200 gram tritol në derën e apartamentit, dyshohet për pazare droge

27 Nëntor 2014, 09:10Politika TEMA

Rreth 200 gram tritol kanë shpërthyer në sheshpushimin e katit të tretë të një pallati në lagjen “Rus” në Shkodër.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 22:30 të së mërkurës, ku rreth 200 gram lëndë eksplozive ishte vendosur në pragun e derës së familjes së Xheneto Shkëmbit.

Në momentin e shpërthimit familjarët kanë qenë në banesë, por fatmirësisht nuk janë shënuar të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme jo vetëm në familjen e Xheneto Shkëmbit por edhe tek komshinjtë e tij.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e motiveve dhe të autorëve të shpërthimit, ndërsa dyshohet se autori pas vendosjes së lëndës plasëse të jetë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet i cili drejtohej nga një tjetër shtetas.

Sipas policisë, lënda plasëse e vendosur pranë derës në shkallët e banesës ka qenë tritol, me sasi rreth 200 gram. Menjëherë pas shpërthimit është marrë në pyetje edhe Xheneto Shkëmbi për të mësuar në lidhje me ndonjë pistë të mundshme që mund të çojë në zbulimin e autorëve.

Për momentin, burime të policisë shprehen se ngjarja mund të ketë ndohur për çështje pazaresh droge./gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje