Shpëtimi i pyjeve me pisha nga procesionarja, Balla: U punësuan 600 vetë

15 Mars 2015, 16:10Sociale TEMA

Luftimi mekanik i procesionares është një projekt i Ministrisë së Mjedisit, për uljen e dëmeve në pyjet me pishë të zezë. Për zbatimin e këtij projekti janë punësuar në Librazhd rreth 600 veta.

Kjo sëmundje ka prekur rreth 6.600 ha në të gjithë Shqipërinë.

Në rajonin e Elbasanit janë 1.600 ha dhe nga këto 780 ha pyje vetëm në Librazhd.

Deputeti socialist i Librazhdit Taulant Balla së bashku me përfaqësuesin e Ministrisë së Mjedisit ishin në Orenjë për të parë nga afër procesin e luftimit të sëmundjes së procesionares.

“Bëhet fjalë për një projekt që shpëton pyjet me pisha të Librazhdit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, nga një sëmundje siç është procesionarja. Ka dhe një dimension shumë të mirë, është dimensioni i punësimit sezonal, i cili në opinionin tim është pjesa më e rëndësishme për arsye se përmes këtij projekti, në rrethin e Librazhdit do të mbulohen rreth 780 ha pyje me pisha me një numër prej 600 punëtorësh sezonal. Të cilët jo vetëm do të trajtohen me një pagë që do të përfshijë edhe sigurimet shoqërore, por krijojnë një hapësirë sezonale punësimi të cilën unë shpresoj ta përsërisim serish edhe në muajt nëntor dhe dhjetor”, tha deputeti socialist.

“Është një projekt që ka përfshirë katër rajone të Shqipërisë. Në rajonin e Shkodrës, Dibrës, Elbasanit dhe Korçës. Në rajonin e Elbasanit janë planifikuar të bëhen rreth 1600 ha. Sot jemi tek objekti i Librazhdit, ku po bëhen rreth 700 ha me pisha të cilat po pastrohen nga ky dëmtues i pyjeve”, theksoi inxhinieri i Ministrisë së Mjedisit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje