Rama: Nga ulja e taksave përfituan 97 % e shqiptarëve. Nuk falim askënd për energjinë

27 Nëntor 2014, 11:57Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se nga ulja e taksave vitin e fundit kanë përfituar 97 për qind e shqiptarëve.

Ndërsa parlamenti pritet të miratojë sot në tërësi pr/buxhetin 2015, kryeministri iu përgjigj akuzave për rritje taksash nga ana e qeverisë.

“Ka një ngulmim propagandistik se në Shqipëri po rriten taksat, por në Shqipëri është viti i parë, që 97 për qind e shqiptarëve kanë përfituar nga ulja e taksave, krahasuar me shumë vite të shkuara që kur hyri në fuqi taksa famëkeqe e sheshtë, mbi të ardhurat personale.

Nga kjo ulje taksash një polic ka përfituar 262 mijë lekë më shumë se sa nën qeverisjen e mëparshme; një mjek ka përfituar 238 mijë lekë më shumë; infermier 313 mijë lekë më shumë; një mësues 265 mijë lekë më shumë, ndërsa një punonjës administrate ka përfituar 257 mijë lekë më shumë se sa nën qeverisjen e shkuar”, deklaroi Rama sot në Kuvend.

Sipas Kreut të Qeverisë, ky është bilanci i vitit të parë nga ulja e taksave, nga ku përfitimi i drejtëpërdrejtë i ekonomisë familjare ka qënë në këto terma tha Rama.

Ai theksoi se thirrjet për të rikthyer taksën e sheshtë janë thirrje për t’iu hequr nga xhepi këto para që ata i kanë përfituar përmes taksimit të ndershëm.

Rama iu rikthye edhe njëherë operacionit të nisur kundër abuzuesve të energjisë elektrike. Kryeministri theksoi se nuk do të ketë asnjë falje dhe nuk do të tolerohet më vjedhja e energjisë elektrike.

“Sikur shoqëria shqiptare të sillej sikundër ndodh me 98 % të pensionistëve apo 93 % të personave me aftësi të kufizuar, që paguajnë energjinë elektrike, atëherë ekonomia shqiptare do të ishte diku gjetkë. 

Do të kishim më shumë investime dhe shërbime më të mira, do të kishim më shumë investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë etj”, theksoi Rama.

Kreu i Qeverisë tha se kjo është rruga e vetme që Shqipëria mund të ndahet nga ajo që ishte deri më sot, ku shoqëria bënte rrumpallë me energjinë, duke mospaguar atë që konsumonte.

Rama akuzoi Qeverinë paraardhëse për gropën e krijuar në sektorin energjitik shqiptar, duke shtuar se KESH detyrohej të blinte energji me 10 lekë më shumë sesa cmimi i tregut tek kompanitë që prodhonin energjinë në vend, ndërsa faturat po i shlyejmë ne sot.

“Kjo ndodhte sepse kështu donte Lala Gjoni apo i tekej atij, duke detyruar KESH të merrte energji, pa dhënë asnjë lekë. Ne jemi në bisedime me bankat e nivelit të dytë për të shlyer borxhin, ndërsa prej tyre na është kërkuar që operacioni i nisur të mos ndërpritet”, tha Rama.

 “Kjo rrugë nuk është ti hedhim parfum, as ta pudrosim që të duket bukur, as ta mbajmë me aspirina, as të shtojmë ndonjë tetraciklina.

Kjo rrugë është intensive. Një arritje të parë konkrete të operacionit për ta ndarë Shqipërinë nga hajdutët e energjisë. Kemi futur në vijë një bashkërendim forcash me bankat e nivelit të dytë për të shlyer një borxh dramatik që nuk është përfshirë në listën e borxheve të cituara më lart, është borxhi ndaj sipërmarrësve dhe prodhuesve privat të energjisë. 60 milionë euro.

Bankat e nivelit të dytë kanë ardhur kanë takuar ministrin e Energjisë dhe kanë kërkuar konfirmim nga qeveria për mos ndalojnë këtë operacion dhe në këtë mënyrë të disbursojnë 30 milionë euro për të shlyer prodhuesit privat.

Ky është fillimi i uljes së çmimit nga prodhimi vendas dhe vendosja e prodhimit vendas në funksion të liberalizimit të tregut.

Shqipëria plaçkë e madhe o burra kush të marrë ndonjë copë dhe të pushtetërojmë duke e pushtetëruar. Kjo epokë ka marrë fund. Nuk jemi këtu për ta kthyer mbrapa por jemi këtu për ta udhëhequr”, theksoi Rama.

Në vijim ai sqaroi se taksa vetëm 10 lekë në qarkullimin e naftës vjen si nevojë për të mos cënuar asnjë moment xhepin e kategorive që mbrojmë dhe përfaqësojmë në këtë kuvend, dhe për të përftuar një tjetër kontribut për rilindjen urbane dhe mjedisore.

“Faktet flasin vetëm se projektet janë kantiere në gjithë Shqipërinë dhe të ketë impakt real në buxhet dhe në jetën e komuniteteve duke e kthyer në një investim të shtuar”, theksoi Kryeministri.

Lidhur me taksën e duhanit, Rama deklaron se do e rrisë sërish.

“Kemi rritur taksën e duhanit, do e rrisim sërish e prapë, do e rrisim prapë derisa të mundemi, dhe do ndihmojmë që ata që konsumojnë duhan të shkëputen nga ky ves dhe që të mos vdesin”, theksoi ai.

Sipas Ramës, deklaratat se taksat dhe cmimet po rriten janë mashtrime.

“Tani kush janë këto taksa të rritura që po i marrin frymën popullit që nuk do i përshëndeste një infermiere një polic, një punonjës i adminstratës?

15 taksa që çlirojnë frymëmarrjen e sipërmarrjes në vendin tonë. Ka një propagandë që janë rritur çmimet, është e pavërtetë.

Por kemi një shqetësim se nga rënia e çmimeve ka në horizont një rrezik nga deflacioni, por këtu s’jemi për të diskutuar deflacionin, por për rritjen e çmimeve. Rritja rezulton me ulje, nga orizi, mishi, nënproduktet e qumështit, sheqer, mollë, spinaq, perime  e gjithë të tjerat”.

Kryeministri theksoi se reformat e ndërmarra nga qeveria nuk do të zbehen por do të jenë rrënjësore dhe  masat që do të merren do jenë drastike.

“Kemi rritje të ndjeshme të konsumit dhe kjo është rritje e fuqisë blerëse. Askush nuk mund të na thotë që me votën e 23 qershorit janë rritur taksat.

Taksat janë ulur për 90% të shqiptarëve. Është fakt që çmimet janë ulur. Askush nuk mund të na thotë që me votën e 23 qershorit janë rritur shpenzimet për ilaçet.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore me drejtor drejtorin që ka pasur dhe ku puna vazhdon me të njëjtat metoda jep shifrën e 81 mijë vendeve të reja pune që janë në borderotë e kompanive. Nuk flasim për të punësuar që i shohim me imagjinate. 81 e një mijë e disa qindra punonjës të regjistruar.

Shifra e sotme është shifra e regjistrimit real, dhe shifrat e papunësisë nuk janë  reale, është më e madhe se kaq se është papunësia e paregjistruar.

Duke hapur një model të ri përmes zyrave të punës ku janë regjistruar një numër i konsiderueshëm njerëzish që janë me mijëra është rritur edhe regjistrimi sepse njerëzit kanë filluar të krijojnë besim se duke u regjistruar mund të gjesh një punë. 

Jemi ne të parët në historinë e qeverisjes së këtij vendi që i kemi njohur sipërmarrjes barazinë me shtetin.Ne jo vetëm që nuk do kthehemi nuk do zbusim apo do lakojmë ndonjë nga reformat por do i thellojmë, masat do jenë drastike”, u shpreh Rama./gj.k/

2 komente në “Rama: Nga ulja e taksave përfituan 97 % e shqiptarëve. Nuk falim askënd për energjinë”

  1. nardi says:

    Bravo keshtu vazhdo ! duam shtet !!!!

    1. i says:

      Me redbull dhe me renten minerare qe i ule ke te drejte, ke ndihmuar 97% e shqiptareve dhe me heqen e fashes te energjise vetem 3% preken

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje