“Shqipëria dhe Kosova ishin pjesë e marshimit të paqes në Paris.
Ishte një mesazh për të shtuar bashkëpunimin mes nesh dhe instancave ndërkombëtare, për të dhënë një perspektivë më të qartë të vendeve të rajonit dhe për një anëtarësim më të shpejtë në NATO.
Këto do ishin sfida të arkitekturës së sigurisë evropiane”, theksoi ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, duke komentuar marshimin e paqes së mbajtur në Paris në nderim të viktimave të shkaktuara nga sulmet terroriste në kryeqytetin francez.
Duke folur për bashkëjetesën fetare, Bushati u shpreh se, “do të doja të ritheksoja qëndrimin e qartë të qeverisë shqiptare në lidhje me aktet terroriste në Paris, që nuk kanë të bëjnë me fenë, as me lirinë e shprehjes, sepse janë vetëm mesazhe terroriste”.
“Qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe përbërja e delegacionit tonë atje si dhe klerikët dhe grupi i gazetarëve kanë qenë të mirëpritur nga autoritetet franceze, si një mesazh i qartë që vjen nga Shqipëria, një popull i përvuajtur në Ballkan me nevojën për bashkëjetesë dhe harmoni fetare. Këtu bëhet fjalë për të dhënë një mesazh të qartë.
Vizita e Papa Françeskut ishte për të dhënë mesazhin e një merite të madhe të popullit shqiptar dhe ne duhet ta mbështesim me aq sa kemi mundësi”, vijoi kreu i diplomacisë shqiptare.
Në lidhje me azilkërkuesit, Bushati u shpreh“sa i përket spekulimeve që bëhen për azil në vendet e BE-së, rruga më e mirë, përveç bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese, është komunikimi me qytetarët, autoritetet vendore, agjencitë turistike”.
“Ndërsa lidhur me klandestinët që përdorin territorin shqiptar për të adhur nga Lindja e Mesme, ka vende brenda BE-së që janë pjesë e Mesdheut që janë shumë herë më të prekur nga ky fenomen sesa Shqipëria.
Kjo s’ka bërë që Shqipëria të jetë imune. Bashkëpunimi me vendet e tjera ka qenë i zhdërvjellët për të zbatuar kontratën që kemi me vendet e BE-së”, sqaroi ai. /gj.k/