“Mbështetja Belgjikës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, do të vijojë në të gjitha fazat“.
Kështu është shprehur Zëvendëskryeministëri i Mbretërisë se Belgjikës Didier Reynders. Gjatë takimit me ministren e Integrimit Europian, Klajda Gjosha.
Ai gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra deri tani, duke theksuar se për të përparuar edhe më tej me këtë proces të rëndësishëm është e domosdoshme reforma në drejtësi.
“Një reformë e mirëfilltë në Drejtësi është shumë e nevojshme për Shqipërinë dhe Mbretëria e Belgjikës është e gatshme të asistojë në këtë proces nëpërmjet ekspertizës së saj apo trajnimeve të nevojshme”,tha zëvendëskryeministri belg.
Ministrja Gjosha e informoi Zëvendëskryeministrin belg, për masat konkrete që qeveria ka ndërmarrë dhe po ndërmerr për përmbushjen e 5 prioriteteve që vendit i janë lënë kusht nga Bashkimi Europian deri në hapjen e negociatave.
“Jemi të vendosur dhe maksimalisht të angazhuar për të mos humbur asnjë minutë kohë, në mënyrë që të avancojmë sa me shpejt me axhendën tonë europiane, pasi për ne procesi i integrimit është procesi i të ardhmes dhe prioriteti më i rëndësishëm kombëtar”, tha Gjosha.
Zëvendëskryeministëri i Belgjikës u takua paradite me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.Në konferencën e përbashkët për mediat Reynders vuri theksin tek reforma në drejtësi dhe zbatimi i ligjeve, teksa theksoi se paketa e reforamve të ndërrmarra nga qeveria janë mbresëlënëse në ecurin e vendit drejt integrimit europian./A.XH