Konfindustria në krah të Kushtetueses për lejet e ndërtimit

18 Janar 2015, 16:00Politika TEMA

Megjithëse autoritet lokale thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi Këshillin Kombëtar të Territorit, nuk i hapi dritën jeshiles dhënies së lejeve të ndërtimit, Konfindustria reagoi duke e mbështetur atë vendim.

Edhe më herët Konfindustria është shprehur publikisht, se paaftësia institucionale për kontrollin e territorit dhe ligjshmërinë e dhënies së lejeve të ndërtimit nga pushtetet vendore, në asnjë mënyrë nuk duhet të shërbente si shkak për ndalimin ‘de facto’ me vendim shtetëror të një pjese të madhe të sektorit të rëndësishëm të ndërtimit, që edhe pa vendimin në fjalë ishte në gjendjen më të vështirë historike.
Sipas Konfindustrias, të prekur të drejtpërdrejtë nga ky vendim janë edhe industritë e materialeve të ndërtimit, që prej një kohe të gjatë punojnë ndjeshëm nën kapacitetin prodhues me pasojë rritjen e kostove, vështirësi financiare, uljen e punësimit dhe deri rrezikun e mbylljes dhe falimentimit.

Zbatimi në praktikë i vendimit për ndalimin e sektorit të ndërtimit si jetik për ekonominë dhe qytetarët, prodhon në mënyrë të pashmangshme korrupsion dhe paligjshmëri, thuhet në reagimin Administratorit Gjergj Buxhuku.
Konfindustria shton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për lejet e ndërtimit, duhet të shërbejë si mësim për mënyrën e marrjes së vendimmarrjeve politike të ngjashme në vazhdimësi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje