Shkëlqimi dhe rënia e një partie

25 Dhjetor 2014, 11:06Rajoni TEMA
Shkëlqimi dhe rënia e një partie

1.
Duhet të ketë qenë fundi i vitit 1996, kur një ditë, pak para mesnatës, një zë i shqetësuar dhe përgjërues nga Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër do të thoshte në telefon: “Nesër profesor Fehmi Agani do të mbajë një fjalim në një konferencë në Bernë mbi çështjen e trajtimit të krimeve të luftës nga ana e drejtësisë ndërkombëtare. Por, fjalimi i tij është në gjuhën shqipe dhe na duhet urgjentisht përkthimi”.

E thënë, e bërë: fjalimi vërtet i mirë i profesor Aganit u lexua dhe u shpërnda në gjermanisht dhe zgjoi interesimin e diplomatëve dhe juristëve që në vitet në vijim do të luanin rol vendimtar në sjelljen para drejtësisë të të dyshuarve për krime lufte në Ballkan. Debati në Bernë do të zgjaste deri vonë dhe kur iku edhe treni i fundit, na rrethuan së paku dhjetë aktivistë të LDK-së – për të na ofruar konak.

Kishte mes tyre inxhinierë që kishin punuar në kombinatin “Trepça”, profesorë gjimnazi të përjashtuar nga puna prej autoriteteve serbe, ekonomistë. Një sy gjumë bëmë diku afër Bernës, në një strehimore refugjatësh.

2.
Shumica e atyre njerëzve sot nuk janë pjesë e LDK-së. Një pjesë e madhe është tërhequr nga jeta publike nga dëshpërimi, një pjesë më e vogël u është bashkuar partive të tjera, disa janë shndërruar në armiq agresivë të (ish-)partisë së tyre për të cilën ishin të gatshëm që figurativisht të prisnin koka për çdo fjalë kritike që mund të thuhej në vitet 90 në adresë të LDK-së.

Kjo parti sot nuk ka me çfarë të krenohet para njerëzve që e mbajtën në këmbë rezistencën paqësore në Kosovë, por njëkohësisht dhanë kontribut të madh edhe në konsolidimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, sepse e dinin se Partia e Punës e Shqipërisë dhe mbeturinat e saj kriminale-komuniste s’mund të ndihmonin Kosovën, madje ishin pengesë edhe për përparimin e Shqipërisë. Idealet për të cilat angazhoheshin gjeneratat politike të viteve 90,

LDK-ja i ka tradhtuar me kalimin e viteve, duke u shndërruar në parti që përzë aktivistët e mirëfilltë dhe favorizon mashtruesit, që vret çdo zë kritik dhe i jep hapësirë llafazanërisë shurdhuese, që shpërblen intelektualë të shpifur dhe varros profesionistë. Prej një partie që e shkruante vetë programin politik dhe bashkonte parti të tjera shqiptare nga ish-Jugosllavia rreth një platforme unike,

LDK-ja u shndërrua në grup politik që pjesë të statutit i huazon në fqinjësi. Rrjedhimisht, sot shumica e aktivistëve të mirëfilltë të Lidhjes Demokratike të Kosovës me të drejtë ndihen të fyer e të tradhtuar. Të gëzuar, ndërkaq, mund të ndihen cinikët dhe kujdestarët përherë të gatshëm për kaos.

3.
Dallimi mes LDK-së së sotme të zbehur, të stërkequr, të vetëposhtëruar e të dirigjuar nga grupe interesi që s’njohin as etikë pushteti, as moral publik dhe LDK-së së dhjetorit të vitit 1989 s’ka si të jetë më i madh: atëbotë tingëllonte e besueshme kur kjo parti premtonte se do të angazhohej për të mbrojtur të drejtat e popullsisë shqiptare në Kosovë e më gjerë, për demokraci e liri të shtypit, madje edhe për mbrojtje të mjedisit. Sot mjedisin politik të LDK-së e ndotin figura me dosje të trasha, dallaveraxhinj privatizimesh dhe jaranë të tregtarëve të drogës.

Më 1989 LDK-ja bashkë me grupe politike në Lubjanë e Zagreb i printe procesit të demokratizimit dhe reformimit të Jugosllavisë së atëhershme – si hap i parë drejt lirisë së plotë të sllovenëve, kroatëve, shqiptarëve dhe popujve të tjerë që nuk dëshironin të jetonin nën tutelën e Beogradit. Sot LDK-ja është një parti marrëzisht provinciale ku aktivistët grinden mes vete për poste aq të rëndësishme, siç është ai i rojtarit të shkollës në ndonjë fshat në periferi të ndonjë komune periferike.

4.
Uragani politik i nisur më 23 dhjetor të vitit 1989 do të kishte përfunduar shpejt në puhizë sikur në krye të LDK-së të mos ishte zgjedhur Ibrahim Rugova, një kritik letrar dhe atdhetar fjalëpakë, por i vendosur në qëndrimet e tij deri në tensionim nervash të diplomatëve perëndimorë. Gjatë karrierës së tij politike Rugova do të bënte edhe gabime, të vogla e të mëdha, por asnjë gabim strategjik. Ylli i tij orientues mbeti bota perëndimore, aty donte ta çonte popullin e tij. Synimi i përhershëm i tij ishte pavarësia e Kosovës.

Kritikët e tij joracionalë përpiqen ta njollosin në mënyra të ndryshme, me shpifje e pikëpamje meskine, madje edhe duke e quajtur tradhtar, një fjalë pafundësisht e ligë, që më shumë flet për karakterin mizor të atyre që lëshojnë në eter këso kualifikimesh. “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”.

Ky citat është shkëputur nga një shkrim i Ibrahim Rugovës, i botuar te gazeta e studentëve “Bota e re” më 28 nëntor 1968. Shkrimi i kushtohet me shumë dashuri Shqipërisë në përvjetorin e pavarësisë, por mund të lexohet edhe si përbetim për arritjen e pavarësisë së Kosovës, kur të merret parasysh se flet për shpirtrat që “edhe në këtë tokë”, në Kosovë, prore do të digjen për pavarësi. Rugova është i vetëdijshëm mbi prapambetjen e kombit shqiptar, por shpresën e var te trimëria e të shtypurve: “U habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin shqiptar u ngrit simboli i gjakut – Flamuri. Mirë që u mashtruan të gjithë.

Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. S’u harrua porosia e stërgjyshërve. E shpumë më tej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur”. Sikur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të kishte lexuar pak historinë më të re të Kosovës dhe sikur të mos u besonte pëshpëritësve të tij me syze ideologjike të kohës së Sofokli Lazrit nuk do të shkaktonte skandal në Kuvendin e Republikës së Kosovës në shtator 2013, kur në fjalimin e tij nuk e përmendi fare Ibrahim Rugovën.

Madje disa mbeturina të komunizmit në gazetat e verdha të Tiranës përpiqen që LDK-në ta njollosin si “parti jugosllave”. Pohimet e tilla janë thjesht krim ndaj së vërtetës dhe përpjekje për të fshehur politikën antishqiptare të Partisë së Punës dhe projugosllave në faza të caktuara dhe vendimtare historike.

5.
Epoka e Ibrahim Rugovës mori fund shumë vjet para vdekjes së tij. Ajo mori fund kur Rugova ngurronte të kthehej në Prishtinë menjëherë pas luftës dhe të dëshmonte para bashkësisë ndërkombëtare se ishte faktori kryesor politik. Mbështetjen e gjerë popullore e kishte, siç e treguan edhe zgjedhjet e para lokale dhe parlamentare pas luftës, të cilat i fitoi bindshëm LDK-ja. Ata që krekoseshin si çlirimtarë mezi e mashtruan 20 për qind të elektoratit, sepse si atëherë, si sot kanë një problem të madh me besueshmërinë. Ajo nuk fitohet lehtë. Por, si në vitin 2014, ashtu edhe në vitin 2000, LDK-ja u dorëzua dhe s’tregoi guxim të konfrontohet me të keqen.

Ndoshta kjo ndodhi për shkak se në këtë parti nuk ka më politikanë që besojnë në vlera. Në vend të vlerave sot shumicës së krerëve të LDK-së u bën përshtypje vetëm valuta. Kur të shkruhet historia e re e Kosovës, Lidhja Demokratike të Kosovës do të ngarkohet me faj të madh për shumë dështime sidomos nga viti 1999 e këtej. Të shpërdorosh besimin e qytetarëve zgjedhje pas zgjedhjeve dhe të strukesh në rolin e viktimës së përhershme është shenjë e madhe e hutimit. Të premtosh shkëputje nga e keqja dhe të veprosh pothuaj si keqbërësit sapo të marrësh në duar pushtetin real – edhe kjo është pjesë e politikës së LDK-së.

Ndoshta edhe vetë Rugova ka qenë i vetëdijshëm për ekipin që kishte pas vetes, andaj pas luftës preferoi të udhëheqë politikë edhe më pasive se përpara dhe gjatë konfliktit të armatosur. Duhet të kalojnë edhe shumë vjet për të dhënë vlerësim të saktë të sjelljeve të tij politike sidomos pas luftës. Por, evidente është që si kryetar i LDK-së ai nuk u kujdes për trashëgimtarë të denjë, mbeti i përqendruar dhe komod te vizioni i tij për pavarësi dhe e la pas dore atë që quhet “politikë praktike”. Rrjedhimisht, pas vdekjes së tij, politikanë me ego të sëmura ia dolën që ta copëtojnë dhe bëjnë pikë e pesë LDK-në, e cila gjithsesi kishte potencial për të çuar përpara procese të mëdha.

E keqja qëndron te keqkuptimi i demokracisë. Në një intervistë për “Zërin e rinisë”, në gusht të vitit 1990, Ibrahim Rugova ishte pyetur për rrezikun e krijimit të kultit të personit në politikë. Por, shefi i atëhershëm i LDK-së nuk e shihte këtë rrezik fare. Ai thoshte: “Në kushtet e sistemit shumëpartiak e të zgjedhjeve të lira, ky rrezik bie poshtë. Natyrisht se duhet të kufizohet mandati. Kështu, njerëzit do ta mbajnë në mend liderin, por kulti i tij nuk do të ekzistojë. Reagani ishte kryetar i dashur ndër amerikanë. Mirëpo, pas tetë vjetësh ai shkoi nga skena politike.

Kështu e ka demokracia. Ajo s’të lejon të prishesh”. Sa më shumë që zgjaste karriera politike e Rugovës, aq më shumë e humbte vërtetësinë kjo deklaratë e tij. Edhe Rugovës nisi t’i pëlqejë fort kulti i personit, idhujtaria e mbështetësve të tij, lajkataria. Ai s’kishte nevojë t’i luftonte kritikët e tij seriozë e dashamirës. Këtë e bënin lakenjtë e Rugovës. Ai nisi të tolerojë veprime të patolerueshme – duke filluar nga bëmat e të birit, Ukës, që sot i prin listës së përbaltësve të vizionit dhe trashëgimisë politike të Ibrahim Rugovës.

6.
LDK-ja sot feston 25-vjetorin e themelimit vetëm pak javë pasi premtimin disamujor për ndryshime cilësore politike e ktheu në mashtrim të elektoratit. Partia që dikur ishte e demokratit Ibrahim Rugova sot po përpiqet që me gjuhë linçuese dhe jodemokratike t’i mbysë zërat kritikë ndaj dasmës fatale me ata që vetë LDK-ja me vite i ka quajtur “bartës të krimit të organizuar dhe të korrupsionit në Kosovë”. Madje janë përdorur fjalë edhe më të rënda: LDK-ja i ka fituar votat duke e përshkruar Partinë Demokratike të Kosovës si “parti vrasësish”.

Ndoshta është pyetje heretike, por ka votues të LDK-së që sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, nga dëshpërimi mund t’i pyesin krerët e LDK-së nëse po ndihen rehat në “shtrat me vrasës”? Në fund të vitit 2000, kur njerëzit e pafajshëm të politikës i gëlltiste terri që e kishin sjellë nga malet disa banda që hiqeshin si çlirimtarë, revista gjermane “Der Spiegel” e kishte ballafaquar Ibrahim Rugovën me këtë konstatim: “Duket se politika në Kosovë ende është e rrezikshme. Katër miq tuaj të ngushtë janë vrarë ndërkohë”.

Rugova ishte përgjigjur: “Qytetarët tanë janë të tronditur pas këtyre vrasjeve. Dikur e kemi pasur Beogradin kundërshtar dhe ne shqiptarët kemi qenë të mirët. Tash kur rreziku nga Beogradi është flakur, po shfaqen sërish edhe dreqërit nga radhët tona”

5 komente në “Shkëlqimi dhe rënia e një partie”

  1. meti says:

    Zoti Robeli une te njofi mire qe moti, ti ke nostalgji per sebo-sllavine.Ideologjia rugoviste i sherbente ideve qe e deshironin Kosoven brenda kesaj krijese.Enver Robeli nje kundershtar organik i UCK vizitor i mirepritur i ambasadave serbe ne perendim nje vizitor i YU klubeve ne perndim nje vizitor i LDK organizatave ne perndim kishte nje qellim,mbetjen e Kosoves ne Serboslavi.Kuptohet se poulli tash eshte vetedijesu dhe eshte tejkalu koncrepti rugovian i Kosoves mbrenda Serbosl…Nostangjike si E.Robeli ka ende ….

    1. Jeronim de Rada says:

      Perse genjen ?

  2. ArktikuBlu says:

    Robelli ka shkruar nekrologjine e LDK-se të parë nepermjet syzeve te tij.

    Por, duke qene bukur shume i perfshire emocionalisht ne politike, por praktikisht jashte strukturave efektive vendim marrese te saj, Robelli nuk mund te shkruajë publicistike te pavarur, as analiza sociale e politike, as portrete lideresh politike, as nekrologjite e partive politike, as te se kaluares dhe as te aktualitetit.

    Duhet te jesh i permasave te tjera qe, duke qene i perfshire realisht dhe emocionalisht ne politike, te jesh njekohesisht edhe nje analist apo nje publicist dhe vleresues serioz dhe me ndikim i zhvillimeve te nje vendi apo kohe te caktuar.

    Lenini ka qene nje shembull klasik i politikanit aktiv, analistit, publicistit dhe oratorit efektiv, objektiv dhe realist. Abraham Linkolni po ashtu.

    Robellit, perkunder pretendimeve te tij, i mungojne permasat per te qënë i tille. Veçorite personale karakteriale te tij, vetem ja shtojne kete pamundesi.

    Ja pse e shohim Robellin qe, duke shkruar nekrologjine e LDK-se 25 vjecare, përzjen Tiranen dhe komunizmin ne Shqiperi me Kosoven.

    Problemi i Kosoves ne Jugosllavine e pasluftes kurre nuk ka qene ideologjik apo i lidhur me komunizmin, por ishte dhe mbeti problem etnik, ballafaqimi per jete a vdekje, per mbijetese, i shqiptareve me genocidistet serbe.

    Robelli nuk do dhe, ndoshta nuk mundet, per kundertite qe parathamë më lart, te kuptoje dhe te sjelle ne analizat e tij faktin se, me daljen e UÇK-së, kishte mbaruar edhe misioni historik dhe funksioni lider i LDK-së, ne çështjen jetike te kombit shqiptar ne shekullin e 20-të, dmth ne çështjen e shkeputjes së Kosoves nga Serbia.

    Dhe as të kuptojë se, bashke me humbjen e kesaj pozite dhe misioni te LDK-se, kishte rënë dhe lidershipi i Rugoves ne çështjen nacionale te Kosoves, perkatesisht te kombit shqiptar.

    Dhe per shkak te te bjerrjes se ketij roli, tash e mbrapa, LDK-ja do te kishte vetem probleme te zakonshme te marrjes se pushtetit, jo per qellime apo ideale kombetare, por thjesht per pozita qeveritese, bashke me postet dhe perfitimet personale qe zakonisht vijne me keto privilegje.

    Ja pse, Robelli ynë, nuk do që ta kuptojë se, tani qe edhe PDK-ja e UÇK-së dhe e Thaçit e ka humbur misionin kombetar per te cilin lindi dhe u formësua dhe, per pasoje, eshte ne konkurrim vetem per pushtet dhe poste qeveritare, mbetet fare normale qe LDK-ja e Isa Mustafës, te bëjë aleanca qeverisëse me PDK-në.

    Kjo eshte fare normale, i dashur Robelli, eshte mëse naturale.

    Kur LDK-ja etiketonte PDK-ne si vrasëse, ne fakt, nuk kishte dhe aq parasysh vrasjen hipotetike te disa personave konkrete, por vrasjen e pozites lidership te LDK-së ne Kosove, dmth vrasjen e ofiqeve zyrtare te krereve te saj dhe te perfitimeve konkrete materiale qe rrjedhin prej ketyre posteve.

    Prandaj edhe nuk mund te akuzosh LDK-në se, me marreveshjen bashkeqeverisëse me PDK-në, po fle ne nje krevat me “vrasës”.

    Përkundrazi, LDK po fle ne krevat me “ngjallesin” e ëndrës per pushtet.

    Dhe, i dashur Robelli, besoj se e di që, pergjatë gjithe historise se shkruar dhe madje, edhe pergjate legjendave dhe gojedhanave qe mbahen mend, kompromisi eshte magjia e paqes, e pushtetit, e begatise dhe e dashurise, dmth rruga drejt lumturise në kete botë të të kundërtave.

    Kjo rruge ka çuar ne nje krevat armiq dhe kundershtare per vdekje, vrases te vertete me te vrare te vertete.

    Kujto pak nga shekulli i njezetë, Francen e Gjermanine me nje mal luftrash dhe te vdekurish ne mes, Ameriken e Japonine me dy bomba atomike ne mes, Berishen me Fatos Nanon me qelite e Bënçës ne mes, pa dashur të të flas,per idilin e pritshëm që po ravijëzohet, atë të Edi Ramës dhe Berishes që ka ne mes rapsoditë e ketij te fundit, pa çifteli dhe orkester, por ne mexhlis dhe ne kuvend, per laperdhira te papara qe paskesh bere mekatari piktor brenda familjes.

    Meso pak nga historia dhe moderniteti, zoti Robelli, “apdejtu” pak de, siç i thonë tani së fundmi, hiqi syzet e tua të trasha dhe vër “contact lenses” dhe, nese nuk e lë dot krevatin e Ibrahim Rugovës per tu futur ne ate te Uk Rugoves, shih se mos ka mbetur ndopak vend edhe per ty, ne krevatin e perbashket e PDK-se me LDK-ne, ku sapo ka filluar nje orgji që, mbase nuk do te zgjase dhe aq shume, por që me siguri do harbojë nga orgazmat pushtetore.

    1. Ilir Hoti says:

      robelli eshte nje prosllav i dukshem! Nuk i intereson nevoja e kompromisit politik e uniteti ne mes shqiptareve, perkundrazi ai deshperohet dhe eshte ne krize te thelle morale e shpirterore nga bashkqeverisja e gjere shqiptare !!! funderrine e shoqerise se lire……..

  3. agim says:

    Analize me fllso skam lexuar tani e 40 vjet,me nuance te tipit komunist,perfshi ketu dhe supstance serbe,lluster individi dhe asgje konkrete,mellef ndaj kontribuesve ,turp per kete analiste dhe turp per gazetat qe ja kane pranuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje