bë nga një skuadër stafi profesionistësh të cilët e bazuan vendimin e tyre mbi kriteret teknike në përputhje me procedurat e BE-së,” shtoi ai.

IRZ nga ana e vet i përshkroi akuzat për korrupsion në tender vetëm si “qejfmbetje” nga konkurrenca në procesin e prokurimit.

EURALIUS është Misioni i Asistencës Europiane për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Objektivi i përgjithshëm i projektit është “afrojë Sistemin e Drejtësisë së Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian përmes ndihmës teknike të ofruar nga vendet anëtare të BE-së.”

Projekti mbështet reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri ‘në përputhje me prioritetet e acquis të BE-së në Drejtësi dhe të Drejtat Themelore si dhe praktikave më të mira Europiane e standardeve në këtë fushë.’

Misioni i parë EURALIUS në Shqipëri nisi nën programin CARDS 2002 të BE-së dhe u zbatua përmes një konsorciumi që përfshinte ministritë e drejtësisë së Gjermanisë dhe Italisë. Projekti u shty nga viti 2007 deri më 2010 dhe u riemërua EURALIUS II.

Misioni i tretë EURALIUS u bazua në një grant të financuar nga Instrumenti i Ndihmës Para Anëtarësimit, IPA në vitin 2009 dhe u zbatua nga Ministria Spanjolle e Drejtësisë në konsorcium me Këshillin e Lartë të Magjistratëve të Italisë.

Akuzat mbi tenderin e EURALIUS fillimisht u shfaqën në blogun gjysmëzyrtar të misionit EURALIUS III më 14 maj.

Një postim në blog aludonte se vendimi i Delegacionit të BE-së për t’i dhënë katër milionë euro projekt për misionin Euralius IV një konsorciumi të udhëhequr nga Gjermania, me pjesëmarrjen e Austrisë, qe ‘pastër politik dhe dukshëm kundër rregullave dhe ligjeve të BE-së.’

Blogu me titullin ‘Korrupsion në Delegacionin e BE-së në Shqipëri,’ një kopje e të cilit u mor nga BIRN, qëndroi i publikuar për vetëm pesë ditë deri sa u fshi më 19 maj, pas presionit nga Delegacioni i BE-së në Tiranë.

“Në biseda të ndryshme, ekspertët dhe zyrtarët e Delegacionit të BE-së kanë pranuar se propozimi tjetër [udhëhequr nga Spanja, me pjesëmarrjen e Italisë dhe Francës] qe teknikisht shumë më mirë dhe më i leverdishëm për reformën e drejtësisë,” shkruhej në këtë postim në internet.

“Gjithsesi ata e justifikojnë vendimin me presionin politik që u mor nga qeveria aktuale e Partisë Socialiste të Shqipërisë,” pretendoi blogu.

Ish anëtarë të skuadrës spanjollo-italiane që drejtuan EURALIUS III morën pjesë gjithashtu në tender për misionin e ri [EURALIUS IV] dhe pretendojnë se vendimi për t’ia dhënë gjermanëve kontratën qe i motivuar politikisht dhe ata akuzojnë Delegacionin e BE-së në Shqipëri për korrupsion.

Në një intervistë me BIRN, ish kreu i misionit EURALIUS III, Juaqin Urias, mbështeti akuzat e postuara në blog dhe akuzoi Delegacionin e BE-së në Shqipëri për mungesë transparence dhe paaftësi.

“Propozimi ynë është i saktë dhe bazohet në atë se çfarë po ndodh në sistemin e drejtësisë në Shqipëri ndërsa gjermanët as nuk kanë fare një Këshill të Lartë të Drejtësisë,” tha Urias për BIRN gjatë intervistës në muajin maj.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një nga institucionet e Shqipërisë të cilin EURALIUS IV ka për detyrë ta reformojë.

Megjithëse Urias mohoi se ai qe autori i postimit në blogun e EURALIUS, ai tha se akuzat qenë të besueshme dhe hodhi dyshime mbi procedurën e tenderit.

“Faktet e përmendura duken të dyshimta,” tha Urias. “Unë nuk mund të jem i sigurtë se ka korrupsion por çështja mban erë të keqe,” shtoi ai.

