Forumi Ekonomik i Vjenës/ Rama: Ta kthejmë rajonin në një treg tërheqës përmes bashkëveprimit

24 Nëntor 2014, 16:38Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në Forumit Ekonomik të Vjenës, i cili këtë vit pati temë qendrore “Vizione dhe përgjegjësi në një kohë të ndryshimeve.

Forumi Ekonomik i Vjenës, i themeluar në vitin 2004 si një platformë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi, kishte si panelistë kryesorë të tij disa kryeministra nga rajoni, si Kryeministri i Shqipërisë, i Bosnjës, i Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer.

Në bashkëpunim edhe me sipërmarrjen dhe institucionet më të rëndësishme financiare shumëpalëshe si, BERZH, ata diskutuan mbi zhvillimet e fundit ekonomike në rajon e më gjerë.

Kryeministri Rama theksoi se në filozofinë e saj, Qeveria shqiptare beson se prosperiteti i rajonit si i tërë kërkon bashkëveprim të orientuar drejt projekteve të qarta.

“Unë besoj se ajo për të cilën ne kemi veçanërisht nevojë sot e tutje, është të përqendrohemi në vendet tona dhe në rajon, në projekte të orientuara drejt rezultateve përmes qëllimeve dhe afateve të përcaktuara qartë”, tha Rama.

Duke folur për Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama tha se Qeveria doli me një qasje krejt të re kundrejt zhvillimit ekonomik dhe se kjo qasje, bashkë me reformat e ndërmarra, sollën rezultate pozitive brenda një viti.

“Falë një sërë reformash dhe një ndryshimi në qasjen e qeverisë ndaj komunitetit të biznesit, ne si Shqipëri patëm një hov të konsiderueshëm në vetëm një vit, në Raportin e të Bërit Biznes: u ngjitëm 40 vende më lart”, u shpreh ai.

Në lidhje me rajonin, Kryeministri tha se “bashkëveprimi, qëndrueshmëria dhe kreativiteti janë thelbësore për ta kthyer rajonin tonë në një treg shumë më të madh dhe ta bëjnë atë edhe më tërheqës.

“Por, përtej arritjeve tona personale, rajoni ynë duhet të përfaqësojë gjithmonë e më shumë një treg shumë më të madh dhe duhet të bëjë një ndryshim të madh në qoftë se ofrojmë parashikueshmëri, qëndrueshmëri dhe të gjejmë mënyra më kreative për ta bërë rajonin më interesant”, tha ai.

Rama solli në vëmendje klimën e re pozitive që ekziston sot në Ballkan, e mbështetur dhe inkurajuar edhe nga Procesi i Berlinit, Kryeministri theksoi që kjo situatë e re të jetë e qëndrueshme kërkon edhe një nivel të ri të bashkëveprimit ekonomik ndërrajonal.

“Është gjithnjë e më e qartë se ajo që ne kemi nevojë dhe ajo që ne nuk mund të sigurojmë me mjetet tona, të ndarë nga njëri-tjetri, janë projektet në shkallë rajoni; projektet e infrastrukturës, projektet e sigurimit të energjisë dhe projektet e turizmit dhe akoma më shumë, gjëra që do bëjnë investitorët të kenë akoma më shumë besim dhe do të bëjnë që rajoni të jetë shumë më tërheqës për investitorët e mëdhenj.

Politikisht, deri tani ia kemi dalë, por tani duhet t’ia dalim edhe ekonomikisht dhe kjo duhet të bëhet krah për krah me Europën.

Paqen që tashmë e kemi duhet ta transformojmë në një paqe që ia vlen ta jetosh dhe një paqe të cilën ia vlen ta jetosh nuk mund të ekzistojë pa pasur projektet që do e bëjnë atë të denjë për ta jetuar”, theksoi Rama.

Një sesion i veçantë në Forumin e këtij viti i kushtohet eficencës energjetike dhe teknologjisë së informacionit dhe impaktit të tyre mbi zhvillimin ekonomik, me pjesëmarrjen e Ministrave të Ekonomisë së Shqipërisë, Turqisë, Maqedonisë, Kosovës, Kroacisë etj. /gj.k/

2 komente në “Forumi Ekonomik i Vjenës/ Rama: Ta kthejmë rajonin në një treg tërheqës përmes bashkëveprimit”

  1. maho says:

    Saliu ne 8 vite ka marre pjese ne nja 300 mije forume te tilla, rama premtoi 300 mije vende pune e ska hapur asnje (ne mos ka mbyllur).

    bravo rame, ne vend qe ta fuse ne burg, vazhdon te imitoje saliun.

    pse me gjezdisje neper evrope do zhvillohet ekonomia?

    te rrofshin dijetat qe merr per shetitjet jashte shtetit!

    1. piktori pinok says:

      A ta lumsha o Edi Rama, e zgjidhe Shiperine, tani do besh edhe Ballkanin(Europa te prese rradhen)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje