Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës angazhohen përmes 11 marrëveshjeve, memorandumeve dhe protokolleve të thellojnë partneritetin strategjik në disa fusha të rëndësishme, si në fushën e sigurisë, shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit, për bashkëpunim financiar, për lehtësimin tregtar, në bujqësi, kulturë, në fushën e arsimit, etj.
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili prezantoi edhe dokumentin për partneritetin strategjik, e cilësoi atë një dokument të një rëndësie historike për ne dhe për rajonin, me një impakt të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve. Bushati vuri në dukje se destinacioni i dy vendeve është Bashkimi Europian, ndërsa shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur Kosovën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Në mbledhjen e dytë të përbashkët të Qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, e cila u zhvillua paraditen e sotme në Pallatin e Kongreseve u nënshkruan 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle të cilat janë:
1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.
3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.
Qeveria shqiptare ka zgjedhur si moto të kësaj mbledhjeje tre fjalë: “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”. /gj.k/