Një ish profesor i ligjir në Universitetin e Seviljes dhe Këshilltar në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës, Urias drejtoi misionin EURALIUS III nga viti 2010 deri në qershor 2013. Pasi misioni përfundoi, ai u punësua nga Delegacioni i BE-së në Tiranë deri në fillim të vitit 2014.

Urias akuzoi Delegacionin për mungesë transparence në mënyrën se si ata shpërndanë fondet e asistencës.

“Ti ke katër milionë euro për asistencë teknike, jo katër milionë euro për të mbajtur të lumtur qeverinë,” theksoi Urias. “Problemi është kur ata përdorin paratë e BE-së si paratë e veta,” shtoi ai.

Gjatë punës së tij në Delegacionin e BE-së në Tiranë, ai mbuloi reformën në drejtësi për raportin vjetor të progresit të Shqipërisë që hartohet nga Komisioni Europian.

Sipas Urias megjithëse shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e BE-së, politikanët në Tiranë thjeshtë sa po i lëpihen Brukselit kur bëhet fjalë për reforma ndërsa delegacioni vendor është tepër i dobët dhe me raste, i paaftë për t’i bërë presion.

“Disa nga stafi i BE-së nuk janë profesionistë të mirë dhe shumica e stafit të Delegacionit të BE-së nuk janë nëpunës civilë,” tha Urias.

“Nëse në vendet tona [Spanjë] njerëzit do ta dinin se sa e dobët është BE-ja në negociata me vende të tjera [Shqipërinë] do të qe tronditje e madhe, një skandal,” përfundoi ai.

6 komente në “Delegacioni i BE-së në Tiranë nën hetim për tenderin e Drejtësisë”

  1. sinan hibro says:

    Nuk ka nevoje per hetim…. ose me sakte ata te hetojne per parate e tyre , sepse per ne shqiptaret , misioni EUROALIUS , I , II , III apo IV eshte komplet i deshtuar ; mjafton te shohesh gjendjen e sistemit tone te drejtesise ….I vetmi investim i dobishem i BE ne sistemin e drejtesise eshte rikonstruksioni i godinave te gjykatave ….Me e bukura eshte qe , edhe pse komplet i deshtuar, EUROALIUS eshte duke kooperuar me presidentin e PD , Nishani, per reformen , sipas mendjes se tyre dmth. me te njejten mendje si ne keto dhjete vite , ne sistemin e drejtesise …!

  2. futja kot says:

    BLABLABLABLABLABLABLABLABLABLABLA
    Pa prova pa gje, kot fare shkrim koti. Jo ky tha keshtu e ai ashtu vari trapin

  3. altin says:

    Ore mire mire po Seqiun e akuzuan, tani dhe kete te Erualius. Per EULEX ne Kosove te mos flasim fare se aty po behet nami. Sikur po behen i çik si shume.

  4. PERENDIMI says:

    CFARE NA DEGJOJNE VESHET THUAJ KETA QEVERITARET TANE FUTIN NE BURG FAMILJARET QE SPAGUAJNE DOT DRITAT DHE DETYROHEN TA VJEDHIN NGA 30 000 DERI 50 000 LEKE NE MUAJ QE HIDROCENTRALET I KA NDERTUAR VETE POPULLI ME AKSIONE VULLNETARE PER VITE ME RRADHE PA U PAGUAR FARE AS ME DITE PUNE NDERSA KETA PUSHT(PUSHTETARET) SE BASHKU ME TE HUAJTE QE PO VJEDHIN TE GJITHA PASURIT KOMBETARE QE NGA UJI, DRITAT, NAFTA, MINERALET, RRUGET, FABRIKAT , UZINAT, DETET, ARMATIMET ETJ. ETJ. DHE DALIN PA U LAGUR FARE SEPSE KETA DUHEJ TE VARESHIN NGA GJUHA PER KRIMET KARSHI POPULLIT TE NDERSHEM QE TANI PO I MARIN EDHE FRYMEN. FALEMINDERIT

  5. ervin says:

    Uh po e ndriten ata qe shkuan!? Po ikni o spanjoll e serb se nje marmalate jeni te gjitge.

  6. zqk says:

    Ore ju te BE-se, a do e luftoni korrupsionin apo jo? Keshtu sic po beni nuk futeni dot ne BE as per 100 vjet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje