Një vit pa Olldashin, familjarët dhe miqtë e përkujtojnë/ Patozi: Sokoli i mungon shumë PD, edhe pse e ka një kryetar

20 Nëntor 2014, 19:38Politika TEMA

Me “Sokolin” është titulluar nga organizatorët ceremonia përkujtimore në nder të ish-deputetit Sokol Olldashi, i cili u nda nga jeta 1 vit më parë në mënyrë të papritur, si pasojë e një aksidenti rrugor.

Familjarët dhe miqtë e tij e kthyen mbrëmjen e sotme Sokolin në jetë përmes batutave të tij, përmes videove, fotove dhe poezive.

Në ceremoninë e organizuar nga familjarët e tij nuk ishin të pranishëm kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha, ish-kreu Sali Berisha, por as ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Sokolit iu kushtua edhe një këngë, e cila u këndua nga Aleksandër Gjoka. Kënga është një version rock me kitarë dhe ka për autorë Astrit Patozin dhe Florion Mimën.

Moderatorja e mbrëmjes ishte mikesha dhe ish-kolegia e tij, deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu. Por përveç një kënge, Sokol Olldashit i është kushtuar edhe një poezi.

Majlinda Bregu është shprehur gjatë kësaj përkujtimoreje se “miku ynë i shtrenjtë e la PD në zbrazëti”.

Ndërsa Astrit Patozi kujtoi se “një vit më parë ishim të mpirë nga pesha e lajmit”.

Patozi shtoi se Sokoli iu mungon sot debateve të forta.

“Ky takim është simbolik, do të na duhet ‘një stadium’. Sokoli i mungon shumë PD, edhe pse e ka një kryetar, i mungon qeverisë edhe pse e ka një kryeministër”, tha ai.

Sokol Olldashi u nda nga jeta mbrëmjen e 20 nëntorit 2013, si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik gjatë kalimit të një kthese të fortë në rrugën Tiranë-Elbasan. Olldashi, 41 vjeç, ishte një ndër politikanët më të spikatur të së djathtës.

Në fillim të viteve 2000 ai i ngjiti shpejt shkallët e karrierës politike, ndërsa më parë kishte ushtruar profesionin e gazetarit.

Në dy qeveritë e ish-kryeministrit Berisha, ai ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm dhe atij të Punëve Publike e Transportit. /gj.k/

1 komente në “Një vit pa Olldashin, familjarët dhe miqtë e përkujtojnë/ Patozi: Sokoli i mungon shumë PD, edhe pse e ka një kryetar”

  1. alby says:

    U la nje hale.jane edhe disa të tjera për t’u larë……..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje