2014-ta, viti i zhbërjeve në Shqipëri…

30 Dhjetor 2014, 18:38Politika TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

 

Kur filloi viti 2014, në Thesarin e Shtetit ishte grumbulluar një mal 720-milion-dollarësh me detyrime të prapambetura ndaj bizneseve që kishin bërë punime e furnizime për qeverinë e mëparshme, apo që nuk ishin rimbursuar nga ajo për TVSH-në. Në mbarim të vitit, një pjesë e mirë e atij mali (400 milionë dollarë) u zhbë nga qeveria aktuale, por për zhbërjen, u desh të harxhohej pothuaj e gjithë rritja e të ardhurave që grumbulluan kete tatimet e doganat. Ndërkohë, qeveria bëri vetëm një pjesë të investimeve të reja që kishtë buxhetuar vetë – 66% deri në 30 nëntor…

Kur filloi viti 2014, në Shqipëri ishte ngritur një mal me universitete – disa në rregull me ligjin e disa në shkelje të tij. Qeveria aktuale, pasi i kaloi në sitën e ligjishmërisë, i mbylli disa prej tyre. Por sidoqoftë, ende s’dihet nëse ata që janë në rregull me ligjin po prodhojnë koka plot apo koka bosh. Vitin që vjen do të mësojmë nga kompania britanike e akreditimit të universiteteve se në cilat prej tyre mund t’ia vlejë t’i çojmë fëmijët për të studiuar…

Kur filloi viti 2014, në Shqipëri kishte rreth 2800 mësues që nuk e kishin arësimin ose profilin e duhur për t’u dhënë mësim fëmijëve në arsimin parauniversitar. Qeveria aktuale, pasi i kaloi në sitë të gjithë mësuesit, e ndau grurin nga egjëri, por në provimet që bëri me kandidatët për zëvendësimin e egjërit, nuk gjeti mjaftueshëm grurë…

Kur filloi viti 2014, pronar i kompanisë monopoliste të shpërndarjes së energjisë ishte ÇEZ-i, të cilin e kishte sjellë dhe përzënë qeveria e mëparshme. Që qeveria e re të bënte diçka për këtë sektor (me ndihmën e Bankës Botërore), duhej të hiqte nga kurrizi gjyqin e arbitrazhit, të cilin e kishte hapur ÇEZ-i në Paris. Qeveria e mbylli me marrëveshje atë gjyq (dhe me kosto për taksapaguesit shqiptarë), por në derë i mbeti një mal vjedhjesh e mosarkëtimesh të energjisë (50% e gjithë energjisë së futur në rrjet). Një pjesë të këtij mali qeveria e zhbëri, por gjatë zhbërjes, e hëngrën shumë lepuj të vegjël e fare pak lepuj të mëdhej. Të shohim nëse vitin e ardhshëm mali do të rritet përsëri…

Kur filloi viti 2014, trotuaret dhe plazhet e Shqipërisë ishin mbushur me ndërtime të paligjshme e të ligjshme, që kishin krijuar një ndotje vizuale, përveç asaj akustike. Një pjesë e mirë e tyre u zhbënë, por disa ndërtime në ujë apo buzë ujit u prishën, e disa të tjera nuk u prishën. Diku u shkulën dy dhëmbë të krimbur e u la i treti, e diku tjetër, u shkulën të gjithë. Të shohim nëse zhbërjes së tyre do t’i shkohet deri në fund vitin që vjen, kur edhe fondet për shpronësimin e dhëmëbve të krimbur të ligjshëm do jenë të disponueshme…

Kur filloi viti 2014, në Shqipëri kishte disa krahina autonome të marijuanës, si Lazarati, Kurveleshi, Dukagjini etj. Autonomia e tyre u zhbë me ndërhyrjen e fortë të policisë, por mbetet të shihet se me se do të jetojnë ato krahina, tani që marijuana iu dogj…

Kur filloi viti 2014, lokalet e Shqipërisë ishin të mbushura me mjegull të dendur tymi duhani. Duke filluar nga vera, mjegulla është zhdukur nga frika e inspektorëve të shëndetit, por mbetet të shihet nëse do rishfaqet në ditët e ftohta të vitit në vijim….

Së fundmi, por jo më së paku, kur filloi viti 2014, Shqipëria kishte një mal me njësi vendore – plot 374 – të trashëguara nga ndarja e sinorëve të kooperativave të Enver Hoxhës.  Qeveria aktuale bëri një hartë me 41 njësi vendore funksionale, por i shtoi edhe 20 të tjera, kur kërkoi edhe votat e ndonjë partie të vogël opozitare… Të shohim nëse do të bëhet ndonjë ndryshim i orës së fundit në ndarjen territoriale (para zgjedhjeve lokale), por sidoqoftë, 61 njësi janë shumë më mirë se sa 374 njësi (nga pikpamja elektorale, si me 41, me 61, me 81, apo 374 njësi, koalicioni qeveritar ka patur epërsi në mbi 80% të njësive).

4 komente në “2014-ta, viti i zhbërjeve në Shqipëri…”

  1. Treviso says:

    Keni bere nje analize te persosur zoti Zaloshnja, por kur qeveria mori detyren, te gjithe ministrat bene inventarin e bilançit te ministrive. Aty ku u gjeten shkelje bene denoncim ne prokurori. Po kryeministri pse nuk beri denoncim per shkeljet qe kishte bere kryekrimineli sali Berisha? Ne kohen e sotme flasin dokumentat dhe jo fjalet. Sa padi jane ngritur kunder ish kryeministrit per shkelje te ligjeve duke perdorur autoritetin? Pse duhet ti paguajne taksapaguesit shkeljet qe ka bere ish kryeministri kriminel. Kjo qeveri po tregohet shume naive persa i perket ish qeveritareve kriminele dhe hajdute. Kjo qeveri dhe pse ka bere pune, por nuk e justifikon punen e bere me ate qe duhet te bente. Pa çuar ne bangen e te akuzuarve banden kriminale dhe mafjoze nuk quhet pune ajo, qe ben kjo qeveri. Kjo qeveri erdhi ne pushtet ne radhe te pare per te denuar banden griminale dhe mafjoze dhe pastaj per te mirat e tjera.
    I uroj shqiptareve kudo qe jane
    Gezuar vitin e ri 2015!

  2. Niko says:

    Ky eshte intelektual qe ke qejf te lexosh shkrimet e tija, te thella, objektive, pa mllefe.

    Por mjerisht jane te paket si ky Zaloshnja.

  3. luan torbja says:

    Analize mjaft objektive dhe drejte. Vertet disa gjera filluan te zhbehen. Me disa gabime apo me probleme, por te pakten filluan te zhbehen.
    Mali me probleme qe la qeveria e kaluar (qe mo i mbifte me fara ishalla) eshte vertet i rende per tu shkarkuar per 4 vjet. Takova nje dite nje mikun tim qe eshte zv.minister aktual dhe tha: “aq keq e kemi gjet ministrine sa te gjithe thoshim me njeri tjetrin … e cfare do te ndodhte sikur te rrinin dhe nje 4 vjcar tjeter keta te PDse!!!!!”.
    Flm Edo.

  4. astrit says:

    Analize? Propogande dashamirese pro qeverise do te ishte termi me i sakte.Qeverise Rama, do ti bente mire qe njerezit e ditur te ketij vendi se kam fjalen per analistet, ti benin analizat e tyre sektoreve te ekonomise dhe te percaktonin rruget e arritjeve ose mosarritjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje