Kuvend/ "Disiplina në ushtri", forcohet integriteti i ushtarakëve

18 Dhjetor 2014, 11:50Politika TEMA

Forcimi i disiplinës ushtarake, i rendit ushtarak dhe autoritetit të komandim- kontrollit në Forcat e Armatosura për të siguruar përmbushjen e misionit të tyre kushtetues është qëllimi i një pr/ligji që po diskutohet në Kuvend dhe që përmbyll paketën ligjore për ushtrinë.

Sipas relatorit të pr/ligjit, deputetit Spartak Braho, objekt i draftit është përcaktimi i normave dhe rregullave të hollësishme të sjelljes e të etikës së ushtarakëve, i kategorive dhe llojeve të shkeljeve, masave disiplinore, si dhe i autoriteteve kompetente për dhënien e tyre.

Po ashtu, pr/ligji parashikon dhe të drejtat e ushtarakëve në rastet e procedimeve disiplinore, si të drejtën për vënie në dijeni me shkrim për elementet e procedimit disiplinor të nisur ndaj tij; të drejtën që të dëgjohet nga autoriteti përgjegjës ose komisioni disiplinor përkatës, si dhe të drejtën që të parashtrojë prova dhe fakte në lidhje me pafajësinë e tij.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se pr/ligji nuk synon të forcojë dënimet ndaj ushtarakëve, por integritetin e burrave dhe grave me uniformë në Republikën e Shqipërisë. “Qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes me këtë ligj i hapin rrugë adresimit të të gjitha mangësive që kanë cënuar deri më sot integritetin e Forcave të Armatosura”, tha ministrja Kodheli.

Disa nga risitë kryesore të këtij projekligji janë detajimi i autoriteteve përgjegjëse për dhënien e masave disiplinore duke filluar nga Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kryeministri, ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm etj;

E reja në këtë projekt dyfishimi i shkeljeve disiplinore në krahasim me ligjin e mëparshëm; ndarja e masave disiplinore në të lehta, të rënda dhe shumë të rënda. Dy të parat kanë qenë të parashikuara në ligjin e vjetër të disiplinës, ndërkohë që shkeljet shumë të rënda janë një risi e këtij projektligji. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje