Haxhinasto: Monitorim rigoroz në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve

28 Janar 2015, 17:04Ekonomia TEMA

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto mori pjesë ditën e sotme në prezantimin “Analiza vjetore 2014 – Objektivat dhe Sfidat e 2015” ku paraqiti rezultatet e punës Autoriteti Rrugor Shqipëtar.

Në fillim të fjalës së tij Haxhinasto konfirmoi se zgjidhjet dhe masat e marra për sigurinë rrugore, gjatë 2014-ës kanë qënë të duhurat dhe këto reflektuan në uljen e ndjeshme të numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen në nivelet rreth 20%. Për këtë arritje ai njohu kontributin e gjithë aktorëve të angazhuar për zbatimin e Planit Kombëtar të Sigurisë rrugore, miratuar në Janar 2014. “Fakti që qytetarët kanë një pritshmëri edhe më të lartë, sa i takon cilësisë së sigurisë rrugore vjen edhe nga vendosja e sigurisë rrugore si prioritet i punës sonë , fakt gjithashtu dhe i ndjeshmërisë në rritje të medias dhe përfitoj nga ky rast ta ftoj median të jetë e anagazhuar në vazhdimësi për çështjet e sigurisë rrugore, pasi këto ndikojnë pozitivisht si për ARRSH ashtu dhe për gjithë institucionet e tjera të angazhuar në sigurinë rrugore. Shërbimi ndaj qytetarit, shpëtimi i jetëve është absolutisht prioritar për ne” – tha ai.

Ai theksoi se siguria rrugore është mbështetur jo vetëm nga ndërgjegjegjësimi opinionit publik, por edhe nga investimi dhe rritja në buxhet me 3-fishim e reflektuar në zërin e sinjalistikës rrugore. Ai shprehu se realizimi i investimit në sinjalistikë çoi drejt një impakti të menjëhershëm në aksin Rrogozhinë –Butrint dhe zhvillim dhe prioriteti për këtë vit në këtë fushë do të jënë akset Rrogozhinë-Kapshticë dhe Fushë Krujë-Hani i Hotit.

Ministri Haxhinasto vijoi në fjalën e tij me konsideratën për prioritetet e sfidat e ARRSH sa i përket 2 çështjeve kryesore që janë ndërtimi i infrastrukturës dhe mirëmbajtja e shfrytëzimi i ssaj.

Ndërtimi i infrastrukturës në vend u konsiderua si proçes me ritme intensive ku Ministri Haxhinasto u ndal në disa nga projektet e reja të rëndësishme që do të fillojnë gjatë 2015-ës. Një tjetër çështje e rëndësishme për ndërtimin e infrastrukturës që u nënvizua nga Ministri Haxhinasto ishte përmirësimi i cilësisë dhe vendosja e standardeve të larta në çdo hallkë për finalizimin e veprave nga moment i planifikimit deri në dorëzimin e tyre. “Kërkoj që në planifikimin e çdo vepre të re të konsiderohet harmonizimi me rrjetin në tërësi, të rrisë lidhjet midis zonave me potencial më të lartë ekonomik, zonat turistike dhe ato në zhvillim, zonat e hidrokarbureve, zonat minerare dhe sigurisht të ketë një planifikim rigoroz me kritere shkencore, duke evituar në mënyrë të qartë çdo ndikim politik dhe i vetmi kriter i planifikimit kombëtar të jetë planifikimi zhvillimor kombëtar”: – tha Haxhinasto.

Ai vlerësoi arritjen për finalizimin e manualit të ndërtimit brenda këtij viti. “Miratimi i standarteve të ndërtimit të rrugëvë është në fazën përfundimtare, tashmë mbas 24 vjetësh do të kemi referenca për çdo vepër rrugore që ndërtohet në Shqipëri, për të sjellë unifikim të veprave të reja, ky manual do të jetë Kushtetuta e ndërtimit të rrugëve” – tha ai.

Ministri Haxhinasto kërkoi të përdoren kapacitetet e plota të teknologjisë dhe inovacionit që ARRSH disponon dhe të zbatohet monitorim rigoroz ndaj punës së supervizorëve si përfaqësues të shtetit shqipëtar dhe interesave të publikut.

Ai vijoi me çështjen e dytë prioritet për infrastrukturën, sa i përket mirëmbajtjës dhe shfrytëzimi të saj. “Kjo është hallkë themelore për të garantuar efikasitetin, shpenzimin e duhur të parave publike dhe taksave të qytetarëve, për të pasur investime të qëndrueshme në rrugë dhe t’i ofrojmë biznesit dhe qytetarëve cilësi të lartë” – tha ai. Projekti për mirëmbajtjen e rrugëve në bashkëpunim me Bankën Botërore që pritet të finalizohet gjatë këtij viti do të mundësojë riformatimin e sistemit të mirëmbajtjes. Riorganizimi institucional i ARSSH u njoh si domosdoshmëri, që do të sillte efektet e pritura për këtë çështje. Ministri Haxhinasto bëri me dije se paralelisht me projektin e mirëmbajtes së rrugëve, po punohet nga ekipi i Ministrisë për vendosjen e kategorisë së re të kompanive që do të kontraktohen për mirëmbajtjen. “ Situata si ato të fundvitit të kaluar nuk duhet të përsëriten, ku kompanitë që kishin përgjegjësi të mirëmbanin akse të rëndësishme të vendit nuk arritën ta bënin këtë. Qëllimi ynë nuk është penalizimi, por çdo kontratë ka detyrim zbatueshmërinë e saj” – tha ai.

Në vijim, ai kërkoi nga ARRSH të zbatojë me rigorozitetet ndryshimet e rëndësishme ligjore që u reflektuan në Kodin Rrugor, amendime që synojnë përmirësimin e sigurisë rrugore , ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe sistemit të rrugëve në vend. “Rruga është aset publik, dhe kur këto asete kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve duhet të trajtohen si të shenjta. Askush nuk do të tolerohet të bëjë ndërhyrje të paautorizuara në to”- tha ai. Në vijim theksoi se menaxhimi i rrugës duhet të prioritarizohet, jo vetëm për rëndësinë që ka ky aset kombëtar, por edhe për sigurinë e jetës dhe aktivitetin ekonomik.

“Me rëndësi për ju është dimensioni rajonal që ka rrjeti ynë rrugor. Kërkohet domosdoshmërisht përpjekje të përbashkëta dhe koordinimin e punës, si dhe koordinimi me autoritetet simotra në vendet e rajonit” – tha ai.

Në fund Haxhinasto kërkoi që ky autoritet të angazhohet maksimalisht në komunikimin me publikun dhe qytetarët .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje